A do ta humbas Green Card-in nëse divorcohem në SHBA? Flet avokati

A do ta humbas Green Card-in nëse divorcohem në SHBA? Flet avokati

07:58, 19/08/2017
A+ Aa A-

Rubrika “Çeshtje të Emigracionit në SHBA” i jep mundësinë qytetarëve të qartësohen nga avokati Kieran Both për problemet e tyre.

Në një letër që na ka ardhur në zyrën tonë, një lexuese e Ilirisë na shkruan:

“Burri im po kërkon divorc. Unë kam green card të kushtëzuar dhe është koha për të aplikuar për green card të përhershme. Kam frikë se do të më deportojnë  dhe do të  më ndajnë nga fëmijët.  Çfarë mund të bëj? PD, Pennsilvani”

Mos u shqetësoni,  ju keni mundësi  të merrni green card  të përhershme. Fakti që keni fëmijë është një faktor i rëndësishëm që u favorizon. Gjithësesi, varet nga statusi i divorcit dhe marrëdhëniet që keni pasur me bashkëshortin tuaj.

Ju duhet të provoni se martesa juaj ishte  bazuar  në dashuri e mirëbesim.

Green card-a është e kushtëzuar kur martesa është  më pak se 2 vjeçe që nga  dita që iu është dhënë rezidenca e përhershme. Bashkëshortit apo bashkëshortes, i jepet statusi i rezidentit të kushtëzuar ditën kur ai/ajo/ është pranuar në mënyrë të ligjshme në Shtetet e Bashkuara . Statusi është i kushtëzuar, sepse, në rastin tonë, letërshkruesja duhet të dëshmojë se nuk u martua për të përfituar nga ligjet e emigracionit.

Kërkesa e përbashkët për të hequr kushtin e green card-ës.

Si rregull, kushti  hiqet kur të dy bashkëshortët bëjnë sëbashku kërkesën për heqjen e tij, dmth ju dhe bashkëshorti juaj amerikan duhet të aplikoni sëbashku për të hequr kushtin mbi statusin e rezidentit permanent, duke plotësuar formularin  I-751 (Petition to Remove Conditions on Residence) si provë për vazhdimin e martesës. Aplikimi duhet bërë brenda 90 ditëve para mbushjes së dy vjetorit të martesës. Data e skadimit  të statusit me kusht  është gjithashtu data e përvjetorit të dytë të martesës me shtetasin amerikan. Nëse  nuk aplikoni në kohë për të hequr kushtin e green card-ës , kjo mund të rezultojë në heqjen e  statusit tuaj dhe vënien në proces  deportimi nga Amerika. Ky është një dënim i madh për  mosaplikim brenda afatit. Rezidentes me kusht,  i bëhet i paligjshëm vazhdimi i qëndrimit në SHBA. Madje  ka rrezik që të përballohet më masën ndëshkimore për ndalim ri-hyrje në Amerikë nga 3 deri në 10 vjet pas deportimit, për shkak  mosaplikimi të Form I-751 (Petition to Remove Conditions on Residence).

Formalisht Emigracioni jep mundësi për aplikim të vonuar, nëse çifti vërteton  që kishin  arsye  të rëndësishme për vonesën, për  shkak të problemeve  në martesën e tyre. Nëse janë duke shkuar për konsultime, duhet të paraqesin evidenca për këtë. Edhe nëse nuk jetojnë së bashku ata duhet të deklarojnë që martesa u bë mbi bazën e dashurisë. Fëmija  është dëshmi e fortë për këtë.

Nëse jeni ende e martuar në kohën kur është bërë kërkesa për heqjen e kushtit të green card-es,(Form I-751) ju mund të paraqisni së bashku aplikimin. Shërbimi i Emigracionit dhe Shtetësisë (USCIS) mund të miratojë një peticion të përbashkët për “waiver” edhe nëse çifti nuk jeton më së bashku, nëse USCIS beson se marrëdhënia ishte reale që nga fillimi . Nëse i besoni bashkëshortit tuaj amerikan atëhere nuk do të keni problem në zgjatjen e statusit tuaj. Në se nuk i besoni burrit tuaj për t’ju ndihmuar gjatë procesit,atëhere kërkesa e përbashkët duhet të konvertohet në  rastin e një  “waver”.

Çfarë ndodh kur kërkesa  për heqjen e kushtit nuk është dorëzuar sëbashku me bashkëshortin ?

Nëse rezidentja me kusht nuk i mbush dot mendjen bashkëshortit të saj shtetas amerikan, të aplikojnë së bashku për heqjen e kushtit të green card-ës, ajo mund të aplikojë për “weaver”, dmth që t’i njihet e drejta për të aplikuar më vete për heqjen e kushtit  të green card-ës .

Si regull, kjo kërkesë bëhet në disa raste  të veçanta,  si:

-Martesa është normale bazuar mbi dashurinë dhe besimin reciprok, por shtetasi amerikan vdes gjatë periudhës kur bashkëshortja është ende  me green card  me kusht.

-Martesa ishte normale, por  ndërpritet nga divorci ose nga anullimi.

-Martesa ishte normale në fillim, por më pas bashkëshorti shtetas amerikan e keqtrajton gruan e tij (ushtron dhunë mbi të, e rreh).

-Krijohet gjendje shumë e vështirë për rezidenten  me kusht, nëse i ndërpritet statusi nga Shërbimi i Emigracionit. Atëhere asaj i nevojitet të aplikojë për ‘ waiver’ dmth që t’i njihet e drejta për të aplikuar më vete për heqjen e kushtit  të green card-ës , e jo si kërkesë e përbashkët  me bashkëshortin,( dmth pa kooperimin ) e tij.

Për t’u kualifikuar për këtë të drejtë, së pari aplikantja duhet të krijojë bindje tek Emigracioni që martesa në fillim ka qënë reale  dhe e bazuar mbi ndenja reciproke,  në mirëbesim dhe pa interes. Dmth nuk u bë për qëllim përfitimi statusi. Por  më pas erdhi duke degraduar. Përfaqsuesi i Emigracionit që do merret me këtë çështje duhet  të krijojë bindje se në  lidhjen e martesës  nuk ka patur mashtrim.

Kërkesa për ‘waiver’ nuk është e lehtë për t’u aprovuar. Situata e rëndë  dhe e jashtëzakonshme e palës që ka vuajtur duhet të ketë filluar  vetëm pasi ka qënë aprovuar për statusin e rezidentit  me kusht. Nëse një kërkesë e tillë ngrihet pas dy vjetësh bashkëjetese me shtetasin amerikan,  kjo do të qe përtej afatit të përcaktuar nga ligji dhe  për këtë shkak nuk do të qe  më e pranushme nga Emigracioni. Evidenca që flasin se martesa u krye në kushte reale, pa mashtrim,  i duhen bashkëgjitur aplikimit. Këto evidenca do të ishin asetet financiare, prova e kredisë të shtëpisë dhe të tjera që vërtetojnë bashkëjetesën e çiftit. Këto janë vështirë për t’u provuar nëse çifti ka jetuar pak kohë sëbashku, por një avokat me eksperiencë do të ndihmonte mjaft.

Ka ende për të folur për  statusin e rezidentit  me kusht e problemet martesore   me shtetas amerikanë të cilave do t’u adresohemi në të ardhmen në rubrikën tonë të përjavshme. Ndërkohë ju inkurajojmë që të lidheni me avokatë të Emigracionit kur ndodheni në  situata të veçanta. Informacion shtesë do të gjeni gjithnjë në  web , www.uscis.gov./Illyria

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco