Lajmi i fundit

LIVE/ 15 vjet, Shqipëria në NATO - Flet Kryetari i PD, Sali Berisha

FOTO/ Lexo letrën e Ronaldinjos dhe kupto pse ai u bë një lojtar i madh

FOTO/ Lexo letrën e Ronaldinjos dhe kupto pse ai u bë një lojtar i madh

18:09, 17/01/2017

(Përktheu Elton Dono)

(Kjo është letra e Ronaldinho-s, futbollisti legjendar i Brazilit, shkruar vetes së tij në retrospektivë, në moshën 8-vjeçare)

Nesër, pasi të shkosh në shtëpi, pasi ke luajtur futboll, do të gjesh në shtëpi plot njerëz. Xhaxhallarët, të afërmit e familjes dhe njerëz të tjerë që nuk i njeh do të jenë në kuzhinë. Në fillim do të mendosh se je vonë për në festë. Të gjithë janë aty për të festuar ditëlindjen e 18-të të vëllait tënd, Robertos.

Zakonisht kur ti shkon në shtëpi, mamaja është duke qeshur ose duke bërë shaka nëpër shtëpi, por këtë herë ajo është duke qarë.

Dhe pastaj do të shohësh Roberton. Ai do të të përqafojë dhe do të të marrë brenda në banjë, që të jeni vetëm nga të tjerët. Pastaj do të të thotë diçka që ti nuk e kupton.

“Ndodhi një aksident. Babai iku. Vdiq”.

Por ti nuk e kupton. “Çfarë do të thotë kjo? Kur do të vijë përsëri? Si mund të ketë ikur babi”?

Babai ishte ai që të thoshte të luaje me fantazi në fushën e futbollit, ai që të thoshte të luaje me stil të lirë – thjesht të luaje me topin. Ai besonte te ti më shumë se të gjithë. Kur Roberto filloi të luante futboll profesional për Gremion vitin e kaluar, babai i tha gjithkujt: “Roberto është i mirë, por shikoni se po vjen vëllai i tij i vogël”.

Babai ishte një superhero. Ai e dashuronte futbollin kaq shumë, sa edhe pas pune në anije gjatë javës punonte oficer sigurie në stadiumin e Gremios në fundjavë. Si mund të mos e shihja më? Ti nuk e kupton çfarë po të thotë Roberto. Nuk do të ndjesh trishtim në atë moment menjëherë. Kjo do të vijë më vonë. Disa vjet prej tani, ti do ta pranosh faktin se babai nuk do të kthehet më kurrë në tokë. Por ajo çfarë dua të kuptosh është se çdo herë që ke një top në këmbë, babai do të jetë me ty.

Kur ke një top në këmbët e tua, ndihesh i lirë. Është thuajse si të jesh duke dëgjuar muzikë. Ajo ndjenjë do të të bëjë ty të shpërndash kënaqësi te të tjerët. Je me fat sepse ke Roberton. Edhe pse ai është 10 vjet më i madh dhe luan me Gremion, Roberto do të jetë atje për ty gjithmonë. Ai nuk do të jetë vetëm një vëlla për ty, ai do të bëhet një baba për ty. Dhe më shumë se kaq, do të jetë heroi yt.

Do të duash të luash si ai, do të duash të jesh si ai. Çdo mëngjes, kur shkon te Gremio, do të luash për të rinjtë, do të ecësh për në dhomat e zhveshjes me vëllain tënd të madh, yllin e futbollit. Dhe çdo natë, kur të shkosh në krevat, do të mendosh: “Po ndaj një dhomë me idhullin tim”.

Nuk ka postera në muret e dhomës që ndan me të, por vetëm një televizor të vogël. Kur nuk është duke udhëtuar për të luajtur ndeshje, Roberto të merr jashtë për të luajtur më shumë futboll.

Kur të jetosh në Porto Alegre, do të rrethohesh nga droga dhe banda përreth. Do të jetë e vështirë, por aq kohë sa ti luan futboll- në rrugë, në park, me qenin tënd, ti do të jesh i sigurt.

Po, thashë me qenin tënd, meqë ra fjala. Ai është një mbrojtës i palodhur.

Do të luash me Roberton. Do të luash me fëmijë të tjerë dhe djem më të mëdhenj në park. Gjithkush lodhet, por ti dëshiron të luash ende. Prandaj je i sigurt që e merr me vete përherë qenin tënd, Bombom. Ai është një qen i vërtetë brazilian. Edhe qentë në Brazil e dashurojnë futbollin. Ai do të jetë një praktikë perfekte për driblim dhe shtim aftësish… dhe ndoshta rastësia e parë me elasticitetin.

[robi 1]

Vite më pas, kur të jesh duke luajtur në Europë, disa mbrojtës do të të kujtojnë për Bombom-in.

Fëmijëria do të jetë shumë e ndryshme për ty. Në moshën 13 vjeç, njerëzit do të jenë duke folur për ty. Do të flasin për aftësitë e tua dhe se çfarë je i aftë të bësh me topin. Në këtë kohë, futbolli është thjesht një lojë për ty. Por në vitin 1994, kur të jesh 14 vjeç, Kupa e Botës do të të tregojë se futbolli është më tepër se një lojë e thjeshtë.

Më 17 qershor 1994, një ditë që çdo brazilian e mban mend. Në këtë ditë do të udhëtosh me të rinjtë e Gremios për një ndeshje në Belo Horizonte. Finalja e Kupës së Botës do të jepet në televizor dhe do të luhet mes Brazilit dhe Italisë.

Ne jemi në finale të Botërorit për herë të parë në 24 vjet. I gjithë vendi do të ndalë për pak çaste kur të luhet ndeshja.

Gjithandej në Belo Horizonte do të ketë flamuj brazilianë. Nuk do të ketë ngjyra të tjera përveç atyre të verdha dhe jeshile. Çdo cep në qytet do të jetë i mbushur me njerëz që ndjekin ndeshjen.

Ti do ta ndjekësh me shokët e skuadrës. Fërshëllima finale do të jetë 0-0 dhe ndeshja do të shkojë në gjuajtje penalltish.

Italia humb gjuajtjen e parë dhe Brazili gjithashtu. Pastaj Italia shënon. Romario shkon, gjuan, godet shtyllën dhe gol. Djemtë gëzojnë e bërtasin.

Italia shënon sërish dhe bie heshtja. Branco shënon për Brazilin. Taffarel bën një pritje për Brazilin. Dunga shënon.

Pastaj, momenti që jo vetëm do të ndryshojë jetën tënde, por jetën e miliona brazilianëve.

Baggio merr hov, gjuan dhe humbet penalltinë.

Brazili është zyrtarisht kampion bote.

Gjatë festimeve të çmendura bëhet edhe më e qartë për ty ajo se çfarë do për pjesën tjetër të jetës. Ti do të kuptosh më në fund se çfarë do të thotë futboll për brazilianët. Do të ndjesh fuqinë e këtij sporti. Dhe më e rëndësishmja do të shohësh gëzimin që u fal futbolli njerëzve të zakonshëm.

“Do të luaj për Brazilin”,- do t’i thuash vetes atë ditë.

Jo gjithkush do të besojë te ti, sidomos me mënyrën se si ti luan. Do të jenë disa trajnerë, ok njëri në veçanti që do të të thotë të mos luash në mënyrën që ti di. Ai mendon se ti duhet të jesh më serioz, duhet të mos driblosh kaq shumë. “Nuk do t’ia dalësh kurrë në jetë si futbollist”,- do të të thotë ai. Përdori ato fjalë si motivim. Përdori që të jesh më i fokusuar. Dhe pastaj mendo lojtarët që e luajtën lojën me bukuri: Dener, Maradona, Ronaldo.

Kujto se çfarë të tha babai, të luash i lirë dhe thjesht të luash me topin. Luaj me kënaqësi. Kjo është një gjë që shumë trajnerë nuk do ta kuptojnë, por kur ti je në fushë, nuk do të bësh kurrë llogari. Çdo gjë do të vijë natyrshëm. Përpara se të kesh kohë të mendosh, këmbët e tua e kanë marrë vendimin tashmë.

Kreativiteti do të mbizotërojë mbi llogaritjen.

Një ditë, shumë muaj pasi ti të shohësh Romarion duke ngritur lart Kupën e Botës të 1994-s, trajneri yt do të të thërrasë në zyrë pas trajnimit. Do të të thotë se je thirrur në ekipet e moshave nën 17 vjeç. Kur të shkosh në fushën e trajnimit në Teresopolis do të shohësh diçka që nuk do ta harrosh kurrë: Kur ecën në kafene, shikon fotot në mure të Pele-s, Zico-s, Bebeto-s.

Ti do të ecësh në ato korridore si legjendat. Do të ulesh në të njëjtat karrige në kafene si Romario, Ronaldo e Rivaldo. Do të hash të njëjtin ushqim si ata. Do të flesh në të njëjtat dhoma ku ata flenë. Kur të shkosh për të fjetur, mendimi yt i fundit do të jetë: “Jam kurioz të di se cili nga heronjtë e mi ka fjetur në këtë jastëk”.

Në 4 vitet e ardhshme nuk do të bësh asgjë tjetër veçse do të luash futboll. Do ta kalosh jetën në autobusë dhe fusha trajnimi. Në fakt, nga 1995-a në 2003-shin, nuk do të marrësh kurrë pushime. Do të jetë shumë intensive.

[2003]

Por kur të bëhesh 18 vjeç do të fitosh diçka për të cilën babai yt do të ndihej krenar. Do të bësh debutimin për ekipin e të rriturve të Gremios. E vetmja pjesë e trishtueshme është se Roberto nuk do të jetë atje. Një dëmtim në gju do të shkurtojë kohën e tij te Gremio dhe ai do të shkojë në Zvicër për të luajtur. Nuk do ta ndash fushën me heroin tënd, por ti e di se ke kaluar shumë vite me heroin tënd dhe ti do të dish çfarë do të bësh dhe si do të veprosh.

Në ditët e ndeshjeve do të ecësh përgjatë parkut të makinave ku punonte babai gjatë fundjavave. Do të hysh në dhomat e zhveshjes ku vëllai yt të merrte kur ishe fëmijë. Do të veshësh fanellën blu-zi të Gremios. Do të mendosh: “Jeta nuk mund të jetë më e mirë se kaq”. Do të mendosh se më në fund ia dole të luash për ekipin e qytetit tënd. Por ky nuk është fundi i historisë tënde.

Vitin tjetër do të luash ndeshjen e parë me Kombëtaren e Brazilit. Një situatë qesharake do të të ndodhë. Do të dalësh në stërvitje një ditë me vonesë në kampin stërvitor në krahasim me shokët e tu, sepse do të luash finalen me Gremion kundër Internacionalit.

Me Internacionalin do të luajë kapiteni i ekipit të Brazilit që fitoi Kampionatin Botëror të vitit 1994, Dunga. Do të luash shumë mirë në këtë ndeshje. Prandaj kur të arrish në fushën e lojës me Brazilin, shokët e tu të rinj të skuadrës – djemtë që i pe nga televizori në 1994-n, do të flasin për një lojtar: djalin e vogël me numrin 10 në fanellë.

Do të flasin për ty.

Do të flasin se si ti driblove Dungën. Do të flasin për golin tënd që i dha fitoren ekipit. Por mos u bëj mendjemadh, sepse nuk do ta kesh të lehtë. Ky do të jetë momenti më i rëndësishëm i jetës tënde. Kur të arrish në këtë nivel, njerëzit do të presin shumë prej teje.

A do të luash në të njëjtën mënyrë siç ke bërë deri sot?

Apo do të fillosh llogaritë për lojën?

E vetmja këshillë që të jap është: Bëje sipas mënyrës tënde. Ji i lirë. Dëgjo muzikë. Kjo është e vetmja mënyrë për ty për të jetuar jetën.

Të luash për Brazilin do të të ndryshojë jetën. Papritur, dyert që nuk i mendoje se mund të hapeshin fillojnë të hapen.

Do të fillosh të mendosh për të luajtur në Europë, ku shumë prej heronjve të tu shkuan për të provuar veten. Ronaldo do të të tregojë për jetën në Barcelona. Do të shohësh trofetë e tij, Topin e tij të Artë, trofetë e klubeve. Papritur, edhe ti do të dëshirosh të krijosh histori gjithashtu. Do të fillosh të ëndërrosh përtej Gremios. Në vitin 2001 do të firmosësh për Paris st Germain.

Si mund t’ia them një fëmije të lindur në një shtëpi druri se si do të jetë jeta në Europë? Është e pamundur. Ti nuk do ta kuptosh edhe nëse ta them. Nga koha kur braktis Parisin, pastaj Barcelona, më tej Milan, gjithçka do të shkojë shumë shpejt. Disa media në Europë nuk do ta kuptojnë mënyrën tënde të të luajturit. Nuk do ta kuptojnë se pse je gjatë gjithë kohës duke qeshur.

Pra, ti po qesh sepse futbolli është kënaqësi. Pse duhet të jesh serioz? Arritja jote është të shpërndash kënaqësi. Do ta përsëris: Krijim e fantazi përballë llogaritjeve.

Qëndro i lirë dhe do të fitosh një Kupë Bote për Brazilin.

Qëndro i lirë dhe do të fitosh Champions League, La Liga dhe Serie A.

Qëndro i lirë dhe do të fitosh një Top të Artë.

 

Ajo për të cilën do të jesh më tepër krenar është se do të ndihmosh të ndryshosh futbollin te Barcelona me mënyrën tënde  të të luajturit. Kur të arrish atje, Real Madrid do të jetë superfuqia në Spanjë. Në kohën kur do të lësh klubin, fëmijët do të jenë duke ëndërruar stilin e klubit të Barcelonës.

Më dëgjo mua. Roli yt do të jetë shumë më i madh sesa ajo që bën në fushë.

Te Barcelona do të dëgjosh për një djalosh te skuadra e të rinjve. Ai vesh fanellën me numrin 10, njësoj si ti. Është i vogël si ti. Luan me topin njësoj si ti. Ti dhe shokët e tu do të shkoni ta shikoni atë duke luajtur për ekipin e të rinjve dhe do e kuptosh se ai do të jetë një lojtar i madh. Ai është Leo Messi.

Do t’u thuash trajnerëve ta sjellin atë të luajë me ekipin e të rriturve. Kur të vijë, lojtarët e Barcelonës do të jenë duke folur për të, njësoj siç bënin dikur lojtarët e Brazilit për ty.

Dua që t’i japësh atij një këshillë.

Thuaji: “Luaj me gëzim. Luaj i lirë. Thjesht luaj me topin”.

Edhe kur të kesh ikur, loja e stilit të lirë te Barcelona do të jetojë përmes Messi-t.

Shumë gjëra do të ndodhin në jetën tënde, të mira dhe të këqija. Por gjithçka që ndodh do t’ia detyrosh futbollit. Kur njerëzit pyesin për stilin tënd ose se pse buzëqesh pasi humbet një ndeshje, dua të mendoni për një kujtim.

Kur babai yt braktis këtë jetë nuk do të kesh më filma me të. Familja jote nuk ka shumë para, prandaj prindërit e tu nuk kanë një videokamera. Nuk do të mundesh të dëgjosh zërin e babait tënd ose ta dëgjosh atë të qeshë sërish.

Por mes cilësive të tij është diçka të cilën do ta kujtosh gjithmonë.

Është një foto e jotja me të duke luajtur futboll bashkë. Ti je duke qeshur, i gëzuar – me top në këmbë. Ai është i lumtur duke të parë ty.

Kur paraja vjen – dhe presioni e kritikat – thjesht qëndro i lirë.

Luaj siç të tha ai të luash!

Luaj me topin!

Ronaldinho.

[ronaldinoooo] Blitz.al

    © SYRI.net

    Lexo edhe:

    Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

    Komentet

    Shto koment

    Denonco