Zbardhen diskutimet/ Mbledhje dhe pajtimit, te Kukësi premtojnë kthesën

Zbardhen diskutimet/ Mbledhje dhe pajtimit, te Kukësi premtojnë kthesën

10:40, 12/12/2017

Kukësi humbi një takim, të cilin duhet ta fitonte me çdo kusht dhe kjo solli mjaft tension në skuadër. Presidenti Safet Gjici thirri urgjent trajnerin të shtunën pas ndeshjes dhe nga biseda që palët patën, Milinkoviç u rikonfirmua. Pritej që me lojtarët të bëhej një mbledhje gjatë së dielës, por ajo u shty për të hënën, në orën 10:00. Për afro dy orë, në prani të stafit teknik dhe lojtarëve, kreu i klubit ka diskutuar për atë që nuk shkon në ekip.

Nga sa mësohet, Gjici ishte me tone të zbutura këtë herë. Megjithatë, ai kërkoi arsyet pse ekipi humbi në shtëpi me skuadrën e vendit të fundit, Lushnjën, duke e quajtur një turp atë që ndodhi. Gjici iu bëri me dije lojtarëve se është faji i tyre kjo humbje dhe jo e trajnerit, kështu që secili duhet të ndjekë Milinkoviçin dhe t’i bindet atij.

Duket se humbja e Skënderbeut ka qetësuar disi presidentin. Ai nuk harroi t’iu kujtonte lojtarëve se ka bërë çdo gjë për ta duke qenë korrekt me pagesat, si dhe kushtet e krijuara për t’u ndierë i qetë. Pas mbledhjes, klubi doli me një komunikatë në faqen zyrtare në internet.

“Në këtë mbledhje u diskutua në lidhje me takimin e ditës së shtunë, ku ekipi humbi ndaj Lushnjës duke lënë 3 pikë shumë të vlefshme që ishin mundësia për t’iu afruar kreut. Presidenti Gjici ka kërkuar nga lojtarët dhe stafi arsyen që çuan në këtë humbje që Kukësi se kishte pësuar që nga viti 2012. Trajneri Milinkoviç, në fjalën e tij, theksoi që mban përgjegjësi për këtë paraqitje dhe do të analizojë me kujdes çdo mangësi, në mënyrë që mos përsëritet.

Edhe lojtarët diskutuan me përgjegjësi për gjendjen në të cilën ndodhen, duke u zotuar se gjithçka do të ndryshojë në dy ndeshjet në vazhdim. Objektiv i padiskutueshëm është marrja e tri pikëve në Durrës këtë të diel. Në ditët në vazhdim, stafi teknik do të analizojë të gjitha gabimet që çuan në humbje ndaj Lushnjës, si dhe marrjen e masave për ndeshjet në vazhdim.

Gara vazhdon dhe asgjë nuk ka përfunduar. Ekipi do të bëjë më të mirën për të arritur objektivin kryesor, fitimin e kampionatit”, citohej dje në komunikatën e klubit kampion në fuqi për mbledhjen.

HALILI BËN PAQE ME MILINKOVIÇIN

Në këtë situatë që ndodhet Kukësi kërkohet bashkim dhe jo përçarje. Dje presidenti Safet Gjici bëri një lëvizje surprizuese duke befasuar lojtarët. Teksa ekipi priste që pas debatit të menaxherit Naim Halili dhe trajnerit Mlladen Milinkoviç të ndodhte krisja e madhe, dje u vërtetua e kundërta.

Kreu i klubit ka thirrur të besuarin e tij dhe e ka bindur që ai të mos largohet dhe t’i qëndrojë pranë ekipit, duke bërë paqe edhe me trajnerin Milinkoviç. Halili do të bashkëpunojnë me serbin për merkaton në gjysmën e dytë të sezonit.

Gjici uli “gjakrat” dhe thirri në mbledhje edhe Halilin, duke bërë një lëvizje që mendohet se do të shërbejë pozitivisht. Tashmë mbetet për t’u parë nëse kthesa e Kukësit do të nisë nga transferta e së dielës në Durrës kundër Teutës, aty ku në fakt kampionët në fuqi kanë fituar disa herë./ panorama

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco