Matura, ja formula e re për zgjedhjen e fituesve

Matura, ja formula e re për zgjedhjen e fituesve

10:46, 19/05/2017
A+ Aa A-

Ministria e Arsimit dhe Sportit ka nxjerrë udhëzimin për sistemin e Maturës Shtetërore 2017, i cili këtë vit vjen me një formulë të re për përzgjedhjen e fituesve, duke vendosur prag për notën mesatare të shkollës dhe kushte specifike nga universitetet. Matura e këtij viti do të jetë dalëse, dhe ajo përmbyll ciklin e plotë të studimeve në gjimnaz. Në formulën e caktuar këtë vit ka një lidhje logjike, që të gjitha lëndët që maturantët do të zgjedhin përkthehen në nota. Shumatorja e notave që ata do marrin në 3 vite së bashku me shumatoren e notave që do marrin në provimet me detyrim dhe në provimet me zgjedhje, të cilat pjesëtohen për 2 (të gjitha lëndët) nxjerrin atë që quhet nota mesatare dhe këtë vit pragu për të shkuar në universitet do të jetë nota mesatare 6.0.

Sipas udhëzimit, gjithsej, do jenë pesë provime dalëse, ku 3 prej tyre (Gjuhë-Letërsi, Matematikë, Gjuhë e huaj) do të jenë të detyrueshme dhe 2 provime me zgjedhje. Testi i gjuhës së huaj me detyrim (D3) do të jetë i nivelit B1, ndërsa lista e gjuhëve që do të përfshihen në provimin e detyruar janë anglishtja, italishtja, frëngjishtja dhe gjermanishtja. Gjuha e huaj që do të jepet provim, do të pasqyrohet në Formularin A1/ A1Z. Përveç maturantëve të këtij viti, detyrimin për ta dhënë këtë provim e kanë edhe ata që kanë mbaruar para këtë viti, e që do të plotësojnë formularin A1Z në datat 1 dhe 2 qershor në shkollat ku  janë arsimuar.

Ndërkohë, gjatë kësaj periudhe do të publikohet edhe rregullorja e plotë e Maturës, në të cilën do të shpallen të drejtat, detyrimet dhe penalitetet për të rinjtë. Ndërkohë, për vitin e ri akademik 2017-2018 nuk do të ketë rritje të tarifave të studimit nga Ministria e Arsimit. Në fakt, universitetet të cilat tashmë gëzojnë një autonomi më të madhe në caktimin e tarifave dhe kuotave, nuk kanë kërkuar rritje të pagesës për studimet, por vetëm rritje kuotash. Për vitin e ardhshëm pritet që Universiteti i Mjekësisë të kërkojë 300 kuota shtesë, ndërsa Universiteti Bujqësor 200 kuota më shumë se viti paraardhës. Këto kërkesa nga universitetet bëhen në bazë të kapaciteteve infrastrukturore të mjediseve akademike dhe numrit të pedagogëve.

Lëndet me zgjedhje

Këtë vit, numrin më të lartë të krediteve në grupin e lëndëve me zgjedhje do ta ketë Gjuha e huaj dhe Historia e thelluar, përkatësisht me 10 dhe 9 kredite secila. Maturantët duhet të dinë se testi i gjuhës së huaj do të jetë i nivelit gjuhësor B2. Ndërkohë, programet orientuese të lëndëve, për të gjithë maturantët dhe ish-maturantët do të jetë në përshtatje me programet ekzistuese të shkollave të mesme. Sipas udhëzimit, programi orientues i një lënde të thelluar do të përmbajë edhe programin e lëndës bërthamë. Për shembull, lënda “Gjeografi” (bërthamë dhe e thelluar) do të përmbajë edhe lëndën “Shkenca e tokës”.

Kandidati ka të drejtë të zgjedhë dy lëndë nga lista e lëndëve me zgjedhje, pavarësisht nëse i ka zhvilluar ose jo ato në shkollë, në programin mësimor. Kandidatëve, të cilët kanë dhënë provime me zgjedhje dhe janë vlerësuar me notë të përshkallëzuar jo më të vogël se 4.5, u njihen ato provime dhe nuk kanë të drejtë t’i rihapin. Maturantët, të cilët në Maturën Shtetërore të vitit 2012 kanë zgjedhur për të dhënë 3 provime me zgjedhje dhe kanë mbetur në dy prej tyre, duhet të zgjedhin vetëm një lëndë nga lista e lëndëve me zgjedhje të këtij udhëzimi.

Datat

Ministria e Arsimit ka shpallur datat e provimeve, duke u kujdesur të shmangë edhe ditën e votimeve që do të zhvillohen në ambiente e shkollave. Mirpo data e re e zgjedhjeve, e dekretuar dje, përkon me datën e provimeve me zgjedhje, për të cilën MAS pritet të dalë me një datë të re, e cila me shumë gjasë do të jetë pas zgjedhjeve. Provimet e maturanteve do të nisin në 5 qershor me Gjuhën e Huaj, ndërsa Gjuha Shqipe zhvillohet në datën 10. Ndërkohë në 15 qershor është testi i Matematikës.

Gjithashtu bëhet e ditur se para përfundimit të shkollës, maturantët do të plotësojnë formularin e lëndëve me zgjedhje, të cilat i profilizojnë për Universitetet që do të ndjekin. Ministria e Arsimit dhe shkollat e larta po bëjnë unifikimin e lëndëve, për të mos u përsëritur problemet me emërtimet dhe përllogaritjen e koeficienteve gjatë fazës së pranimeve në Universitete.

Përmirësimet

Sipas ministres Nikolla, udhëzimi parashikon përmirësim i skemës së pranimit të të rinjve, si shkurtimi i afateve dhe mundësia e çregjistrimit të fituesve për t’u rifutur sërish në garë. Këto ndryshime për ministren rregullojnë formulën ekzistuese dhe e bëjnë imune ndaj sulmeve politike. Sipas saj, maturantët e këtij viti pritet të kenë lehtësira më të mëdha për pranimet në universitet, duke synuar nga Ministria e Arsimit pamundësi atakimi të formulës së re të rekrutimeve, të imponuar nga ligji i ri i arsimit të lartë që bazohen në meritë.

Ministrja e cilëson këtë lëvizje në kohën e duhur pasi ka informuar maturantët sa duhet për ndryshimet që pritet të ndodhin. Këto ndryshime vijnë një vit pas problematikave të hasura në procesin e pranimeve të maturantëve në universitet dhe sugjerimet që kanë ardhur nga çdo universitet për ta thjeshtuar skemën e cila për ta është e duhura dhe ulur afatet e konkurrimit. /Gazeta Shekulli/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco