Naftëtari: Nëse më gënjyen për rrogat, do të shkoj sërish të hidhem nga oxhaku

Naftëtari: Nëse më gënjyen për rrogat, do të shkoj sërish të hidhem nga oxhaku

11:16, 24/01/2017
A+ Aa A-

Punonjësi i rafinerisë në Fier, Agim Myrdini, i cili kërcënoi dje se do të vetëhidhej nga 40 metra lartësi, nuk tërhiqet: Zbrita se më premtuan pagat e prapambetura, por nuk u kam besë.

Pavarësisht se naftëtari 59-vjeçar, Agim Myrdini, i cili tentoi të vetëhidhej nga një lartësi 40 metra, zbriti mesditën e djeshme pas tre orë negociatash, ai shpreh mosbesim për fjalën që ju dha për shlyerjen e pagave. Ai pohoi dje për mediat se do të shkojë sërish që të tentojë vetëvrasjen nëse ARMO nuk i shlyen pagat e prapambetura. “Kam gjithë ato ditë pa ngrënë. Tensioni bënë punën e tij …, sëmundjet, mosha. Vajta kaq vite në rafineri të naftës. Nëse nuk do kishin ardhur e të më premtonin shlyerjen e pagave do të isha hedhur nga lartësia. Por, nëse nuk mi shlyejnë pagat e mija të prapambetura do të shkoj prapë që të hidhem nga oxhaku. Akoma nuk kam besim tek këta. Kam punuar edhe nga 16 e 14 orë në ditë. Në mes të natës më telefononin dhe unë shkoja në punë se kam dy fëmijë të vegjël për të ushqyer. Vija në punë kur të donin ata. Këtë që tentova e bëra për të gjithë kolektivin. U detyrova që të shkoj për tu hedhur nga oxhaku i uzinës pasi jo vetëm që nuk më kanë paguar, por edhe më larguan në datën 20 nga puna. Nuk më linin të hyja në portë. Për arsye se nuk kisha shkuar ta firmosja atë ditë nga ora 10 deri në orën 13:00, të nesërmen nuk më është bërë kontrata e punës. Kam vajtur në Ballsh por nuk më kanë zgjidhur punë pasi nuk më pritën. Më çuan fjalë se do të ma zgjidhnin problemin por më gënjyen dhe shkova në Tiranë ku takova të madhin fare. Por edhe ai e hiqte nga vetja. Më thoshte se nuk e kishte ai në dorë, por Nikja”, ka pohuar dje për mediat 59-vjeçari Agim Myrdini.  

Negocimi

Pas tre orë negociatash me policinë dhe familjarët, naftëtari Agim Myrdini që kërcënoi se do të vetëhidhej nga një oxhak 40 metra i lartë pranë rafinerisë së naftës në ambientet e ish-Azotikut në Fier, vendosi që të zbresë pa pësuar dëmtime. “Babi të lutem zbrit!”. Kjo ishte lutja e vajzës së tij të vogël 10-vjeçare e cila është ngashëryer në lot për më shumë se dy orë derisa i ati ka zbritur nga oxhaku 40 metër i lartë. Në vendngjarje ka mbërritur menjëherë bashkëshortja dhe familjarë të tjerë të 59-vjeçarit të cilët i kanë kërkuar dhe i janë lutur që të zbresë. Edhe kolegët i kanë kërkuar Agimit që të mos kryejë ndonjë veprim fatal për jetën e tij. Por, ai është bindur që të zbresë vetëm kur drejtuesit e ARMO-s i kanë premtuar se do t’i shlyenin pagat e prapambetura. Pas zbritjes nga oxhaku, 59-vjeçari u transportua me ambulancë në spitalin e Fierit ku i është dhënë ndihma e parë mjekësore. Rreth orës 09:00 të ditës së djheshme, në shenjë proteste ndaj katër pagave të prapambetura dhe fakti që prej 19 muajsh nuk i janë paguar kontributet shoqërore, Agim Myrdini u ngjit në një oxhak 40 metra të lartë në ambjentet e ish-Azotikut në Fier dhe kërcënoi se do të hidhej prej andej. 

Pagat e ARMO-s, si ata të rafinerisë së Fierit, ashtu edhe ata që punojnë në KPTHN-në e Ballshit vazhdojnë të përballen me vonesat e pagave, pavarësisht se administratori i kësaj kompanie të përpunimit të hidrokarbureve është ndryshuar disa herë. Edhe pse administratorët e fundit të kësaj kompanie premtuan se do të rikthenin në punë uzinën e përpunimit të naftës dhe se do të paguanin punëtorët situata vazhdon të përkeqësohet. Jo vetëm që nuk është bërë e mundur të paguhen pagat e prapambetura, por administratorët e rinj të ARMO-s nuk kanë arritur të shlyejnë as pagat aktuale. Sipas punëtorëve të rafinerisë së Fierit ata kanë katër muaj pa u paguar. Ndërkohë siguracionet shoqërore dhe ato shëndetësore mësohet se nuk janë paguar që prej 19 muajsh. Prej disa ditësh punëtorët e Rafinerisë së Fierit kanë protestuar për mospagesën e tyre.   

Riblerja e ARMO-s

Në shtator të vitit të kaluar, ishte vetë Ministri i Financave, Arben Ahmetaj i cili gjatë vizitës së tij në rafinerinë e naftës në Ballsh, e cilësoi si një lajm të mirë raiktivizimin e uzinës. “Sot është një ditë e mirë për ekonominë shqiptare dhe për punonjësit e rafinerisë. Çdo kush e di se çfarë ka kaluar industria e naftës, sidomos ju që e mbani mend mirë atë privatizim të dështuar dhe korruptiv që rëndoi mbi të gjitha në kurrizin tuaj si të punësuar. Hapja e rafinerisë është një lajm i mirë, mbi të gjitha për këta 1200 punonjës dhe familjet e tyre, të cilët nga sot kanë sërish një punë”, deklaroi atëherë Ahmetaj. Ai shtoi se “kryeministri kishte premtuar riaktivizimin e industrisë së naftës dhe se ky ishte një premtim i mbajtur dhe përgjigjja më dinjitoze akuzat e bëra”. Në KPTHN-së e Ballshit kreu atëherë vizitë edhe kryeministri Rama, i cili premtoi se problemet e mospagesave të naftëtarëve kishin mbaruar. Por, pavarësisht ndërrimit të investitorëve të ARMO-s, situata e punëtorëve vazhdon të përkeqësohet, pasi ata vazhdojnë të mos i marrin rrogat e tyre dhe të mos u paguhen sigurimet./ Gazeta-Shqip

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco