Specializimet afatgjata në mjekësi, testimet nisin më 20 shkurt

Specializimet afatgjata në mjekësi, testimet nisin më 20 shkurt

07:24, 17/02/2017
A+ Aa A-

Testimi i 276 kandidatëve që janë pjesë e garës për specializimet afatgjata në fushën e mjekësisë do të zhvillohet në 4 ditë. Dita e parë e testimit do të jetë dita e hënë, më 20 shkurt, deri më datë 23 shkurt, ku sipas kalendarit të publikuar nga Agjencia Kombëtare e Provimeve, ditën e fundit janë kandidatët që garojnë për specializimet në fushën e stomatologjisë. Testimi, i cili është edhe pjesa më kryesore e kësaj gare pasi ka në total 70% të pikëve, do të ketë 100 pyetje me alternativa.

Kandidatët ditën e provimit duhet të kenë me vete mjetin e identifikimit si dhe fotokopjen e saj. Po ashtu, ata duhet të paraqiten 30 minuta para fillimit të
testimit. Kandidatët, ditën e hënë, më 13 shkurt, mbyllën fazën e parë të konkurrimit, intervistën me gojë, nga e cila në total fitojnë 10% të pikëve.

Kandidatët që po konkurrojnë për specializimet afatgjata në fushën e mjekësisë për vitin akademik 2016-2017, 10% të pikëve i marrin nga intervista, 20% të pikëve i fitojnë nga mesatarja e ponderuar e viteve të studimit. Testi i informatizuar është pjesa më e rëndësishme e garës, pasi aty kandidati merr 70% të pikëve në total; ai do të ketë 100 pyetje me alternativa. Në bazë të pikëve që kandidatët do të fitojnë, ata që do renditen të parët do të kenë mundësinë që të zgjedhin profilin e specializimit.

Për këtë vit do të pranohen në total 186 specializantë të rinj, ku 124 do të jenë nga kuotat e pambuluara, ndërsa pjesa tjetër të ndarë nga ministritë përkatëse, ku Ministria e Shëndetësisë këtë vit ka kërkuar 42 kuota. Diferenca mes kuotave të mbuluara dhe atyre të lira është se, ata që fitojnë nga kuotat e mbuluara do të paguhen me rrogë mujore nga institucioni përkatës. Dhe, specializantët duhet të plotësojnë kushtet e kontratës që do të nënshkruajnë, me Ministrinë e Shëndetësisë, atë të Drejtësisë apo Ministrinë e Brendshme, pasi në të kundërt do të kenë penalizime të ashpra, deri në 2 milionë lekë të reja, si dhe kthim të pagesave mujore që kanë marrë gjatë viteve të specializimit./Gazetashqiptare

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco