Rama po ‘vret’ apo ‘vetëvret’ Tahirin?

Historia e “besnikëve” për punë të pista në Shqipëri mesa duket po përsëritet; pas 36 vjetësh, Tahiri po kthehet në simbolin e “besnikut” të klanit politik që do të eliminohet përmes “vetëvrasjes” në kohë e demokracisë i shtyrë nga “shoku” i tij i armëve. Sipas bisedave të brendshme që bëjnë anëtarët e kupolës politike të lidhur me klanet dhe familjet mafioze, Tahiri për fatin e tij të keq “do të jetë kurbani i Ramës për shkak të ndërhyrjes së shërbimeve të huaja…”.

Rama s’ka asnjë alternativë tjetër për të shpëtuar kokën e tij dhe tepsinë e pushtetit, veçse të bëjë kurban Tahirin kokën e të cilit që “shërbimet” ja kanë vënë në tepsi..”. Qesharake e gjithë kjo histori që përsëritet…Dosja Habilaj, edhe me më shumë informacione se ç’janë publikuar aktualisht, prej disa kohësh, është mbi tavolinën e Ramës. Ashtu siç është kërkuar para zgjedhjeve, nga një partner shumë i rëndësishëm, që Tahiri të largohej nga qeveria, tani Ramës i është kërkuar dorëzimi i Tahirit në duart e drejtësisë.

Dorëzimi i Tahirit është edhe test ndaj Ramës por edhe vala goditëse që po i afrohet Ramës për shkak të lidhjeve të ngushta me klanet mafioze edhe përmes Tahirit që janë zbuluar përmes interceptimeve të shumta. Kjo e ka vënë në dilemë Ramën. Ta bëjë kurban me duart e tij Tahirin, pra ta eliminojë duke e “vrarë” politikisht e penalisht që kështu të fitojë pikë në sytë e ndërkombëtarëve dhe kështu të ketë një shans për të shpëtuar?

Apo ta detyrojë atë të “vetëvritet” politikisht duke e detyruar të shkojë me këmbët e tij në dyert e prokurorisë, e kështu ti lajë duart si Pilati?. E thënë në mënyrë më metaforike shtrohet pyetja: Rama do ta “vrasë” Tahirin apo do ta “vetëvrasë” atë? Ndonëse në dilemë, Rama parapëlqen opsionin e dytë. Druri i shtrembër për të cilin ka folur Rama shumë shpejt nuk do të jetë pjesë e PS ose në rastin më të mirë do të shkarkohet nga të gjithë funksionet drejtuese. Mënyra mbetet për tu bërë me dije në ditët në vijim.

Marrëdhëniet mes Ramës e Tahirit kanë qenë shumë komplekse e të koklavituara. Kanë qenë marrëdhënie të ngushta mes “besnikësh” për punë të pista, për të goditur kundërshtarët deri me forcën e bandave, për përfitime të majme përmes trafiqeve të narkotikëve, për manipulimin e zgjedhjeve me paratë e pista apo veprimin e kriminelëve, e tjerë e tjerë.

Rama e ka përzgjedhur Tahirin si anëtarë të kabinetit jo për shkak të aftësive të tij por vetëm për shkak të karakterit të tij e gatishmërisë për tu hedhur në zjarr për “shefin” e tioj por mbi të gjitha për shkak të ambicieve të tij ekstreme për tu pasuruar dhe pushtet dhe luftuar me thikë në dhëmbë me të gjithë kundërshtarët e Ramës. Por edhe për shkak të lidhjeve apo më saktë të predispozicionit të lartë të Tahirit për tu lidhur me bandat kriminale por edhe me trafikantët e drogës. Prandaj edhe Rama është shumë i kujdesshëm për “hedhjen në erë” të kësaj mine që mund ti plasë në dorë.

Tahiri i ka shërbyer Ramës verbërisht dhe është hedhur në zjarr sa herë Rama ja kërkuar, aq sa sot Tahiri ndjehet jo vetëm i zhgënjyer por edhe i penduar për gjithçka ka bërë për forcimin e pushtetit të Ramës, ndonëse zotëron prova dhe fakte, me zë e figurë për bëmat që kanë bërë së bashku. Nga ana tjetër edhe Rama e ka mbajtur shumë afër Tahirin, fillimisht për të përdorur për interesat e tij dhe më vonë makiavelisht për të hedhur në erë në momentin e duhur, duke bashkëndarë me të shumë intimitete e ngjarje ndarjesh sy me sy, të lidhura me paratë e korrupsionit, me veprimet e grupeve kriminale, me trafiqet e lëndëve narkotike, me kultivimin e kanabisit, me manipulimin e zgjedhjeve.

Tahiri për shkak të marrëdhënieve komplekse me Ramën ka krijuar xhelozi të mëdha dhe armiqësi brenda klanit të Ramës. Të gjithë pa përjashtim e urrejnë Tahirin dhe duan ta eliminojnë si një person të rrezikshëm, madje aq më të rrezikshëm sa më afër Ramës ndodhej. Pra kundërshtarët e vendosur fillimisht kanë tentuar ta shkëpusin Tahirin nga Rama dhe më tej të fusin në konflikt me Ramën, duke mos lënë vend, deri edhe në darka konfidenciale me partnerët pa thënë të vërteta apo shpifur për të.

Sot Tahiri është tërësisht i izoluar, asnjë nga anëtarët e klanit të Ramës nuk e mbron madje shumica e tyre duan ti ngulin sa më parë thikën pas shpine ndërsa disa të tjerë në heshtje presin fundin e tij. Në këtë izolim dhe goditje fatale të Tahirit, një rol të konsiderueshëm ka pasur dhe ka Erion Veliaj dhe establishmenti që e mbështet atë dhe Ramën.

Tahiri ka tre mundësi sjelljeje me Ramën. Të largohet duke treguar gjithçka di për Ramën për të shpëtuar së paku nderin dhe të ardhmen e reputacionit të tij, kjo do të thotë që ai të vdesë trimërisht në betejë të ashpër vetëm me Ramën; por në këtë rast Tahiri ka shumë frikë se Rama do ta çonte para drejtësisë. Të largohet qetësisht nga politika duke lënguar në shtratin që Rama ja ka përgatitur këtij druri të shtrembër; por kjo pak gjasa të ndodhë se Rama është në test para ndërkombëtarëve për të dorëzuar kokën e Tahirit. Tahiri edhe mund të presë që ta godasë Rama dhe pastaj të flasë, në këtë rast do të ishte jo shumë i besueshëm dhe eliminimi do të ishte më i lehtë dhe neveria që do të grumbullonte do të ishte ekstreme.

Shkurtimisht Tahiri është i eliminuar, nuk ka asnjë rëndësi mënyra se si ai do të “vritet” apo “vetëvritet”, politikisht apo penalisht sepse moralisht e ka vetëpranuar. Ai nuk ka asnjë të ardhme në politikë. Ai me shumë gjasa është më afër burgut sesa i lirë për të gëzuar milionat e eurove të përfituara në mënyrë ilegjitime, për të mos thënë më saktë korruptive e kriminale. Rama më çdo rast po përgatitet ta “vrasë” apo “vetëvrasë” pra të detyrojë të “vetëvritet”, sigurisht politikisht e deri penalisht nëse ja kërkojnë, ndonëse gjithçka mund të ndodhë (larg qoftë) sepse Tahiri është shumë i dobët psikologjikisht si dhe nga këndvështrimi psikik. Kjo është një histori për përsëritet mes “besnikësh” në marrëdhënie për punë të pista, këtë radhë të lidhura edhe me klanet e familjet mafioze. Mbetet të presim nëse Tahiri do të lërë pas tij një “letër” …