Shitën ndeshjen? Katër gola për 10 minuta, shikoni koefiçentët e basteve gjatë 'teatrit' në Fier

Shitën ndeshjen? Katër gola për 10 minuta, shikoni koefiçentët e basteve gjatë 'teatrit' në Fier

13:11, 13/02/2018

Faksimile e koeficientëve të kompanisë “188bet” për ndeshjen e djeshme Apolonia-Turbina.

Në të shihet se është minuta e 50-të dhe rezultati ishte 1-0 për Apoloninë. Dhe koeficienti për shënimin edhe të tre golave të tjerë ishte vetëm 1.63. Një vlerë shumë e ulët.

Ja denoncimi i bërë nga 'Panorama Sport':

    Çfarë ndodhi?

    Ka ditë që shtypi i shkruar në Shqipëri e thotë, edhe hapur fare: Ndeshjet e shtyra në Kategorinë e Parë, me synimin për t’u luajtur nga e hëna deri të mërkurën, ka një prapaskenë shumë shqetësuese, trukimet. Dje në Fier ndodhi ajo që e prisnim pak a shumë të gjithë: Apolonia fitoi 5-1, 4 gola u shënuan pas minutës së 80-të, Apolonia para pak javësh shiti sulmuesin e saj më të mirë dhe golashënuesi më i mirë në ekip para ndeshjes së djeshme me zor i kishte shënuar 3 gola. Vetëm 23 gola në 14 ndeshje kishte shënuar Apolonia deri tani, sulmuesi i tretë më i mirë i grupit B, por sigurisht jo i tillë që ndeshja e djeshme të kthehej në ndonjë Skënderbeu-Mamurrasi në kupë.

    KUOTAT E FRIKSHME – Dy orë para ndeshjes, në tregun ndërkombëtar të basteve, Azi e Europë, u shfaqën kuotat që shihnin favorite Apoloninë, në një sfidë ku priteshin gola. Gjithsesi, fillimisht kuotat ishin normale, por me kalimin e kohës paratë e hedhura pro Apolonisë, fitores me 3 gola diferencë dhe që do shënoheshin 4 gola e lart u shtuan aq shumë, saqë kompanitë e basteve ulën ndjeshëm kuotat dhe ndryshuan edhe linjat aziatike basteve. Gjithçka për të frenuar humbjet, pasi u pa qartë që pa nisur ndeshja: Apolonia do të fitonte me disa gola diferencë dhe do të shënoheshin të paktën 4 gola në ndeshje. Edhe pas rezultatit 1-0, edhe në pushim të ndeshjes, kuotat nuk lëviznin, ndërsa afrikani Ejo i Turbinës pas një ore loje shënoi pa dashje, ndoshta nuk i tha askush gjë. Për pasojë, duheshin edhe nja 3-4 gola të tjerë nga Apolonia. Përfundimin e dini, 4 gola pas minutës së 80-të.

    RASTËSI? – Nuk po akuzojmë as Apoloninë e as Turbinën, hetimin ka për detyrë ta bëjë FSHF-ja dhe organet e saj. Në të shkuarën janë dhënë ca vendime qesharake, janë dënuar disa portierë, është dënuar edhe Ilion Lika për një ndeshje ku nuk ishte as në stol, ndaj nëse bëhet fjalë për të vepruar, duhet kapur më thellë problemi. Këto ndeshje, luajtur të hënën, me kuota të tilla skandaloze, me Apoloninë që edhe në minutën e 79-të kuotohet 1.15, sikur Barcelona të kishte zbritur në Fier, tregojnë që ka pasur trukim, e thënë troç. Kush nuk e sheh, ose nuk merr vesh fare nga futbolli dhe bastet, ose nuk dëshiron të marrë vesh, sepse ashtu i leverdis.

    © SYRI.net

    Lexo edhe:

    Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

    Komentet

    Shto koment

    Denonco