Pse SHBA kërkon kaq shumë reformën për Drejtësi

Aktivizmi i ambasadorit amerikan në Tiranë Donald Lu është e paprecedentë në historinë e përfshirjes së një diplomati në shtyrjen përpara të një “reforme për Drejtësi” që të gjithë e duan me fjalë, por jo të gjithë me vepra. Ambasadori i SHBA në Tiranë Lu mendon se, korrupsioni, krimi organizuar, bandat dhe ndikimi politik në sistemin e drejtësisë kërcënojnë shëndetin e shoqërisë dhe dobësojnë aleancën. Si aleat i NATO-s, është në interesin kombëtar të Shteteve të Bashkuara që Shqipëria të jetë një demokraci e fortë dhe e sigurt.

Stabiliteti i vendeve të Ballkanin Perëndimor është interesi i parë në sistemin e aleancave të politikës së jashtme amerikane. E vërteta është se Shqipëria, si anëtar i NATO, është i vetmi vend realitivisht i stabilizuar në rajon, edhe pse ajo ka të gjithë dobësitë strukturore që kanë vendet e tjera për rreth.

Në konferencën e Sigurisë së Mynihut të dy viteve më parë, ish-sekretari amerikan i Shtetit John Kerry e paralajmëroi gjendjen aktuale të rajonit, kur tha se, “Fakti është se ne shohim tendenca shqetësuese në shumë rajone të Europës Qendrore dhe Lindore, si dhe në vendet e Ballkanit. Aspiratat e qytetarëve po shtypen dhe po shkelen nga interesat e oligarkëve të korruptuar, interesa këto të cilat përdorin paratë për t’i mbyllur gojën opozitës politike dhe kundërshtarëve, për të blerë politikanët dhe entet mediatike, dhe për të dobësuar pavarësinë e gjykatave dhe njëkohësisht ata përdorin trysni duke abuzuar me të drejtat e organizatave jo-qeveritare për të ekzistuar dhe për të vepruar”, në ambientin e tyre.

Edhe bosi i ri i ambasadorit Lu, Ndihmës Sekretari i ri i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe të Euroazisë, A. Wess Mitchell ka kritikuar qeverisjet autoritare dhe korrupsionin në rritje. “Korrupsioni në çdo shtet në tranzicion mbetet një problem i sigurisë tonë kombëtare. Ka faktorë të jashtëm gjeopolitikë që po përpiqen të shfrytëzojnë problemet e qeverisjes në këto shtete. Do t’i kërkoj Moskës t’i japë fund aktiviteteve destabilizuese në Ballkan”, tha ai në Senatin amerikan.

Është e qartë që amerikanët nuk mund të lejojnë që një vend anëtar i NATO-s të shkojë në destabilitet si pasojë e dobësisë strukturore dhe kësisoj zhvillojnë antikorpe ligjore dhe kushtetuese. Për të realizuar këtë mision fisnik, SHBA përkrah fuqishëm levën e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Procesi i Vettingut për sistemin e drejtësisë që, është një nga komponentët kryesorë të reformës në drejtësi, dhe rezultatet e saj të para do të mundësojnë çeljen e negociatave me BE. Kjo e fundit ka ndryshuar në strategjinë e zgjerimit të saj renditjen e kapitujve negociues, pra, të fillojë me kapituj 23 dhe 24 që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit dhe luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Në qoftë se vendet kandidate, si Shqipëria, nuk tregojnë progres në lidhje me këto kapituj, atëherë nuk mund të hapen kapitujt e rinj, madje procesi i negociatave mund të ndalet plotësisht.

Sido që të jetë, një gjë është e sigurt, si asnjë here më parë komunitetit ndërkombëtar është i interesuar për Shqipërinë në kohë paqeje dhe normaliteti. Presidenti i SHBA, sekretari amerikan i Shtetit, Presidenti i BE, kreu i KE, shefja e Politikës së Jashtme dhe liderja politike dhe ekonomike e Europës Angela Merkel dhe një duzinë zyrtarësh të tjerë kanë shpenzuar fjalë pro reformës në drejtësi duke sinjalizuar një interes të komunitetit ndërkombëtar për t’i dhënë fund tranzicionit në Shqipëri.