Lajmi i fundit

LIVE/ PD, aktivitet për 15-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO

Pasi dështoi në kapjen e FSHF-së, Rama sulmon Dukën

Pasi dështoi në kapjen e FSHF-së, Rama sulmon Dukën

15:12, 17/02/2018

Drejtori i përgjithshëm i Partizanit, Olsi Rama, ka dalë sot në një konferencë për shtyp, ku ka analizuar situatën te të tijtë, por ka folur edhe mbi dënimin e dy titullarëve të kuq nga Komisioni i Disiplinës: “Duke marrë shkas nga një shkresë, që ka ardhur nga federata, më saktë nga Komisioni i Disiplinës, për një dënim ndaj dy lojtarëve tanë kryesorë, kapitenit Batha dhe Trashit, erdha këtu në konferencë për shtyp, që t’i jap kohë Dalipit të përgatitet, sepse ka shumë për të bërë me skuadrën. Nuk kam një kapele magjistari për t’i thënë shpik se çfarë do të bësh në ndeshjen e radhës. Duke marrë mirëkuptimin tuaj, ta lëmë Dalipin të shkojë e t’i përvishet punës bashkë me futbollistët, me stafin teknik, sepse kjo nuk është më një çështje sportive, tekniko-taktike, por që shkon pak më tej se sa vlerat që Partizani përpiqet t’i shprehë në fushën e lojës. Për mua, Dalipi më mirë të shkojë e të mendojë bashkë me stafin se çfarë do të bëhet gjatë këtyre dy ditëve, për të qenë të përgatitur për sfidën me Kukësin”.

Dënimi me dy standarte i futbollistëve është deri diku i çuditshëm. A mendoni se është njëlloj hakmarrjeje për faktin se Partizani u pozicionua kundër Dukës në zgjedhjet e fundit?

 Akoma duhet ta kuptoj, të mësoj arsyet dhe shkaqet e këtij dënimi, që jepet dy ditë përpara ndeshjes. Mesa kemi arritur të komunikojmë, ka të bëjë me një episod pas ndeshjes. Kemi pasur gjatë kampionatit njëanshmëri të theksuar të vendimeve në disfavor të Partizanit. Unë mendoj se jetojmë në një vend demokratik, ku të gjithë kanë të drejtën e tyre të shprehin preferencat në raport me vendimmarrjen, për arsye se FSHF-ja organizon Superligën dhe ka shumë vendime në dorë në raport me mbarëvajtjen e kompeticionit. Partizani ka mbajtur një qëndrim shumë korrekt deri tani, pavarësisht pasojave që ka vuajtur. Duhet të kuptohet një gjë dhe s’duhet ngatërruar në asnjë moment: ky është një kompeticion sportiv, por edhe një kompeticion, në të cilin harxhohet një shumë e konsiderueshme parash për të arritur rezultate dhe tituj. Pra, është një dëm ekonomik që i bëhet klubit në të gjitha drejtimet, në një situatë të disfavorshme për futbollin shqiptar, duke pasur parasysh raportin e inspektorëve të UEFA-s në lidhje me Skënderbeun. Ne përballemi me një realitet që përsëri tenton të falsifikojë kampionatin. Kjo është e papranueshme nga ana jonë. E kemi treguar me shembuj se si klub respektojmë të gjitha standartet, jemi tërësisht të interesuar për displinën dhe mbarëvajtjen e gjithçkaje brenda nesh dhe në fushën e lojës. Ne e kërkojmë suksesin përmes disiplinës dhe rezultateve. Kampionati është një shfaqje sportive dhe si e tillë duhet konsideruar. Nuk marrim të njëjtën monedhë në kthim. Unë kam të drejtë të mendoj që një dënim i dhënë përpara dy ndeshjeve tona më të rëndësishme, me Kukësin dhe Skënderbeun, ka ndonjë prapaskenë, sepse sfidat në fjalë janë shumë të rëndësishme për mbarëvajtjen e sezonit tonë.

Pra, ju mendoni se ka një favorizim indirekt të kundërshtarëve?

Nuk dua t’i hyj kaq thellë një analize të tillë, por më vjen mirë që ju gazetarët jeni kaq të vëmendëshëm t’i kapni edhe këto nuanca. Në ndeshjen me Kukësin nuk do të kemi edhe Prognin, për arsye kartonësh, Telushin për një dëmtim në gju, ndërsa tani kemi të bëjmë edhe me mungesën e dy titullarëve të tjerë. Ne jemi përgatitur që ekipin ta kemi kompetitiv me të gjithë lojtarët që marrin pjesë. Edhe unë jam shumë i bindur se lojtarët, që nuk u është dhënë mundësia deri tani, do të japin maksimumin. Partizani do të jetë ai që keni parë, se si ka ndryshuar në ndeshjet e fundit. Çështja është se kjo tentativë e pengon punën tonë.

A do të apelohet ky vendim i Disiplinës në mënyrë zyrtare?

Ja, po e kontestoj unë këtë vendimin e federatës, çfarë fitova. Zyrtarisht është një dënim prej dy ndeshjesh i futbollistëve tanë, i paapelueshëm. E vetmja gjë që mund të bëjmë është ta konvertojmë gjysmën e dënimit, duke shlyer faturën financiare, dhe Trashin e Bathën t’i kemi për sfidën ndaj Skënderbeut. Për Kukësin është e pamundur. Unë nuk besoj se lojtarët tanë kanë gabuar deri në atë pikë sa mendon federata. Kam marrë informacione edhe pas ndeshjes së fundit se gjyqtari anësor ka ofenduar në mënyrë të vazhdueshme Trashin dhe Bathën. Kjo ka ndodhur pas ndeshjes. Të gjithë e panë që pati një konflikt, kur Trashi mori kartonin e verdhë, sepse kontestoi një vendim të arbitrit. Unë nuk jam dakord që të kundërshtohen vendimet e arbitrit në fushë, çështja është që lojtarët ndiejnë presionin dhe situatën në të cilën janë, ku sulmohen në fushën e lojës jo vetëm nga kundërshtarët. Pa dashur që t’i justifikoj, sjellja e gjyqtarit anësor është e patolerueshme. Ai i ka ofenduar në mënyrë të vazhdueshme.

Pse nuk e konvertoni edhe gjysmën e dënimit të Starovës me faturë financiare?

Starova është dënuar 8 javë. Ne menduam të mos e bëjmë këtë, sepse në rolin e trajnerit në fushë dhe drejtuesit të skuadrës, veprimi i tij në të dyja ndeshjet është i patolerueshëm. Ne e dimë situatën ku jemi, ndaj veprimet e tij nxitin gjëra të padëshirueshme edhe te lojtarët në fushë. Deri tani jemi të kënaqur me drejtimin e Dalipit në stol. Starova jep kontributin e vet. Po punojnë shumë mirë si staf për të dhënë ato mesazhe që duhet të marrin lojtarët. Të përqendrohemi te situata në fushë, sepse aty duhet të shpikim diçka, se çdo të bëjmë në ndeshjen e radhës.

A vazhdoni të keni një çështje të hapur për titullin e hequr Skënderbeut nga Etika?

Në radhë të parë, më lejoni ta shpreh se ndiej keqardhje për dënimin e kërkuar nga UEFA, sepse shkon në dëm të futbollit shqiptar. Eshtë një pasqyrim i shëmtuar i futbollit tonë në arenën ndërkombëtare. Fatkeqësisht, kjo është pasqyra e futbollit tonë. Megjithatë, unë ndoqa këtë listën e ndeshjeve të dyshuara për të trukuara nga Skënderbeu, që ishin investiguar nga ekspertët e UEFA-s, dhe nuk e pashë askund emrin e Partizanit. Ne jemi klubi model në këtë drejtim, sepse luajmë me rregullat e lojës. Këto rregulla prishen nga faktorët e tretë, pastaj. Çështja e titullit është një kapitull i hapur për ne. Mendojmë se përpos përfitimeve financiare të Skënderbeut në kurriz të kampionatit dhe kundërshtarit, ne e kemi me meritë atë titull. Që në fillim federata duhet të kishte marrë një vendim të drejtë. Ajo ka aplikuar gabimisht, mbase edhe qëllimisht, duke i hequr titullin Skënderbeut, por vetëm 12 pikë në sezonin pasardhës, minimalen. 12 pikë është dënimi minimal që jepet në rastin e trukimeve. Në rast se do të aplikohej rregullorja, këto 12 pikë duhej t’i ishin hequr nga kampionati i trukuar dhe automatikisht, Partizani renditej i pari dhe dilte kampion. Arseyja pse janë hequr pikët në kampionatin pasardhës, që nuk kanë ndikuar në të, nuk e shpjegoj dot. Ky është aplikim i një rregulloreje sipas standarteve alla federatë.

A mendoni se vetëm Skënderbeu trukon në kampionatin shqiptar?

Më lejoni të bëj një parantezë. Unë uroj që një pjesë e madhe e atyre që thuhen të mos jenë të vërteta. Këto janë investigime, UEFA punon shumë ngushtë me të gjithë ekspertët e Federbetit, i ndjekin dhe i monitorojnë ndeshjet. Shpresoj të mos jetë ajo pasqyra. Në këto pak muaj që jam pjesë aktive e futbollit në Shqipëri, vë re mangësi të shumta në aspektin e profesionalizmit dhe të trajtimit të çështjeve edhe nga ana e federatës. Vërej dënime të çuditshme në raport me klubin e Partizanit, që aplikohen me dy standate në raport me klubet e tjera. Kjo reflektohet edhe në gjykim. Ju vetë e keni parë që na janë mohuar gola të rregullt, na janë dhënë penallti kundër. Ne kemi luajtur ndeshjen ditën mbas Tiranës në një terren të rënduar ndaj Laçit, që praktikisht është në limitet e tolerancës. Ne e bëjmë këtë me dëshirën e mirë për të mos u bërë bisht detyrimeve si klub, por federata e di shumë mirë që kemi një akord për stadiumin, ndaj ndeshjet e Tiranës dhe Partizanit nuk duhet të vendosen në një ditë. Ne vihemi para faktit të kryer, që duhet të luajmë ditën e shtunë. Përgjigjia e federatës është: zgjidheni ju me Tiranën. Pra, ne duhet të hyjmë edhe në konflikt me Tiranën dhe pastaj të luajmë të nesërmen në një terren të rënduar. Në rastin më dashamirës, këto sjellje të federatës janë mungesë profesionalizmi i theksuar. Në rastin më të keq, nxirreni vetë përfundimin.

Çështja e tifozëve a është zgjidhur? Po objektivi “Europë”, a e shpëton sezonin?

Ne jemi vetëm një pikë larg zonës së “Europa League”. Jemi këtu ku jemi dhe nuk po them se është një sezon i suksesshëm i Partizanit. Eshtë fillesa e ndërtimit të diçkaje, që po përpiqemi ta bëjmë sa më afatgjatë. Ajo që më intereson është se skuadra po kthehet te loja e mirë. Këtë e tregoi edhe në sfidën e fundit ndaj Flamurtarit. Problemi i tifozëve? Vetë jam munduar që ta adresoj, sepse e shoh të papranueshme që shkallët e stadiumit janë bosh. E kam thënë se stadiumet janë boshatisur, ngaqë tifozët nuk kanë besim te sistemi i futbollit tonë. Në momentin që ata nuk kanë besim te sistemi, nuk duan të merren në lojë nga rezultatet e fabrikuara në fushë. Ky është problemi më i madh. Ne kemi tifozëri të zjarrtë, që dëshiron ta mbështesë gjithnjë Partizanin, ndaj po përpiqemi t’u japim atë ekip që meritojnë. Në gjithë këtë polemikë me policinë nuk kemi pasur në asnjë moment mbështetjen e federatës. Mbase kanë qenë të zënë me zgjedhjet. Kanë marrë përsipër mbarëvajtjen e kampionatit dhe janë ata përgjegjësit kryesorë në këtë aspekt. Ne po mundohemi të gjejmë gjuhën e përbashkët me grupimin e tifozëve dhe policinë, në mënyrë që ata të kthehen dhe të mbështesin skuadrën.

A jeni i kënaqur me merkaton e janarit?

Jam i kënaqur me mbarëvajtjen e ekipit, me seriozitetin në stërvitje, me cilësitë individuale të lojtarëve. I kam lënë në dorë të stafit teknik që t’i përgatisin, t’i bëjnë pjesë të ekipit. Do të shihni që edhe lojtarët e aktivizuar pak do të japin kontributin e tyre.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Yp xhixhi17/02/2018 17:53

Nje here nje kohe kur luante Partizani kunder nje ekipi tjeter,Beqir Balluku bente nje telefon albitrit dhe 20 e ca kampoonate fitoheshin me ushtare qe mesonin si te luhej futbolli.Kur luanin kunder Dinamos, nje here e merrte albitrin ne telefon Beqir Balluku(rahmet paste) dhe nje here e merrte Ficor Shehu. Cte bente albitri i shkrete? Tani nuk e marrin albitrin ne telefon por bejne konferenca per shtyp pasi I cojne ndonje rrugac ti beje presion.

Shkodran17/02/2018 15:31

Njeri vlla ska shkopin magjik,tjetri ska kapelen magjike. Nje mut jan te dy.

Shto koment

Denonco