Intervista/ Hysaj flet për 50 milion euro të klauzolës dhe për...

Intervista/ Hysaj flet për 50 milion euro të klauzolës dhe për...

20:46, 16/01/2018

Mbrojtësi shkodran i Kombëtares shqiptare, Elseid Hysaj, shkoi te Napoli kur ishte vetëm 21 vjeç, si një nga përforcimet e kërkuara me ngulm nga trajneri atëherë i sapoemëruar, Maurizio Sarri.

Aktualisht Hysaj luan sezonin e tretë me napolitanët, ndërsa është shndërruar në një nga pikat më të forta të formacionit që kryeson Serie A.

Kjo konfirmohet edhe nga klauzola e vendosur për prishjen e kontratës me të, që është plot 50 milionë euro.

Në një intervistë të dhënë për mediat italiane, mbrojtësi shkodran rrëfen aventurën e tij te Napoli dhe objektivat e skuadrës për këtë sezon.

Elseid, cila është forca e këtij grupi?

Mbi të gjitha është puna që po bëhet. Unë dhe shokët e mi jemi të përulur dhe të gjithë bashkë punojmë për një objektiv.

Nga lind ky besim për të arritur deri në fund të kampionatit me këto ritme?

Nga fakti që prej 3 vitesh jemi të gjithë bashkë dhe kemi vënë në jetë një program. Puna e bërë na jep besim se mund të luajmë me të gjithë dhe kundër të gjithëve, pavarësisht forcës që kanë kundërshtarët.

Sa i rëndësishëm është trajneri Sarri në këtë rrugëtim që po bën Napoli?

Është më i rëndësishmi. Ai na bëri të besonim se ishim të fortë. Shihet edhe nga jashtë që ne luajmë kaq mirë, për shkak të kualitetit që na solli në skuadër Sarri. Është mjeshtër i futbollit dhe na përmirësoi, si në mbrojtje, ashtu edhe në sulm.

Shumë thonë që Napoli luan bukur, por nuk ngre trofe…

Është e vërtetë që luajmë mirë dhe nuk kemi fituar, por s’është e thënë që të ndodhë edhe në të ardhmen. Duhet të jemi të përulur për të kërkuar të përmirësohemi.

E prisnit që do të ishit të parët në renditje kur nisët kampionatin?

Fakti që jemi në krye, do të thotë diçka. Jemi përmirësuar shumë në krahasim me vitin e kaluar, por edhe kundër skuadrave të vogla. E nisëm sezonin shumë shpejt, që në eliminatore me Nicën. Sforcot kanë qenë të shumta, por duhet të vazhdojmë kështu.

Mendoni që Juventusi është më i fortë se Napoli?

Për momentin jemi ne të parët, por gjithmonë dihet që Juventusi është dhe do të jetë ekip shumë i fortë. Duhet të mendojmë vetëm për skuadrën tonë dhe të fitojmë ndeshje pas ndeshjeje.

Vërtet nuk mund ta thoni fjalën titull?

Është shumë shpejt për të folur për të. Mungojnë shumë ndeshje dhe më e mira është që të mendojmë për ndeshjen e ardhshme. Mund të ndryshojnë shumë gjëra, por ëndrra duhet të mbetet.

Sa ndikim negativ pati eliminimi nga Championsi?

Ishte moment i shëmtuar, por luajtëm në një kompeticion të bukur. Pastaj, kur heq dorë nga një kompeticion, mendon për të fituar diçka në kampionat. Europa Ligë nuk besoj se do të na shpenzojë energji më shumë, por duhet të luajmë për të shkuar deri në fund.

Është e vështirë të luash në krahun e majtë?

Shumë, por më duhet të bëj atë që thotë trajneri. Është e vërtetë që në rolin tim jap më të mirën.

Ju erdhët shumë shpejt te Napoli dhe në moshë të re treguat se jeni i aftë për një ekip të madh. E prisnit?

Është e vërtetë. Më dukej vetja si ekspert. Kam luajtur shumë shpejt në Serinë B dhe në A. Në ndryshim nga tri vitet e mëparshme ka ndryshuar mentaliteti dhe fakti që luaj te Napoli më ka rritur.

Ndeshja e radhës është kundër Atalantës, e cila u eliminoi nga Kupa…

Është një ekip që të hap shumë punë. Duhet të kuptojmë gabimet që bëmë në atë ndeshje për t’i limituar kundërshtarët. Duhet të luajmë vetëm për fitore.

Është një motiv më shumë për ju klauzola 50 milionë euro?

Është një vlerësim që kanë bërë drejtuesit. Nuk e vendos unë çmimin. Duken shumë, por duke parë zhvillimet në futbollin e sotëm… Duhet të mendoj të luaj mirë, pastaj të shoh nëse vjen ndonjë ofertë.

Do të ishit gati të qëndronit përjetësisht te Napoli?

Sigurisht. E kam menduar edhe këtë. Jetohet mirë dhe është qytet i madh.

Pse zgjodhët numrin 23 këtë sezon?

Në fakt, ky ka qenë numri im gjithmonë. Por kur erdha te Napoli e mbante Gabiadini. Kur ai u largua, e mora unë.

Si jetohet në Napoli? Gatuhet mirë?

Është qytet fantastik. Edhe ushqimet janë të mira. Kur erdha në fillim, rrezikova të shtoja peshë sepse më pëlqenin shumë. Fatmirësisht u tregova i kontrolluar.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco