Si të gatuajmë, Pasha Qofte – shija tradicionale e Gjirokastrës

Si të gatuajmë, Pasha Qofte – shija tradicionale e Gjirokastrës

12:19, 07/02/2018
A+ Aa A-

Janë disa gatime tipike të zonave të ndryshme të Shqipërisë të cilat spikasin me shijen unike të tyre, të plotë dhe karakteristike. Receta të cilat brez pas brezi lartësohen me shijen e tyre në çdo sofër e tryezë shqiptare. E tillë është receta e ane’ve (nënave) gjirokastrite, një gatim i vjetër po aq sa edhe gurët e qytetit emblematik të jugut të Shqipërisë.

Supa me Pasha Qofte është një ndër krenaritë e kuzhinës tradicionale gjirokastrite. Falë mjeshtërisë së tyre në kuzhinë, nënat dhe gjyshet gjirokastrite mahnisin këdo me shijen e mrekullueshme të këtij gatimi special. ArgjiroLajm.net ju sugjeron të shoqëroni këtë supë shije plotë me sallata të freskëta të stinës, byrekë të ndryshëm apo edhe me pak nga zahiretë fantastike shqiptare.

Me shumë pak përbërës, të cilët me lehtësi gjenden në çdo kuzhinë çdo kush mund të përgatisë këtë recetë tradicionale gjirokastrite vet në shtëpi për t’i ofruar familjes një vakt fantastik e mbresëlënës për shijen. ArgjiroLajm.net  ju përcjell më poshtë mënyrën e përgatitjes së kësaj supe të shijshme në shtëpi.

Si t’i përgatisim krejt lehtë në shtëpi/ (Përbërësit përzgjidhen në bazë të personave në familje. Përbërësit më poshtë janë për katër persona)

Për përgatitjen e qofteve: 250 gr mish i grirë, 1 kokërr qepë, Gjysmë filxhani çaji me oriz, Një e bardhë veze 1 lugë gjelle gjalpë pa kripë ose vaj ulliri, 3 gota me ujë, Majdanoz i freskët, Kripë, Piper.

Për përgatitjen e supës: Lëngun e një kokrre limoni, Një gotë ujë, 2 të verdha vezësh, Një lugë gjalpë i shkrirë ose vaj ulliri

Përgatitja e Pasha Qofteve:

Në një tenxhere hedhim ujin bashkë me orizin dhe i lëmë të ziejnë për 15 minuta. Më pas i heqim nga zjarri dhe orizin e kullojmë nga uji duke e lënë mënjanë në një tas. Më pas grijmë qepët hollë dhe e hedhim tek tasi ku kemi hedhur orizin e kulluar, shtojmë mishin e grirë, bashkë me të bardhën e vezës, kripën, piperin dhe majdanozin e freskët. I përziejmë mirë të gjitha bashkë derisa masa të bëhet e njëtrajtshme.

Më pas, njomim duart me ujë dhe ndajmë masën në qoftë të vogla në madhësinë e një kokërr arre. Nga ana tjetër, hedhim në një tigan dy gota me ujë, pak gjalpë ose vaj ulliri dhe shtojmë me kujdes qoftet duke i lënë të zjejnë në zjarr të ngadaltë për gjysmë ore. Ndërkohë nisim përgatitjen e supës. Rrahim të verdhat e vezës bashkë me lëngun e limonit dhe ujin dhe në mënyrë të ngadaltë i’a shtojmë tenxheres ku kanë zierë qoftet.

I përziejmë më shumë kujdes që të mos prishet forma e qofteve. Tenxheren e heqim nga zjarri dhe e servirim të ngrohtë. Sipër mund të shtojmë pak pika gjalpi të shkrirë ose pika vaj ulliri si dhe majdanoz të grirë hollë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco