Këshillat dhe krenaria e një babai-legjendë, Foto Strakosha: Nuk e prisja …

Këshillat dhe krenaria e një babai-legjendë, Foto Strakosha: Nuk e prisja …

14:47, 24/03/2017

Pak gjëra kanë emocionuar Foto Strakoshën në jetën e tij sportive sa ndeshja e sotme mes Italisë dhe Shqipërisë. Legjenda e portës shqiptare ka ruajtur gjithmonë gjakftohtësinë kur ishte vetë në fushë, por emocionet janë të dukshme ndërsa flet për të birin, Thomasin, i cili sonte do të bëjë debutimin me fanellën kuqezi. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, ai tregon bisedat me të birin si dhe këshillat që i ka dhënë.

A e kishe pritur që Thomas të debutonte në një ndeshje të tillë me kombëtaren?

Të them të drejtën jo! Djali ka bërë paraqitje të mira dhe ka ecur në rrugën e duhur deri tani, por sigurisht që jam i kënaqur. Është emocion i madh dhe përgjegjësi shumë e madhe.

Çfarë këshille i keni dhënë djalit?

Shikoni, sa më shumë rriten fëmijët, aq më pak këshilla u japim! I kam thënë vetëm të ruajë qetësinë deri në fund, sepse është shumë e rëndësishme! Të mos ndikohet nga fakti që ka rivalë të mëdhenj para. Por ndërkohë ai është i ndërgjegjshëm për këtë. Thjesht i kam kërkuar të jetë sa më i qetë.

Do bëhet Thomasi më i zoti se sa Foto?

(qesh)… Nuk e di, por në moshën që ka dhe në nivelet që luan, babai i Thomasit këto gjëra nuk i kishte parë as në ëndërr…

Çfarë është më e rëndësishme për një portier?

Jetëgjatësia në nivele të larta! Thomasi ka cilësi dhe mbi të gjitha ka karakterin e duhur! I duhet të punojë shumë, por është në rrugën e duhur.

A të shqetëson fakti që Thomasi do ketë përpara një mbrojtje të arnuar, sepse mungojnë Mavraj dhe Gjimshiti?

Thomasi duhet të mendojë të bëjë mirë detyrat e tij! Kështu do u ndihmojë shumë shokët!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco