Rikonstruktohet rruga e 'Oxhakut', gati shtyrja e murit të Shkollës së Bashkuar

Rikonstruktohet rruga e 'Oxhakut', gati shtyrja e murit të Shkollës së Bashkuar

12:51, 21/09/2017
A+ Aa A-

Dhjetë mijë banorët e zonës së “Oxhakut” në Njësinë 4 kanë një rrugë të re, me infrastrukturë nëntokësore, ndriçim dhe gjelbërim, rruga “Imer Ndregjoni”, ose siç njihet ndryshe rruga e “Oxhakut”, që lidh Njësinë 3 me rrugën kryesore të Njësisë 4.

Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj që e inspektoi sot tha se ky investim ka sjellë rritje të vlerës së pronës dhe bizneseve në zonë, ndërsa bëri të ditur se bashkia po studion situatën që këtij projekti t’i bëhen edhe ndërhyrje të tjera që mund t’i vinin në ndihmë banorëve. “Kemi një rritje të vlerës së biznesit sepse ka më shumë frekuentim, mjedisi është më i këndshëm. Jemi duke menduar edhe për të vendosur një treg apo një kënd lodrash, ose shtojca të tjera që mund t’i bëhen projektit, për ta bërë rrugën akoma më të mirë.

Veliaj tha se ky është vetëm një nga investimet e rëndësishme që bëhen në këtë zonë, pasi paralelisht po punohet edhe në rikonstruksionin e plotë të rrugës së “Dibrës”, për të cilën ai bëri të ditur se do të ndërhyhet edhe për zgjerimin e trotuareve për këmbësorët. “Është një rrugë që lidh dy njësi, 3 me 4, dhe besoj që me ndërhyrjen që do të bëjmë edhe në Rr. e “Dibrës” ku do të tërhiqet edhe muri i Shkollës së Bashkuar për ta bërë më funksional gjithë atë trotuar, pra pa hipur e zbritur disa herë shkallët, që të jetë i aksesueshëm nga të moshuarit, nga ata me aftësi të kufizuar, besoj që e gjithë lagjja konturohet”, u shpreh Veliaj.

Rruga “Imer Ndregjoni” ndodhet në territorin administrativ të Njësisë Nr. 4 dhe shërben si një aks lidhës me Njësinë nr. 3. Në këtë rrugë është punuar në lirimin e hapësirave të zëna, ndërtimin e trotuareve, ndërtimin e plotë të rrjetit të kanalizimeve, asfaltim, ndriçim, si dhe pajisjen me të gjithë sinjalistikën e nevojshme, çka sjellë rritjen e sigurisë së qytetarëve dhe të drejtuesve të automjeteve.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco