Nga pirat në admiral i flotës së Sulltanit të Madhërishëm. Aventura e pabesueshme e një shqiptari

Nga pirat në admiral i flotës së Sulltanit të Madhërishëm. Aventura e pabesueshme e një shqiptari

17:30, 16/07/2017
A+ Aa A-

Shkruan Arlinda Canaj

Duke qenë një vend që shtrihet pranë deteve që në kohën e Ilirisë banorët e këtij vendi janë shquar për dominimin e deteve. Ilirët ishin sundimtarët e deteve dhe në shumë kronika përmenden si lundërtarët më të zotë të botës. Një histori shumë intriguese suksesi është dhe ajo e Hajredin Barbarosës.

Hajredini do të lindë në vitin 1478 në ishullin e famshëm të Lesbos, nga një baba shqiptar me emrin Jakup Aga dhe një nënë greke e quajtur Katerina. Në fillim katër djemtë e familjes ndihmuan të atin në artin e qeramikës dhe më pas morën një anije dhe bënin tregti. Shpesh anijet e tyre ngacmoheshin nga piratët dhe Hajredinit me të vëllain i lindi ideja të angazhoheshin në biznesin e piraterisë. Shkonin në portet më të mëdha të pellgut dhe filluan të zotërojnë në shumë prej tyre.

Dy vëllezërit ishin aq të suksesshëm në përpjekjet e tyre, sa atyre iu dha një bazë e quajtur La Goletta në afërsi të Tunizisë. Nga aty fama dhe pasuria e tyre filloi të rritej. Ata kontrolluan me sukses portet jugore në Itali, në ishullin Elba dhe në bregdetin siçilian. Mes viteve 1504 dhe 1510, Barbarosa ndihmoi mijëra moriskosë të udhëtonin drejt Spanjës nga bregdeti afrikano-verior.  Andaluzianët e quajtën Baba Aruj për ndihmën që i dha. Ky titull më vonë u shtrembërua nga italianët duke e quajtur Barbarossa, ose mjekërkuqi.

Në këtë mënyrë dy vëllezërit morën nofkën Barbarossa dhe pse nuk dihet nëse ata e kishin vërtet mjekrën të kuqe.

Një sukses i madh në Mesdheun Perëndimor i Barbarosës, ishte kur ai kapi dy galeotat personale të Papës së Romës dhe një tjetër shoqëruese të Elbës. I hipur mbi galeotën e Papës ai lundroi drejt Tunizisë. Anija luksoze e Papës rimorkionte anijet e piratëve nga pas. Duke ju referuar historianit spanjoll të shek. XVI, Diego Haedo, “kjo ngjarje e habiti dhe e la pa fjalë, duke e ngrirë nga mosbesimi të gjithë Evropën. Që nga ai moment preciz, emri i Barbarosës, u bë i njohur në të tërë Europën si komandanti më i guximshëm e më i zoti i detrave.

Suksesi i madh që fitoi në Perëndim tërhoqi vëmëndjen e osmanëve. Nga ky moment, ata do të bëheshin partnerë të pandashëm në luftërat e Barbarosës, në det. Një nga elementet më të veçanta të tij është fakti se në anijet e tyre ata nuk përdornin skllevër, por vetëm njerëz të lirë që shërbenin me dëshirë.

Në vitin 1511, një mosmarrëveshje mes 3 vëllezërve dhe sulltanit të Tunizit, bëri që ata ta braktisnin La Goletta-n dhe të lëviznin në Mahdija në afërsi të Algjerit. Sulltani i Algjerit kishte luftuar dëshpërimisht përparimin spanjoll dhe i kishte kërkuar ndihmë tre vëllezërve.Ata morën kontrollin mbi Algjerinë dhe rrëzuan Sulltanin lokal. Për të siguruar kontrollin e tyre, ata e kthyen Algjerinë si një provincë për Perandorinë Osmane në vitin 1517. Sulltani osman pranoi dhe e bëri Aruj-in (vëllain e Hajredinit) qeverisës të Algjerisë. Perandori Karli V nuk ishte dakord me këtë dhe duke përdorur dredhinë vrau dy vëllezërit e Hajredinit. Tani, ishte Hajredin Barbarossa ai që udhëhoqi forcat e vëllezërve të tij kundër sulmeve spanjolle.

Hajredini do të udhëhiqte forcat spanjolle dhe do të pushtojë qytetin algjerian duke u hakmarrë për vëllezërit e tij. .

Në vitin 1533, sulltani Sulejmani i Madhërishëm i perandorisë Osmane, u shqetësua për bastisjet gjithnjë e më në rritje të italianëve në Mesdheun lindor. Pas përpjekjes së tij të pasuksesshme për të pushtuar Vjenën në vitin 1532, ai vendosi të zhvendosë fokusin e tij nga sulmet e tokës në ndërtimin e marinës së tij për të siguruar portet dhe rrugët e transporti të detar.

Për këtë arsye, Sulltan Sulejmani thirri Hajredin Barabarosën në Stamboll.

Sulltani e emëroi admiral udhëheqës në marinën osmane dhe detyra e tij e parë ishte të niste ndërtimin e një marine moderne detare. Anijet që Barbarossa mori përsipër të bënte ishin shumë më të shpejta e më të mëdha. Barbarossa punoi edhe në taktikën e manovrimit të shpejtë të anijes. Marina Osmane në atë kohë arriti në një pikë që ishte e aftë të përballej me armatën spanjolle apo anijet italiane

Në fund të vitit, marina osmane kishte një forcë të mjaftueshme për të mbrojtur veten kundër sulmeve në rritje të anijeve italiane në bregun e tij.Për më tepër, sulltan Sulejmani i Madhërishëm krijoi aleancë me francezët kundër spanjollëve, aleancë e njohur si traktati Turko-Francez në vitin 1536 ose Aleanca franko-osmane.

Barbossa tashmë ishte i etur për të rifilluar sulmet e tij në Mesdheun Perëndimor.

Nisi fushatën e tij duke goditur fuqishëm bregun perëndimor të Italisë, veçanërisht në portet përgjatë Gjirit të Napolit. Gjithnjë e më shumë po i afroheshin Romës. Ai kishte parashikuar një sundim osman, nën regjimin e tij të drejtpërdrejtë që të shtrihej nga Gjibraltari deri në Tripoli.

Në vend që të sulmonte Sulltanin e Tunizisë, Barbarossa u largua nga vendi duke pasur një tjetër strategji në mendje për Mesdheun perëndimor. Kur mbreti Karli V i Spanjës e kuptoi këtë rrezik, ai u përpoq të zgjidhte çështjen. Dërgoi disa emisarë në Tunizi duke i udhëzuar ata që të organizonin një revoltë nën pretekstin për të kthyer Muley Hassan në fron. Kur komploti u zbulua dhe spiunët u ekzekutuan, Mbreti Karl u përpoq t’i jepte ryshfet Barbarossa-s, por doli i dështuar. Mbreti Karl organizoi kështu Armatën e 400 anijeve nën komandën e Andrea Dorias së bashku me 24 mijë ushtarët të përbërë nga spanjollët, gjermanët dhe italianët.

Pas rrethimit të Tunizit, mijëra të krishterë që ishin rritur si skllevër hynë në një uzinë armësh të qytetit dhe luftuan forcat osmane nga brenda mureve të qytetit. Barbarossa kështu u tërhoq me forcat e tij. Ai ndali sulmin dhe u nis në lundrim në territoret tani të pambrojtura të Spanjës.

Në vitin 1536, Barbarossa u rithirr dhe njëherë nga Sulltan Sulejmani për ta ndihmuar në sulmet e Mesdheut Lindor. Kjo çoi në një seri sulmesh në Mbretërinë e Napolit dhe në Republikën e Venecias.

Në vitin 1538, u mblodh Liga e Shenjtë që përbëhej nga Spanja, Italia, Perandoria  e Shenjtë Romake, Venecia dhe kalorësit e Maltës për të mposhtur Barbarosën një herë e përgjithmonë. Anijet e Barbarossa-s ishin të paktë në numër, por në disa strategji pozicioni perfekte në detin Adriatik, Barbarossa iu shmang sulmit.

Në 28 shtator të vitit 1538, Barbarossa do të thyente edhe Flotën e Shenjtë  në betejën e Prevezës, më e madhja e Mesdheut në kohën që u zhvillua (flota më e madhe e njohur ndonjëherë, e cila konsistonte në 600 anije që i përkisnin Spanjës, Imperatorisë së Shenjtë Romane, Venecias, Portugalisë, Xhenovës, Vatikanit, Firences, Maltës dhe shteteve të tjera evropiane). Edhe pse tre herë më pak në anije e njerëz, Barbarosa, mundi admiralin më në zë të Evropës.

Kjo betejë u quajt “Beteja Prevezës” në vitin 1538 dhe nga këtu u themelua dominimi osman gjatë gjithë Detit Mesdhe për dekada të tëra.

Sulltan Sulejmani i Madhërishëm, e kishte njeriun kryesor dhe ndihmësin e pazëvendësueshëm në luftërat detare.

Pas betejës së Prevezës, Sulejmani i Madhërishëm e priti në pallat bashkë me 18 nga njerëzit e tij më të zotë. I dha titullin Kaptan-ý Derya (Shef-Admiral) i Detit Mesdhe, Bejlerbej i Afrikës Veriore, i dha që të kishte në zotërim sanxhakun e Rodit, Eubesë e Kiosit si dhe kontrollin e detit Egje. Atij iiu bënë nderime të rralla dhe flota e tij u bë e panumërt

Në vitin 1545, Barbarossa vendosi të dalë në pension në Stamboll, pas një karriere të suksesshme që zgjati katër dekada.

Vdiq në 4 korrik të vitit 1547 pas një sëmundjeje të rëndë.

(Shqiptarët në Perandorinë Osmane)

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco