New York-Washington për 29 minuta, projekti ambicioz i novatorit miliarder Elon Musk

New York-Washington për 29 minuta, projekti ambicioz i novatorit miliarder Elon Musk

12:00, 21/07/2017
A+ Aa A-

Novatori miliarder Elon Musk ka bërë të ditur arritjen e miratimit “verbal” nga qeveria amerikane për ndërtimin e një sistemi hekurudhor ultra të shpejtë në verilindje të vendit, duke ofruar shpresë për udhëtarët e lodhur nga dështimet e njëpasnjëshme të transportit masiv, ndonëse ka skepticizëm rreth projektit të tij ambicioz.

Me një seri postimesh në Twitter, që ndoshta nuk do të ishin marrë seriozisht sikur të ishin bërë nga dikush tjetër, Musk shtangu industrinë e transportit me deklaratat se do të ndërtojë një rrjet që do t’i transportonte pasagjerët nga New York City në Washington D.C. për 29 minuta.

Ekspertët e transportit thonë se kostoja e jashtëzakonshme dhe pengesat burokratike do ta bënin tmerrësisht të vështirë realizimin e këtij plani.

E megjithatë, Musk ka treguar se di të ndërtojë kompani novatore nga zeroja, përfshirë prodhuesin e makinave elektrike Tesla dhe firmën e udhëtimeve hapësinore SpaceX. Për më tepër, ai përdori paratë e tij në ato projekte, çka u jep zemër pasagjerëve të bllokuar në trafikun e New Jerseyt apo nga vonesat në korridorin verilindor të linjës hekurudhore Amtrak.

"Sapo mora miratimin verbal të qeverisë për ndërtimin e linjës së nëndheshme New York – Philadelphia – Baltimore - Washington DC”, shkroi Musk, duke shtuar se sistemi do t’i çonte pasagjerët nga “qendra e qytetit në qendrën e qytetit, me më tepër se një duzinë ashensorësh/daljesh në secilin prej qyteteve”.

Ai u bëri thirrje amerikanëve të ndikojnë te qeveria federale “nëse doni që kjo të bëhet shpejt”.

Madeline Brozen,  drejtore e deleguar e Institutit të Studimeve të Transportit në Universitetin e Kalifornisë në Los Angeles, tha se kostoja potenciale e projektit është “e paimagjinueshme”.

Për të bërë një krahasim, ajo tha se projekti i një hekurudhe të shpejtësisë së lartë në Kaliforni do të kushtojë 7-10 miliardë dollarë. Projektet e nëndheshëm janë më të shtrenjtë dhe tuneli i propozuar nga Musk është një teknologji e paprovuar më parë, ndërkohë që shpejtësia supozohet të jetë pesë herë më e madhe se në projektin e Kalifornisë.

Zgjerimi i fazës së parë të metrosë së Second Avenue në New York u hap në janar, 25 vjet pas propozimit të projektit, ndërtuar me një kosto 4.45 miliardë dollarë. Zgjerimi përfshiu tre stacione të rinj metroje dhe një tunel jo më tepër se dy milje i gjatë.

Nuk është e qartë çfarë nënkupton Musk me miratim “verbal” nga ana e qeverisë, por një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë tha se administrata e Trumpit pati “bisedime premtuese” me Musk dhe kompaninë e re të tij, Boring Co., e cila do të realizojë projektit.

Edhe pse ende nuk ka marrë lejen e fillimit për këtë projekt, Musk, i lodhur me trafikun e famshëm të Kalifornisë, ka premtuar së fundmi të ndërtojë një tunel që lidh zyrën e tij me aeroportin e Los Angeles, para se të ndërtojë një rrjet tunelesh kudo në qytet.

Pas linjës New York - Washington, Musk tha se ndoshta duhet të bëjë edhe një në Texas si dhe një që lidh Los Angeles me San Francisco.

Syri.net

Marrë nga USA Today

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco