Rrëfehet vajza adoleshente: Dua ta ndaj shokun nga e dashura, e dua për ...

Rrëfehet vajza adoleshente: Dua ta ndaj shokun nga e dashura, e dua për ...

21:33, 12/12/2017
A+ Aa A-

E di që mbase shumë nga ju do të më gjykojnë pasi të lexojnë këtë histori, por do të doja të vinit veten vetëm për pak në vendin tim dhe pastaj të komentoni. Unë jam L. (nuk dua ta them emrin se ka persona që e lexojnë këtë gazetë dhe mund të më identifikojnë), jam 19 vjeçe. Që në moshë të vogël fare kam pasur një shok të ngushtë me të cilin jam rritur. Kam pasur edhe shoqe, por ai njeriu i ngushtë, ai njeriu i zemrës, që ti i rrëfehesh për çdo gjë, ishte T., shoku im i ngushtë. Duhet ta pranoj që më shumë ishim si shokë të ngushtë, si dy çuna, sepse natyra ime ka qenë gjithmonë e tillë, si çun. Jo vetëm në tip, por edhe në pamje kam qenë si çun dhe kjo besoj se është arsye përse shoqëria jonë ka rezistuar për plot 15 vjet, që kur T. erdhi në lagjen tonë dhe familjet u miqësuan. Mbase po të kisha qenë unë më femër, më seksi, do kishin lindur ndjenjat dhe ai s'do të më kishte parë më vetëm si shoqe. Për dreq, ai është shumë simpatik, prandaj dhe mua nuk m'u desh shumë që në fillimet adoleshencës ta kuptoja që ai nuk ishte vetëm shok për mua, ai ishte gjithçka e imja!

E megjithatë i ndrydha ndjenjat. Të jem e sinqertë, në fillim më vinte turp që fillova të ndieja për të gjëra të ndryshme nga miqësia. Pastaj kisha siklet mos e kuptonte ai. Kisha merak mos më largohej po ta merrte vesh se unë e doja më shumë sesa shok. Kisha frikë se ai nuk do t'u përgjigjej njësoj ndjenjave të mia, prandaj i mbajta ato për veten time. Nuk i tregova kurrë askujt. Nuk e dhashë veten për asnjë moment. 

Më vinte plasja kur ai shkonte pas femrave të tjera apo kur më kërkonte t'i prezantoja ndonjë shoqe. I dija mirë shijet e tij. Nuk është se ndryshonin shumë nga të çdo mashkulli tjetër. Të gjithë duket se pëlqejnë vajzat e bukura dhe lozonjare. Edhe ata që thonë se i kushtojnë rëndësi anës shpirtërore apo intelektit, i duan edhe të bukura, edhe të mbajtura, edhe me intelekt. U mësova me lidhjet e T-së. Nuk më bënin më përshtypje sepse unë dija gjithë mendimet e tij. Më tregonte se çfarë i pëlqente dhe çfarë nuk i pëlqente. Në 3 vite që lidhej e ndahej me vajza të ndryshme, nuk u dashurua me asnjërën prej tyre. Secila kishte diçka që nuk i pëlqente dhe madje e bezdiste. Për mua T. ishte si një libër i hapur, por kur e shihja se si sillej me njerëzit e tjerë e kuptoja që nuk ishte edhe aq e thjeshtë të njihje mendimet që fshiheshin pas pamjes së tij engjëllore. Kishte një aftësi të jashtëzakonshme për të bërë çdo femër për vete. Kjo nuk do të thoshte se kishte rënë në dashuri. 

Ndërkohë unë ëndërroja çdo ditë për të. Doja të isha femra ideale që ai do ta dashuronte. E kuptoja se kisha disa gjëra që nuk më favorizonin. Pas aq shumë vitesh miqësi, e dija se do të ishte e vështirë që ai të më shikonte me sy tjetër. Megjithatë, fillova t'i kushtoja rëndësi pamjes së jashtme. Fillimisht ai tallej me këtë gjë. Unë që vishesha vetëm me pantallona, provova të vishja fustan ose fund. Kur më pa T. u shkri së qeshuri. Jo se nuk më shkonte fustani, por ai nuk ishte mësuar të më shikonte ashtu. M'u ngjit keq, duke më pyetur se cili djalë më pëlqente, se sipas tij ky ndryshim po ndodhte ngaqë më pëlqente një djalë. I kishte rënë në kokë. Nuk mund ta mohoja, prandaj e gënjeva. I thashë se më pëlqente një djalë që kisha në klasë. Ai u interesua për atë djalin. Mua as që më binte mendja për të. Prandaj pasi kaluan ca kohë, i thashë që nuk më pëlqente më. 
Pastaj ndryshimet në pamjen time të jashtme u bënë si të zakonshme dhe T. nuk më ngacmonte më për atë pjesë, vetëm më bënte komplimente. E dija që mua më thoshte gjithmonë atë që mendonte dhe kënaqesha shumë kur e vlerësonte mënyrën se si vishesha apo se si i rregulloja flokët. Për mua, kjo do të thoshte se isha në rrugë të mbarë. 

Por nuk kisha parashikuar një detaj. Para disa muajsh, ai më tha se kishte njohur një vajzë që i pëlqente me të vërtetë, që ishte ndryshe nga vajzat e tjera. Më tha se donte të ma prezantonte. Si nuk më pushoi zemra kur i dëgjoja këto fjalë. Atëherë kur po mendoja se duhej t'i tregoja për ndjenjat e mia, na doli kjo tjetra. Shkova në shtëpi dhe qava pa pushim. Më vinte plasja që nuk po arrija të isha me njeriun që doja. Atë pasdite dola për kafe me T-në dhe të dashurën e tij të re. Për mua ishte vuajtje t'i shikoja ata të dy. Ajo kishte dëgjuar shumë për mua. U përpoq të tregohej e afrueshme dhe të më bënte shoqe. Kurse unë ndenja disi e tërhequr. Më dukej hipokrizi që ta trajtoja si shoqe. 

T. më kërkoi ta afroja se ishte vajzë e mirë dhe ai e kishte seriozisht me të. Kjo më lëndoi shumë. Për shumë ditë u mbylla në vetvete me mërzinë time. Nuk më kënaqte asgjë. Më dukej sikur çdo ëndërr e bukur kishte marrë fund dhe nuk do të arrija kurrë të kisha një marrëdhënie tjetër me T-në. 
T. më merrte vazhdimisht në telefon dhe më ftonte për të dalë bashkë me dashurën e tij. Edhe doja ta takoja, edhe nuk doja ta shihja me atë tjetrën. Megjithatë dilja me ta sepse dëshira për të qëndruar afër T-së ishte më e fortë se gjithçka tjetër. Nuk mund të jetoj pa T-në. Është njeriu më i rëndësishëm në jetën time. Prandaj dua ta ndaj nga e dashura. Unë e di që sado vajzë e mirë të jetë ajo, nuk është kurrë më e përshtatshme se unë për të qenë e dashura e tij. Unë jam shoqja e tij më e ngushtë që nga fëmijëria. Askush tjetër nuk e njeh më mirë se unë. Edhe unë meritoj të jem e lumtur me të vetmin djalë që kam dashur ndonjëherë. 

Jam përpjekur ta lë mënjanë mërzinë dhe të përpiqem ta bëj për vete T-në. Por, së pari, dua ta ndaj nga e dashura. E dua për vete sepse askush tjetër nuk mund ta dojë aq shumë sa e dua unë. Ndoshta do të më quani hipokrite, por po ju them se çdo gjë po e bëj në emër të dashurisë. E shikoj që edhe e dashura e tij ka një lloj xhelozie ndaj meje, edhe pse përpiqet ta fshehë. Ajo do të më bëjë shoqe sepse e di që unë jam njeriu më i afërt i T-së. Edhe unë jam afruar disi me të. Të them të drejtën dua ta njoh më mirë, t'i marr vesh pikat e dobëta dhe ta ndaj nga T. 
Kur më ka pyetur T. se çfarë mendimi kam për të, i kam thënë se çfarë nuk më ka pëlqyer. Për disa gjëra ai më ka dhënë të drejtë dhe mesa duket i ka kërkuar edhe asaj të ndryshojë. I kam thënë T-së se ai më duket shumë herë më i mirë sesa ajo. Ai e merr me të qeshura. Në fakt, unë e kam me të vërtetë. Ai është me të vërtetë më i mirë se ajo. Ajo është nga këto vajzat e përkëdhelura, që shet mend për gjithçka. Ndërsa T. është tip i thjeshtë, edhe pse në fakt duhej të ishte nga ata djem që kanë tangërllëk se ai i ka të gjitha cilësitë e mira. Me të vërtetë që nuk më duken çift shumë i përshtatshëm. 

Ju lutem mos më gjykoni sepse u tregova e sinqertë dhe hapa zemrën në faqet e kësaj gazete. Vendosuni veten në vendin tim dhe më jepni sugjerimet tuaja. Kam shumë vite që jam e dashuruar me T-në. Jam gati të bëj çdo gjë vetëm që të jetoj e lumtur me të. E ndiej se sikur të mos ishte kjo vajzë, marrëdhënia jonë do të kishte marrë një rrjedhë tjetër. Jam gati ta hap zemrën edhe me T-në, por kam një përshtypje se lidhja e tij me këtë vajzë do të më kthehet në pengesë. Prandaj dua që ta ndaj nga kjo vajzë, përpara se t'i shpreh ndjenjat. Ju lutem më jepni edhe ju mendimet tuaja, pa më paragjykuar. /Historia rrëfyer për Gazetën Paloma/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco