Shkarkime të tjera në Polici, Xhafaj: Edhe në drejtim, edhe në përbërje

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj ka paralajmëruar shkarkime të reja në Policinë e Shtetit qoftë në drejtues, qoftë në rangjet më poshtë duke filluar nga Policia e Vlorës, qytet ku ai foli sot; Xhafaj e dha deklaratën nga mbledhja e qeverisë që Rama zhvilloi sot në Vlorë.

"Mbetemi të shqetësuar, - u shpreh Xhafaj, -  se përtej kësaj pamje të përgjithshme pozitive që ka në qark dhe në mënyrë të veçantë këtu në qytetin e Vlorës dhe që janë hapa pozitiv, konstatojmë disa dukuri që kanë të bëjnë me mungesën e eficencës nga strukturat e policisë.

Është e papranueshme fakti që vetëm gjatë këtij viti janë 5-6 ngjarje të rënda, vrasje me viktima dhe jetë të pafajshme qytetarësh dhe zbulimi i autorëve lë shumë për të dëshiruar, për të mos thënë që për ne është jashtëzakonisht shqetësues, gjë që do na detyrojë të bëjmë një analizë më të thellë me forcat e policisë dhe duhet të jetë e nevojshme për të bërë edhe ndryshimet edhe përmirësimet e duhura, qoftë në përbërje të tyre qoftë në drejtimin e tyre, por është shumë e rëndësishme këtu për të theksuar edhe një komponent të ri. Një marrëdhënie të re që duhet ndërtuar ndërmjet organeve të qeverisjes vendore dhe strukturave të policisë. Policisë dhe komunitetit..."