Tani që gjithçka është e qartë, një heqje kapeleje: Faleminderit Dritan Zagani!

Tani që gjithçka është e qartë dhe kushëriri i Saimir Tahirit është prapa hekurave në Itali për drogë, mendja të shkon tek 'fakiri' Dritan Zagani.

Polici i ndershëm, i cili u dha italianëve informacionet për trafikun e drogës së Habilajve dhe u përndoq egër nga policia e Shtetit e qeveria, derisa u detyrua të kërkojë azil në Zvicër a ku di se ku. 

Fjala “fakir” nuk është përdorur në kontekst negativ. 

Ish-shefi i Kufirit në Vlorë dhe ish-shefi i Antidrogës në Fier, Dritan Zagani u shkarkua pa motivacion nga policia, u ndoq penalisht për disa akuza, u stigmatizua dhe kërcënua publikisht, aq sa e shtynë të arratiset nga sytë këmbët, si shumë kolegë të tij që dashje pa dashje u shkelin në këmbë “padrinove” të krim-politikës. 

Babai i 3 fëmijëve bëri gabimin fatal që u denoncoi eprorëve trafikun e drogës Vlorë-Itali nga njerëz me lidhje farefisnore me Saimir Tahirin dhe që lëviznin në Vlorë, pikërisht me makinën nën emrin e ministrit të Brendshëm, Saimir Bashkim Tahiri. (më fal, por kur Donald Lu thotë “peshqit e mëdhenj”, mos pret që peshqit të vijnë vetë e të piqen vullnetarisht në tryezën e drejtësisë?) 

Sot, i denoncuari nga Zagani, Moisi Habilaj u arrestua në Itali për trafikun e 3.5 tonëve hashash nga Shqipëria në Itali. Policia italiane thotë se grupi i Habilajt akuzohet se bën trafik në këtë aks ndërkombëtar, prej disa vitesh. Të njëjtën gjë kish thënë Zagani i shkretë. 

Tani që Habilajt janë në burg në Itali dhe akuzohen zyrtarisht për trafik droge, mund të themi që Dritan Zagani (i cili e denoncoi publikisht trafikun që në vitin 2015) meriton një mirënjohje publike ose thjesht një ‘bravo’.

Sepse duhet të na bëjë të ndihemi krenarë. Më shumë se Strakosha që priti penalltinë e Paulo Dybalës.