Zhytësi: Kosovarët mbyten në Shqipëri se s'ka roje bregdeti, ndaj të mos shkojnë atje

Zhytësi: Kosovarët mbyten në Shqipëri se s'ka roje bregdeti, ndaj të mos shkojnë atje

10:27, 21/07/2017
A+ Aa A-

Gjatë këtij sezoni veror kanë ndodhur shumë raste kur pushuesit kosovarë kanë gjetur vdekjen, si pasojë e mbytjes në det.

Sipas zhytësit Ismajl Kasumi, këto raste vijnë si pasojë e mungesës së shpëtimtarëve nëpër bregdetin shqiptar si dhe mungesës së zonave të precizuara se deri ku qytetarët mund të notojnë.

“Gjithë këto raste të mbytjeve janë një tragjedi. Në bregdetin shqiptar nuk janë të precizuara vendet deri ku mund të notojnë qytetarët, mungojnë shpëtimtarët dhe nuk ka vrojtore. Do të apeloja tek të gjithë pronarët e plazheve që të precizojnë këto zona sa më shpejt. Ndryshe apeloj tek qytetarët të mos i bëjnë pushimet në bregdetin shqiptar”, ka thënë Kasumi në një intervistë në "Ballë për Ballë" të Klan Kosovës.

Tutje Kasumi ka bërë një krahasim me bregdetin e Malit të Zi dhe atë të Kroacisë, duke potencuar se, për dallim nga Shqipëria, këto dy vende kanë të saktësuar zonat për not si dhe kanë vrojtore nëpër plazhe.

Zhytësi Kasumi ka përvojë 50-vjeçare në realizimin e aksioneve të kërkim-shpëtimit, në të shumta rasteve me rezultate pozitive.

Në intervistën e tij Kasumi ka dhënë disa nga këshillat që duhet ndjekur për të shmangur mbytjen në det apo për të ndihmuar të pranishmit e rrezikuar.

“Nuk duhet të futeni në ujë me trupin e nxehtë e të djersitur. Trupi duhet ngadalë t’i përshtatet temperaturës së ujit, ndryshe vjen deri te ngërçi”.

“Vala kur vjen ngrihet dhe bie, kështu duke formuar një kanal, një rrymim të ujit, që të tërheq dhe mund të jetë fatale për jetën e njeriut”.

“Në qoftë se ndodh që ndonjë person është duke u mbytur në ujë, nuk duhet t’i afrohemi përpara. Duhet të jemi të kujdesshëm të largohemi nga personi, si ta kapim dhe si ta nxjerrim nga uji”, tha ai.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco