E para grua në krye të ministrisë së Jashtme, pas më shumë se 100 vitesh

Kryeministrja norvegjeze, Erna Solberg njoftoi sot mbajtjen e një takimi historik të kabinetit, duke caktuar Ine Eriksen Soreide në postin e ministres së Jashtme, e para grua në vendin skandinav që prej vitit 1905.

“Ne kemi shkruar historinë sot”, u tha Solberg gazetarëve pas një takimi zyrtar të kabinetit me mbretin Harald.

Soreide, 41 vjeçe, do të zëvendësojë Borje Brende, i cili kohët e fundit ka deklaruar se do të largohet nga detyra për të kryer një funksion të ri në Forumin Ekonomik Botëror, në Zvicër.

Riorganizimi i kabinetit  vjen pas zgjedhjeve të përgjithshme të muajit të kaluar, ku Solberg arriti të siguronte një mandat tjetër katërvjeçar.

Soreide, e Partisë Konservatore të Solberg, ka qënë ministre e Mbrojtjes që prej vitit 2013 kur Solberg erdhi në detyrë për herë të parë, dhe ishte parashikuar se do të zëvendësonte Brende.

Kryeministrja theksoi se aktualisht, gratë mbajnë tre postet kryesore të kabinetit, të kryeministrit, Ministrisë së Financave (Siv Jensen nga Partia Populiste Progresiste) dhe Ministrisë së Jashtme.

Gjithashtu, riorganizimi do të emërojë Frank Bakke-Jensen si ministrin e Mbrojtjes, ndërsa Marit Berger Rosland do të trajtojë lidhjet me Bashkimin Evropian.

Norvegjia nuk është anëtare e bllokut të BE-së.

Solberg përgëzoi Brende për përpjekjet e tij për të rivendosur lidhjet me Kinën.

“Kjo ka qënë një nga çështjet më sfiduese që kur mora detyrën në vitin 2013”, tha ai.

Marrëdhëniet Norvegji-Kinë u tensionuan në vitin 2010, kur aktivisti i burgosur kinez, Liu Xiabo fitoi çmimin Nobel për Paqen.

Pekini reagoi ashpër ndaj çmimit të tij, duke ndalur bisedimet me ish-qeverinë norvegjeze mbi një marrëveshje të tregtisë së lirë dhe anuluar takimet e planifikuara.