‘Dribloi’ Norvegjia, FSHF-ja gjen kundërshtar më të fortë për miqësoren e nëntorit

Shqipëria do të luajë në muajin nëntor një ndeshje miqësore  kundër Turqisë. Teksa flitej se Norvegjia do të ishte kundërshtari ynë, Federata Shqiptare e Futbollit bën me dije që do të jetë pikërisht përfaqësuesja turke kundërshtari ynë.

Përmes një njoftimi në uebsajtin zyrtar bëhet me dije: “Federata Shqiptare e Futbollit konfirmon zyrtarisht kundërshtarin për miqësoren e nëntorit për ekipin kombëtar. Kështu, skuadra përfaqësuese e futbollit do të luajë ndeshjen miqësore me ekipin kombëtar të Turqisë në Antalia, në datën 13 nëntor. Duke ju përmbajtur edhe kërkesave të trajnerit Christian Panuçi për të patur vetëm një ndeshje miqësore në këtë periudhë, u arrit edhe marrëveshja përkatëse.

Tashmë mes dy federatave është gjetur akordi përfundimtar dhe zyrtarisht FSHF konfirmon zhvillimin e miqësores me skuadrën përfaqësuesen të Turqisë. Trajneri Christian Panuçi do të grumbullojë ditë përpara skuadrën për përgatitjen e kësaj ndeshjeje miqësore, e cila do të jetë e vetmja për muajin nëntor.

Shqipëria kthehet të luajë përsëri pas disa vitesh një miqësore me kombëtaren e Turqisë. Ballafaqimet zyrtare me Turqinë i përkasin vitit 2005, në eliminatoret për Kampionatin Botëror.

Në ballafaqimet mes dy skuadrave, Shqipëria dhe Turqia janë ndeshur 9 herë së bashku, me bilancin 3 fitore, 2 barazime dhe 4 humbje”, përfundon njoftimi i FSHF-së.