Ambasador, monitoro qëndrimet e Xhafajt ndaj Tahirit…

Fatmir Xhafaj, një ish-prokuror i kohës së Enver Hoxhës është emëruar për çudinë e të gjithëve, shqiptarë dhe ndërkombëtarë, në postin e Ministrit të Brendshëm, pas largimit nga ky post prej Ramës të Saimir Tahiri që kishte rezultuar i implikuar në afera kriminale dhe po rezulton “bashkëpunëtorë” me “bandën e Habilajve” në trafikun e drogës dhe të armëve në Itali.

Emërimi i Xhafajve në këtë post ka krijuar shumë reagime jo vetëm nga opozita apo analistët e shumtë shqiptarë por mbi të gjitha është shoqëruar nga një furtunë pikëpyetjesh të ngritura  nga përfaqësuesit e vendeve partnere në Tiranë. Të gjithë këtyre reagimeve i është përgjigjur vetë Fatmir Xhafaj, duke hedhur në publik, mbi dhe nën rrogoz, “shpjegimin” se “ai është në këtë post me mbështetjen e një ambasadori shumë të rëndësishëm, si shpërblim për punën e “shkëlqyer” për reformën e drejtësisë…”. Madje kallauzët e këtij informacioni kanë shkuar edhe më larg duke pohuar se “…Rama nuk e ka dashur Xhafajn në këtë post, por ai ka qenë i detyruar pas ndërhyrjeve të ambasadorit shumë të rëndësishëm të vendit partner…”.

Ky argument ishte menduar me shumë djallëzi edhe nga vetë Xhafaj, por edhe Rama sepse kështu do ti mund ti mbyllej goja të gjithë kundërshtarëve të këtij emërimi, si brenda maxhorancës ashtu edhe jashtë saj. Dhe në fakt reagimi ndaj emërimit të Xhafajt, përveç kritikave të opozitës nuk do të ishte shumë i fuqishëm, po të kemi parasysh se bëhej fjalë për një “prokuror të Enverit” të emëruar në postin e rëndësishëm të ministrit të Brendshëm që do të duhej të luftonte kundër krimit dhe trafiqeve të drogës, si brenda policisë së emëruar nga vetë Rama përmes ushtarit Tahiri, ashtu edhe brenda maxhorancës përderisa lidhja e krimit me shtetin dhe futja në politikë e oligarkëve ishin ideuar dhe frymëzuar nga Rama.

Xhafaj për të ushqyer këtë shpjegim dhe përforconte idenë se ishte “njeriu besnik i shtetit partner” filloi për interesat e tij të ngushta korruptive, të largonte njerëzit e Tahirit nga policia dhe të bënte shou në luftën kundër kanabisit por në realitet duke qenë në bashkëpunim të ngushtë me Ramën dhe në mbështetje të ngushtë të porosive të tij.

Nuk do të vononte momenti që Xhafaj të ekspozonte qëndrimet e tij të palëkundura pro interesave të Ramës dhe klientelëve të tij. Në momentin kur prokuroria e krimeve të rënda do të kërkonte arrestimin e Tahirit, në ballë të qëndrimeve pro Tahirit, me porosi të Ramës e Rucit do të dilte Xhafaj. Madje nuk do të shqetësohej se si ministër i Brendshëm dhe si ish-bashkëkryetar i reformës në drejtësi do ti viheshin pikëpyetje të mëdha nga të gjithë ambasadorët e vendet partnere që po monitorojnë procesin e dhënies leje për arrestim të Tahirit. Xhafajt do ti mjaftonte vetëm të kënaqte kërkesat e Ramës për mbrojtjen me çdo kusht e mjet të Tahirit ndonëse marrëdhëniet me Tahirin vetë Xhafaj i kishte dhe i ka shumë të acaruara.

Ambasadori shumë i rëndësishëm i vendit partner duhet të jetë në dijeni të shpjegimit të dhënë për emërimin e Xhafajt në postin e ministrit të brendshëm, shpjegim që e ka sajuar vetë Xhafaj dhe të cilin me siguri ja dërguar në vesh vetë Rama apo ndonjë bashkëpunëtor i tij. Por kjo është tërësisht e parëndësishme. Ambasadori shumë i rëndësishëm i angazhuar maksimalisht për reformën në drejtësi duhet tanimë të bindet se është Rama ai që po pengon zbatimin e saj në rastin e Tahirit dhe masha e tij për ta arritur këtë objektiv është Fatmir Xhafaj, që në krye të komisionit për reformën në drejtësi hiqej si një mbështetës i flaktë i kësaj reforme.

Le të shpresojmë se ambasadori i rëndësishëm po e monitoron të gjithë këtë proces për dhënien e lejes për arrestimin e Tahirit. Pa harruar të nxjerrë përfundime edhe për qëndrimin hileqar e tinëzar të Xhafajt e mbi të gjithë për qëndrimin e Ramës ndaj reformës në drejtësi.