Arrestimi Moisi Habilajt në Itali për trafik droge, reagon Saimir Tahiri, akuza për Bashën

Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka reaguar mbrëmjen e sotme për arrestimin e kushëririt të tij në Itali, për trafikimin e 3.5 tonëve të kanabis sativës dhe akuzave të bëra nga politika në vend.

Me një mesazh të shkurtër në faqen e tij në Facebook, Tahiri shprehet se për këdo duhet të ketë drejtësi deri në fund dhe dënim maksimal.

Ja çfarë shkruan Saimir Tahiri në Facebook:

Lulëzim Basha e jo vetëm, paska përsëritur akuzat meje. Nuk më kanë bërë përshtypje atëherë, nuk më bëjnë as sot.

Nuk pastrohesh dot Lulëzim sado të të rritet karrigia. Vodhe e vrave e ia ke hedhur deri më sot, për të shërbyer si kujtesa më e freskët e drejtësisë që nuk kemi e që nuk u bë dot kurrë.

Sa për këta që i quan kushërinjtë e mi, DREJTËSI DERI NË FUND E DËNIM MAKSIMAL.

Për këdo, pa dallim e pa përjashtim”, shkruan Saimir Tahiri në Facebook e tij.