Hendeku mes të pasurve e të varfërve rrezikon stabilitetin

Hendeku mes të pasurve e të varfërve rrezikon stabilitetin

15:27, 24/04/2017
A+ Aa A-

Ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schäuble është i shqetësuar: Hendeku i thellë mes pasurisë e varfërisë në botë duhet të mbyllet. Ndryshe bota rrezikohet “nga një destabilizim kudo në rritje”.

Kritikat ndaj globalizimit duhet të merren seriozisht. Shumë vetë ndjehen të lënë pas nga zhvillimet globale e gjithnjë e më shumë janë të pushtuar nga ndjenja e padrejtësisë sociale. Ata nuk shohin avantazhet e globalizimit, por një hendek në rritje mes të pasurve e të varfërve. Nëse nuk ndërmarrim asgjë kundër këtij fenomeni, do të kemi një rritje të partive populiste e demagogëve, tha ministri gjerman i Financave, Schäuble në një konferencë të Fondit Monetar Ndërkombëtar në Uashington.

Vëmendje e veçantë i duhet kushtuar kontinentit afrikan, kërkoi Schäuble, në mënyrë që njerëzit aty të përfitojnë nga frytet e globalizimit. “Nuk ka rrugë tjetër për këtë”. Thellimi i bashkëpunimit me Afrikën është edhe një nga objektivat kryesorë të Gjermanisë, që kryeson presidencën e radhës së G20-s këtë vit.

Potenciali ekziston

“Afrika ka një potencial të jashtëzakonshëm dhe është e rëndësishme që ai të zhvillohet”, theksoi ministri gjerman i Financave. Por përshpejtimi i zhvillimit në këto vende mund të arrihet vetëm me ndihmën e zhvillimit nga jashtë. Iniciativa gjermane "Compact with Afrika”, sipas Schäubles, është një projekt afatgjatë që do të startojë me bashkëpunimin me pesë vende afrikane dhe mund të ndihmojë në lehtësimin e problemeve të sigurisë e migracionit.

Diferenca Gjermani- SHBA

Në konferencën e FMN-së nuk u diskutua vetëm marrëdhënia e vendeve të industrializuara me Afrikën, por edhe marrëdhëniet ekonomike mes vendeve të G20-s. Ministri amerikan i Financave, Steven Mnuchin kërkoi nga Gjermania me fjalë të qarta që të reduktojë suficitet e eksportit. "Sipas nesh, suficite të larta eksporti, po ashtu si edhe deficitet, nuk i shërbejnë një sistemi të lirë e të drejtë të tregtisë”, tha Mnuchin.

Gjermania arriti një rekord të ri të eksporteve vitin e kaluar. Edhe drejtoresha e FMN-së, Christine Lagarde kërkoi që Gjermania t'i riinvestojë këto suficite. Kritika ndaj Gjermanisë vijnë edhe nga Franca.

"Made in Germany" kërkohet

Schäuble e mbrojti politikën gjermane duke theksuar se produktet “Made in Germany" janë të kërkuara dhe mjaft konkurruese. Nga ana e saj Gjermania nuk e kritikoi hapur Uashingtonin me politikën proteksioniste. Schäuble u shpreh optimist, se në samitin e G20-s në korrik do të arrihet një qëndrim i përbashkët për politikën tregtare.

FMN dhe Banka Botërore në konferencën e pranverës e theksuan disa herë qëndrimin mbrojtës ndaj tregtisë së lirë, por në deklaratën përfundimtare nuk u shënua fjalia refuzim “të çdo lloj proteksionizmi", siç gjendej në konferencën e vitit të kaluar në tetor. Edhe për mbrojtjen e klimës nuk u shënua asnjë fjali në deklaratën përfundimtare.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco