VIDEO/ 'Njerëz', 7-vjeçarja letër kryeministrit Rama

VIDEO/ 'Njerëz', 7-vjeçarja letër kryeministrit Rama

19:55, 27/07/2017
A+ Aa A-

“Njerëz” është rubrika e re që nis sot në Tirana Today nga Erjona Rusi,  me reportazhe të shkurtra fokusuar tek njerëzit e thjeshtë të cilët përmes historisë së tyre kanë secili një mesazh të fortë për të përcjellë. Çdo javë, “Njerëz” do të sjellë për lexuesit personazhe të ndryshëm, të cilët, të parë përmes një lenteje tjetër dhe jashtë kornizës së kronikave të përditshme, tenton që të sjellë një qasje krejt ndryshe ndaj problemeve sociale në shoqërinë shqiptare. Bëhet fjalë për personazhe dhe histori aq sa të ndryshme e të larmishme, po aq edhe të ngjashme në thelbin e tyre. Janë pikërisht ATA, njerëzit, që media në përgjithësi ka harruar ti fokusojë, për shkak se i ka drejtuar projektorët e kamerave vetëm tek politikanët dhe “VIP”-at.

Në rubrikën e parë, personazhi është një vajzë 7 vjeçare e cila ka vendosur ti shkruaj një letër kryeministrit Edi Rama, e ne thjesht e ndihmuam ta përcjellë me zë pak më të fortë lutjen e saj. Mikaela është fëmija I tretë i një nëne të divorcuar e cila përballet me një jetë jashtëzakonisht të vështirë pasi i duhet ti sigurojë bukën e gojës 3 fëmijëve të saj, vetëm me një rroge prej 25 mijë lekë. Familja jeton me qira dhe në 5 vitet e fundit kanë ndërruar me dhjetëra shtëpi pasi asnjëherë nëna e Mikaelës nuk ka ja dalë mbanë të paguajë qiranë deri në fund. Vetë ajo tashmë është e sëmurë dhe e operuar, e nuk mund as të punojë. Për rrjedhojë nuk ka mundësi të ushqejë fëmijët e saj.

Kësaj here është Mikaela ajo që ka vendosur të rrëfejë me fjalët e saj pak historinë e familjes, përmes “Njerëz” në Tirana Today me shpresën që lutja e saj e vetme që ata të kenë një shtëpi të tyren e të mos enden rrugëve të Tiranës, të bëhet realitet. “Nuk e kuptoj pse mami thotë që me zor fiton bukën e gojës”-është mënyra naive e vogëlushes e cila, dashje pa dashje, tregon që bota e saj fëminore është dëmtuar nga lotët e nënës dhe fakti që nuk i percepton dot gjithë vështirësitë ekonomike me të cilat përballet kjo familje.

Aktualisht ata marrin një ndihmë modeste ekonomike dhe nëna e Mikaelës shpreson të mund të përfitojë një bonus qiraje edhe nga Bashkia e Tiranës. Por zgjidhja më e mirë e vuajtjeve të kësaj nëne dhe 3 fëmijëve të saj do të ishte të kishin një shtëpi të tyren.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco