Lajmi i fundit

LIVE/ Tensione në mbledhjen e Këshillit Bashkiak Himarë për të zgjedhur kryetarin e komanduar

Harrojeni Tailandën, kjo është perla shqiptare që duhet të vizitoni këtë verë

Harrojeni Tailandën, kjo është perla shqiptare që duhet të vizitoni këtë verë

10:05, 22/07/2017
A+ Aa A-

Nëse keni menduar ndonjëherë për të shkuar në Tailandën e largët për të shijuar shëtitjen me varkë dhe ujin e kristaltë, jeni në kohë të ndryshoni mendim, e të vizitoni një vend shumë herë më të bukur brenda territorit të Shqipërisë.

Porsa mbërrin aty, të kap syri disa varka të vogla, të përshtatura me motor skafi dhe në brendësi të tyre të improvizuara disa karrige, për ta bërë udhëtimin më komod. Për një moment të duken si gondolat e Venecias.

Vetëm 2 orë e 30 minuta larg Tiranës, në rrethinat e Shkodrës ndodhet liqeni i Komanit, padyshim një nga vendet më të virgjëra dhe më të bukura që ka vendi ynë. Dhe për mua ishte një destinacion i padëgjuar, por pas vizitës u kthye në pikën më të bukur turistike që kam vizituar ndonjëherë.

Pasi hipën në varkat të gjendura në molin e liqenit, vazhdon udhëtimin për plot 1 orë e 30 minuta, me një pamje magjepsëse. Me male të larta e të dendura me pisha e shkurre, diku shikon ndonjë shtëpi të ndërtuar me dru apo gurë gati për t’u rrënuar, e diku më tutje të kap syri disa shpella të gërmuara, sikur i ka bërë dora e njeriut. Por padyshim gjithçka është natyrale dhe shumë pak dora shkatërrimtare e njeriut ka ndërhyrë.

Gjatë kësaj kohe mund të kridhesh në liqen, e të shijosh ujin e pastër e të ngrohtë. Ka raste kur “skafistët” bëjnë gara me njëri tjetrin se kush do të ecë më shpejt, e kjo e shton më shumë adrenalinën e pushuesëve, të cilët brohorasin për të qenë para “konkurrentëve”.

Por gjithë magjia e udhëtimit fillon në lumin e Shalës. Ajo mrekulli e ka marrë emrin “Parajsa”. Do t’ju duket ekzagjërim ky epitet, por më besoni, e meriton.

“Nëse Parajsa është aq e bukur sa ai vend, do përpiqem të mos bëj asnjë mëkat, e do lutem që Zoti të m’i falë gabimet që bëj, nëse bota e përtejme do të ketë atë pamje”, më tha një prej mikeshave të udhëtimit kur po ktheheshim  për në Tiranë.

Sapo varka merr kthesën, të shfaqet një pamje , e thënë thjesht prrallore. Një ujë i kristaltë, ku arrin të numërosh gurët nën ujë, disa varka të parkuara dhe njerëz rrëzëlliten buzë bregut të lumit duke marrë rreze. Një urë druri e improvizuar, ku padyshim kush ka shkuar nuk ka lënë pa shkrepur një foto. Pak më lartë një lokal prap prej druri, që të servir pamjen e “ishullit” në pëllëmbë të dorës.

    Ndërsa qëndrimi në lumin e Shalës zgjat rreth tri orë, është e kotë po nuk u lave një herë në lumë. Dhe pse uji është i ftohtë brisk, kur shikon që është qelibar, nuk reziston dot. Ajo që të shijon më shumë është buka e marrë me vete nga shtëpia. Nuk është turp jo. Kur shikon që të gjithë janë aq modest, me një peshqir të shtruar në gurët buzë lumit dhe pse nuk qëndron aspak rehat, ti nuk bën naze. Nuk ke kohë të kërkosh luks, por do vetëm që ato pak orë të kalojnë sa më ngadalë. Fatmirësisht, antenat e kompanive celulare nuk kanë mbërritur në “Parajsë”, duke të shkëputur një herë e mirë nga mania ‘teknologji’.

    Gjeja më gazmore e udhëtimit fillon në orën 4:00, ku varkat bëhen gati të nisen në drejtim të liqeni të Komanit, pa u errur mirë. Është një mobilizim si në ushtri. Të gjithë ngrihen zgupthi, bëjnë çantat gati e nxitojnë të hipin në varkat e tyre, duke lënë kështu pas “Parajsë”. Me siguri të gjithë i premtojnë vetes se duhet të vijnë dhe një herë, e të sjellin me vete disa miq apo familjarë, që padyshim, do ta adhurojnë këtë vend.

    Turistët kryesisht janë të huaj, por ka dhe shumë shqiptarë. Muajt më të rekomanduar nga vëndalinjtë për të vizituar liqenin e Komanit, janë korriku dhe gushti.

    Shpesh në bisedime me miqtë dëgjoj ëndrrat për të vizituar Parisin, Venecian, Dubain etj, por pa vizituar bukuritë shqiptare, është e kotë të shkoshë më tutje. Le të shfrytëzojmë turizmin e vendit tonë, që të kemi me se të mburremi kur të takojmë një të huaj, e mos të vijnë ata e të na tregojnë se çfarë vendesh të magjishme kemi. Me shumë pak lekë, në Shqipëri mund të vizitosh vende si  Komani që ‘ia marrin në kthesë’ Tailandës./Newsbomb.al

    © SYRI.net

    Lexo edhe:

    Komentet

    Shto koment

    Më të lexuarat
    Denonco