Obama dhe Bush ’rikthehen’ me një paralajmërim të bujshëm për popullin amerikan

Ish-presidentët Barak Obama dhe George W Bush kanë shprehur shqetësime për klimën politike në SHBA, në komente të vërejtura si një kritikë ndaj udhëheqjes së Donald Trump.

Obama u bëri thirrje amerikanëve të refuzojnë politikën e "përcarjes" dhe "frikës", ndërsa zoti Bush kritikoi " paragjykimin" në jetën publike.

Ata kanë folur në 2 fjalime të ndara dhe asnjëri prej tyre nuk përmendi drejtpërsëdrejti Presidentin Trump.

 Trump, i cili ka qenë kritik ndaj dy paraardhësve të tij, nuk ka komentuar ende mbi deklaratat e 2 ish-presidentëve.

Duke folur në një aktivitet fushate në Nju Xhersi, Obama deklaroi se të gjithë amerikanët duhet t’i përcjellin botës mesazhin se i refuzojnë politikat e përçarjes dhe frikës. 

“Nuk mund t’i pranojmë politikat e vjetra të përçarjes, të cilat i kemi parë disa herë nëpër shekuj. Disa prej politikave që shohim tani menduam se i kishim arkivuar. Jemi në shekullin e 21, jo të 19”, tha Obama.

Ai preku tema të ngjashme edhe më vonë gjatë një eventi në Riçmond të Virxhinias, duke thënë se shumë njerëz përpiqen të zemërojnë apo demonizojnë të tjerë me ide të ndryshme. Paraardhësi i tij Bush foli pak më herët në Nju Jork. 

“Fanatizmi duket se ka marrë krahë. Politikat tona janë më të cënueshme ndaj teorive të konspiracionit dhe trillimeve. Ka sinjale se intensiteti i mbështetjes për demokracinë është venitur”, deklaroi Bush. 

Ish-presidentët tradicionalisht distancohen nga skena politke e për një kohë të gjatë konsiderohej e pahijshme që një ish-banor i Zyrës Ovale të kritikonte pasardhësin e tij. Por, Obama duket se ka thyer heshtjen për të kritikuar Trump për çmontimin e ‘Obamacare’. /SYRI.net/