Tre të pavërtetat dhe tre 'armiqtë' që shpalli Tahiri

Në intervistën e mbrëmshme në emisionin Opinion, Tahiri ishte emocional deri në çoroditje. Gënjeshtar dhe i dobët në argumente. I frikësuar në ekstrem dhe nga frika jo rrallë herë shfaqej kërcënues, madje duke premtuar ne disa raste edhe për hakmarrje. Herë, herë shfaqej i tronditur psiqikisht, gati për tu përlotur nga pamundësia për tu mbrojtur dhe gabimet e rënda që ka bërë. Herë i dëshpëruar dhe i zhgënjyer, veçanërisht me miqtë e kolegët e tij. Jo rrallë herë gjatë emisionit shpërtheu duke lënë përshtypjen e të qenit me depresion e i destabilizuar. Herë i dërgonte mesazhe kërcënimi Ramës për tradhtinë që i kishte bërë dhe herë zbythej duke i kërkuar lëmoshë; në fund të emisionit ishte kujdesur ti servilosej Ramës, njëlloj si letrat e një të “vetëvrari”. Gjatë të gjithë kohës u përpoq të luante rolin e të tradhtuarit sepse kishte bërë detyrën dhe se ishte më i ndershmi nga politikanët. Gjatë të gjithë kohës e paraqiste veten ndryshe nga të gjithë të tjerët, i një “race” tjetër, më i miri, më i afti, më i pastri, duke u përpjekur të tregonte se po shkonte në burg se duke punuar fort e me ndershmëri kishte bërë më shumë armiq sesa miq, por e gjithë nga kjo shfaqje teatrale pa asnjë argument kuptohej lehtësisht se Tahiri po gënjente e mashtronte.

Tahiri nuk arriti të mbrohej as politikisht, as juridikisht dhe as moralisht. U paraqit shumë dobët dhe i paaftë. Gjatë të gjithë kohës për të shpëtuar kërkoi të luante rolin e viktimës duke përmendur djalin e vogël por duke u bërë i lodhshëm dhe i neveritshëm. Pavarësisht përpjekjeve të tij, të gjithë kuptuan lidhjet e Tahirit me klanin mafioz Habilaj dhe askush nuk dyshon më për to, madje edhe bashkëpunëtorët e tij apo ata që e mëshirojnë atë. Vëzhguesit e mbrëmshëm, në shumicë, mbështesnin argumentet e prokurorisë italiane dhe shqiptare dhe besojnë se Tahiri është ndërmjetësi mes bandës së Habilajve dhe Ramës. Të gjithë kuptonin se Tahiri, i ndodhur në situatë të vështirë dhe i tradhtuar nga Rama e anëtarët e Rilindjes, po mashtronte gjatë të gjithë kohës. Të gjithë e kanë të qartë se Tahiri do të shkojë pas hekurave dhe askush nuk sakrifikon për ta mbrojtur madje as nuk i kanë telefonuar për të kuptuar se çfarë ka ndodhur.

Por Tahiri gjatë të gjithë kohës tha tre të pavërteta ndërkohë që përpiqej ta orientonte të gjithë shfaqjen e tij si një betejë për të provuar të vërtetën e tij inekzistente. E para mohoi lidhjet e ngushta farefisnore e klanore me Habilajt duke i quajtur pa pikë turpi e thjesht kushërinj të “dhjetë”. Mohoi takimet me eksponentë të bandës së Habilajve si dhe udhëtimet e përbashkëta me ta si dhe darkat e drekat më eksponentë të kësaj bande. Mohoi të këtë marrë para apo dhurata nga Habilajt qoftë në favorin e tij personal qoftë për manipulimin e zgjedhjeve. Mesa duket Tahiri kishte zgjedhur rrugën e arritjes te e “vërteta” e tij duke mohuar gjithçka tjetër për të cilën akuzohet, duke thënë të pavërteta, duke sulmuar të gjithë kundërshtarët e tij, madje çuditërisht duke sulmuar jo vetëm Ramën por edhe deri ambasadorin amerikan.

Tahiri në përpjekjet e tij të dështuara për të “vërtetën” e tij nxori nga goja e tij edhe emrat e shumë armiqve nga “llumi i korridoreve të politikës”. Natyrisht më i rëndësishmi që edhe e ka frikë më shumë se kushdo tjetër ishte emri i Edi Ramës; ndërkohë që nga mungesa e përqendrimit emrin e Ramës e kuptuan të gjithë Tahiri herë pa here kur dilte nga depresioni tentonte ta maskonte duke i ngecur pështyma në grykë. Emri i dytë do të ishte Ilir Meta, presidenti i Republikës, të cilin në asnjë çast nuk hezitoi ta artikulonte qartë e pa mëdyshje dhe madje ta sulmonte për korrupsion duke lënë të kuptohej se ai ishte strumbullari i gjëmës së madhe që i kishte ndodhur. Emri i tretë i rëndësishme do të ishte ambasadori amerikan, për të cilin Tahiri si vërejtje kryesore kishte deklarimin e tij për prezencën e “klaneve mafioze” përfshi mesa duket klanin Habilaj ku bën pjesë edhe Tahiri. Çuditërisht Tahiri në asnjë moment nuk pati guximin ti cilësonte anëtarët e bandës së Habilajve si trafikantë por emërtimi që gjatë të gjithë kohës ishte “barbonë”…?! Dhe të vetmin gabim moral atë të shitjes së makinës së tij bandës së Habilajve..?!