Turistë kuriozë mësyjnë drejt ishullit misterioz të Sazanit

Turistë kuriozë mësyjnë drejt ishullit misterioz të Sazanit

13:17, 23/06/2017
A+ Aa A-

Një vit më parë një debat u hap në gjirin e qeverisë shqiptare mbi të ardhmen e ishullit të Sazanit, një bazë ushtarake e plaçkitur gjatë revoltave dhe anarkisë që pasuan shembjen e skemave financiare piramidale në vitin 1997.

“E ke parasysh janë këto debatet 20 vjeçare, jo kazino jo hotel,” kujton Auron Tare, drejtori i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit.

“Për ta shmangur të gjithë këtë debat sollëm nga Amerika një grup që merren me ketë punë… dhe kur e panë ata thanë; mund të bëni një gjë tjetër por kazino nuk bëhet,” shtoi ai.

Pasi grupi i investitorëve potencial e vlerësoi ishullin si jo të përshtatshëm për ndërtimin e një kazinoje, rruga u hap për ta transformuar bazën në një destinacion të turizmit kulturor dhe ekologjik, duke u mbështetur mbi gjurmët dhe trashëgiminë që Lufta e Ftohtë ka lënë mbi ishull.

“Ideja kryesore është hapja ishullit si një tip muzeu natyror, të një lloj alegorie të asaj që ka qenë Shqipëria komuniste; e bukur por e rrethuar me tela me gjemba, me bunker,” thotë Tare, i ulur në zyrën e tij të improvizuar nën një tendë ushtarake në portin e Sazanit.

Sipas Tares Sazani ka vetëm një plazh të vogël dhe nuk është për ata ‘tipat e plazhit,’ por më i përshtatshëm për vizitorë që i pëlqen ecja sportive në natyrë, zhytja në det ose në historinë e pasur të ishullit.

“Këtu vjen dhe sheh një copë Shqipëri komuniste për të kuptuar si ka qenë izolimi,” ai shtoi.

Sazani është një ishull i vogël me një sipërfaqe prej 5.7 kilometrash katror, i cili njihej në antikitet me emrin grek Sason.

Për shkak të vendndodhjes së tij strategjike në hyrje të gjirit të Vlorës, ishulli përmendet në shumë episode ushtarake, që shtrihen nga antikiteti e deri ne Luftën e Parë Botërore.

Dikur pjesë e perandorive Romake, Bizantine dhe Otomane, në 1815 ishulli kaloi nën administrimin e të ashtuquajturës Republikës e Pavarur të Ishujve Jonian, e cila kontrollohej nga Britania. Në 1864 ishulli iu dha Greqisë, e cili e kontrolloi deri në vitin 1913 kur Athina e detyrua t’ia lëshonte kontrollin me vendim parlamenti Italisë.

Auron Tare në tendën e tij të punës | Foto nga : Agjencia Kombëtare e Bregdetit

Italianët të cilët ë kontrolluan ishullin nga viti 1913 deri në vitin 1943, ndërtuan rrugë, rrjetin energjetik, portin dhe farin, ndërtesa civile si dhe fortifikime detare për të mbrojtur hyrjen e gadishullit të Karaburunit. Ato gjithashtu mbollën në Sazan pishta e buta, të cilat edhe sot e kësaj ditë mbulojnë pjesë të ishullit.

“Italianët kishin edhe kuplara,” shpjegon Tare.

Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, Italia ia dorëzoi ishullin Shqipërisë si pjesë së marrëveshjes së paqes midis dy vendeve e nënshkruar në vitin 1947.

Gjatë gjysmës së dytë të shekullit të njëzet Shqipëria do të kthehej në një nga vendet më të izoluara pas Perdes së Hekurt, nën regjimin e diktatorit Stalinist Enver Hoxha.

Hoxha e drejtoi vendin me një grusht të hekurt nga viti 1945 deri në vdekjen e tij në 1985, duke ndërtuar qindra baza ushtarake dhe një rrjet prej 700,000 bunkerësh, për tu mbrojtur nga një pushtim i huaj që nuk erdhi kurrë.

Sipas Tares, Sazani, i cili ishte përforcuar nga Italianët me artileri dhe tunele, u transformua në një nga zonat më të fortifikuar të Shqipërisë gjatë periudhës komuniste, i mbushur me bunker në formë kërpudhash dhe vendstrehime për divizione ushtarësh.

Në kulmin e saj në vitet 1970, baza kishte një personel prej më shumë se 3500 vetë, përfshirë civilë dhe ushtarë, e kompletuar me shkollë, kopësht, dy kinema dhe spital.

Baza u çmontua më së shumti pasi rënies se komunizmit në Shqipëri në vitin 1991 dhe u plaçkit e gjitha në vitin 1997. Sipas Tares, turmat që plaçkitën ishullin arritën që të shkrinin për skrap edhe topat e artilerisë detare Italine që mbronin gadishullin e Karaburunit.

Sot, ajo që ka mbetur nga baza imponuese ushtarake, është një seri ndërtesash të braktisura dhe gjysmë të shkatërruara që i ngjajnë më shumë një qyteze fantazmë.

Megjithatë, Tare thotë që këto ndërtesa të bastisura përmbajnë shumë histori, e cila mund të sillet në jetë për vizitorët nga një guidë e trajnuar.

“Gjëja e parë që do bëjmë është që të ndërtojmë një posto-bllok për të dhënë idenë e hyrjes në një bazë ushtarake,” thotë ai. “Do restaurojmë të gjitha parullat që janë në ishull, sepse janë me mijëra parulla pro Partisë,” shtoi Tare.

Edhe pse teknikisht akoma një bazë ushtarake, nga korriku Sazani është nën administrim të Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, e cila në bashkëpunim me simotrën e saj Franceze, ka krijuar një plan të detajuar menaxhimi për ishullin.

Plani përfshin krijimin e intenerareve të ndryshëm për “trekking’ dhe “hiking” si dhe hapjen e një qendre shkencore kërkimore detare.

Që nga viti 2014, ujërat që rrethojnë gadishullin e Karaburunit dhe ishullit të Sazanit janë kthyer në një park kombëtar detar.

Ishulli pritet të bëhet dhe baza e përhershme e anijes R/V Hercules, e ndërtuar posaçërisht si platformë ujore arkeologjike me aftësi tre-dimensionale të dokumentimit të detit, e cila është nën pronësinë e fondacionit Amerikan RPM Nautical.

Anija, e cila është e pajisur me robotë nënujorë, ka zbuluar mbetjet e dy anije Romake gjatë ekspeditave në bregdetin shqiptar në vitet e fundit.

“Dy anijet romake qe kemi gjetur mund t’i gërmojmë dhe ekspozojmë,” thotë Tare.

Megjithatë; tani për tani të vetmet anije që po arrijnë në ishull janë turistike, të quajtura Regina Blu dhe Black Pearl, të cilat nisen çdo mëngjes nga fshati Radhimë, pak kilometra larg Vlorës.

Anijet e vogla ofrojnë vizita ditore në Sazan shpesh herë me një ndalesë në gjirin e Shën Vasilit në Karaburun apo në shpellën e Haxhi Aliut. Një biletë individuale kushton 1600 lek.

Sipas Tares gjate javës se parë të hapjes Sazanin e vizituan më shumë se 600 turistë.

Një nga ato që udhëtonte në bordin e anijes Regina Blu në 1 gusht ishte Arta Kodra, një grua 54 vjeçare e cila kishte jetuar me burrin e saj oficer marine në Sazan nga viti 1979 deri në vitin 1988.

“Për herë të parë kam ardhur në ishullin e Sazanit kur isha 18-vjeç, sa mbarova gjimnazin,” tha ajo.” Në Sazan jeta ishte shumë e bukur dhe kam shumë nostalgji,” Arta shtoi, ndërsa anija kishte filluar udhëtimin e kthimit drejt Vlorës, pas një ndalese një orëshe në ishull./Reporter.al

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco