I verbër dhe largpamës: Driloni sfidon errësirën

I verbër dhe largpamës: Driloni sfidon errësirën

11:10, 24/01/2017
A+ Aa A-

Drilon Kastrati është një djalë 26 vjeçar me shikim të dobësuar. Ajo që e dallon nga të tjerët, nuk është mungesa e shikimit por para së gjithash vullneti për ta sfiduar këtë mungesë.

Jeta për Drilon Kastratin 26 vjeçar ndahet në kohën para marsit 2006 dhe atë pastaj. Atëbotë i riu 16 vjeçar, si pasojë e një operacioni në kokë, e humbi pothuaj në tërësi aftësinë për të parë. Jeta pas kësaj merr një drejtim fare tjetër, për të cilin, ai, sigurisht, nuk ishte i përgatitur.

“Për një periudhë disamuajshe nuk doja të pajtohesha me gjendjen e re, vuaja nga pasojat e verbërimit por njëkohësisht edhe ngulja këmbë që të vazhdoja jetën sikur më parë. Kur më dërguan në një qendër për rehabilitim, unë refuzoja të merrja trajtimin si të verbrit tjerë, nuk u bashkohesha atyre, thjesht qesh bërë njëfarë rebeli pa arsye”, rrëfen Driloni sot, mbi dhjetë vjet pasi që jeta e tij kishte marrë një kah të papritur.

Ditën që e lamë të takoheshim, i riu me master të mbaruar për financa, nëpunës banke, do të jepte një ligjëratë te Qendra Profesionale për studime, të personave me nevoja të veçanta, në kuadër të Universitetit të Cyrihut. Atë ligjëratë do ta ndiqnin përfaqësues të institucioneve të ndryshme të kësaj fushe. Tek merr fjalën para këtij auditori të zgjedhur, Driloni flet me një elokuencë dhe me lehtësi të admirueshme, madje duke e përshkruar me humor diskret vetë handikapin që ka. Ai shpalos para të pranishmëve goditjen që kishte pësuar nga fati dhe vendosmërinë për ta sfiduar atë goditje, duke u përcaktuar për shkollimin, si rruga e vetme për të mos u dorëzuar.

Po ky humor (kryesisht në kurriz të vet) e karakterizon Drilonin edhe duke folur pastaj për albinfo.ch lidhur me peripecitë të cilat i ka kaluar gjatë këtyre dhjetë viteve në errësirë.

Kur e humba shikimin…

Thuhet se të verbërve, si “kompensim” për mungesën e shikimit, u mprihen shqisa tjera. A vlen kjo edhe për ata që janë verbuar më vonë, a ke ti përvoja në këtë drejtim?”, e pyesim Drilonin. “Po, kam dëgjuar edhe unë të thuhet kështu. Në fakt mua më duket se më është mprehur  shqisa e nuhatjes, e marrjes erë. I ndjej shumë erërat, madje i dalloj njerëzit në bazë të erës që mbajnë. “Si me qenë ndonjë qen” , bën shaka Driloni në llogari të tij.

“Kur më ka ndodhur fatkeqësia, kam qenë duke ndjekur shkollën e mesme profesionale, në mars 2006, pra kur kam qenë 16 vjeç. Bëhej fjalë për një ciste në kokë dhe pasi që ajo po i bënte presion trurit, mjekët, patën vendosur ta hiqnin me operacion. Në përpjekje e sipër, ata kanë dëmtuar nervat dhe kështu është rritur shumë presioni. Kjo pastaj është reflektuar te sytë dhe kështu, shumë shpejt kam ardhur në gjendjen që po më shihni”.

Fillimisht e kanë dërguar në një qendër rehabilitimi, e pastaj në qendrën përgatitore për zgjedhjen e profesionit. “Aty duhej të mësohesha që të gjendem në kushtet e reja, veç tjerash edhe duke përdorur kompjuterin dhe mjetet tjera të përshtatura për të verbrit. Unë isha informuar për mundësitë që kisha për shkollim, por kishte njëfarë presioni që të mjaftohesha me mësimin e një zanati. Mirëpo unë kërkoja me këmbëngulje të më mundësohej një shkallë më e lartë arsimimi…

Këmbëngulës për të ndjekur mësimet në gjimnaz

Rasti e deshi që në Bazel ta takoja një shqiptar po ashtu të verbër, të moshës sime, i cili më befasoi kur më tha se ishte duke vijuar gjimnazin. Pikërisht atë që e kërkoja unë dhe nuk ma lejonin! Me të dëgjuar këto, shkova te përgjegjësi im dhe i thash se unë dua të ma mundësojnë ndjekjen e gjimnazit. Ai rezistoi por unë isha këmbëngulës duke e bindur se kështu dua t`i hap rrugë vetes pasi që gjimnazi më mundëson të studioj dhe të aftësohem që të mbaj veten e të jem i dobishëm edhe në gjendjen që jam. Ajo që ka shumë rëndësi për çdo të ri në rrethana të ngjashme do të thosha është pikërisht kjo: që të punosh që të arrish diçka dhe të shohësh një  të ardhme tënden”, bën një digresion Driloni. “Përfundimisht mu lejua ndjekja e gjimnazit. Duhet theksuar se vijimi i mësimit në gjimnaz për Drilonin ka qenë në kushte të njëjta me të gjithë nxënësit tjerë edhe pse ai ishte i vetmi nxënës me shikim të dëmtuar, në mesin e tyre! “Unë mbroj mendimin se, edhe pse në ndonjë aspekt kemi nevojë për mbështetje më speciale, ne duhet të trajtohemi si të barabartë dhe të integrohemi e jo të veçohemi nga shoqëria”, është i bindur ai.

Me të përfunduar gjimnazin, erdhi koha që ai të përcaktohej për studime. “Kërkoja ndonjë drejtim që ka matematikë por që megjithatë nuk është vetëm me numra. Kështu, vendosa të studioja drejtimin e bankave dhe financave në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Cyrihut”.  Studimet bazë (baçelor) Driloni i ka kryer në afat të rregullt, për tre vite, pa humbur asnjë vit.  “Pasi kam filluar punën në Institutin për Banka dhe Financa si asistent në Universitetin e Cyrihut, jam regjistruar edhe në shkallën e masterit po për banka dhe financa, të cilin e kam mbaruar në gushtin e këtij viti, po ashtu në afat të rregullt, për dy vjet.

I vetmi person i verbër në bankën ku punon

Me të përfunduar studimet, ai konkurron në bankën e madhe zvicerane Credit Suisse ku pranohet si praktikant. Në këtë pozitë ai është edhe në momentin kur po bisedojmë me të dhe jemi ulur në një lokal, ngjitur me bankën ku ai punon. “Punoj në hulumtime ekonomike (economic research). Ne bëjmë vlerësimin e tregut të shtëpive dhe patundshmërive në Zvicër, dhe të performimit të sektorëve të ndryshëm ekonomikë në Zvicër. Është një fushë me dinamikë të madhe dhe shumë interesante”.

Image

Pa trajtim special në vendin e punës “Ne i ndajmë punët dhe unë i marr ato punë që mund t`i kryej në mënyrë më efikase. Sigurisht, unë i evitoj punët që kanë të bëjnë me grafika ose me aspektin vizual. As vendi i punës ku jam pranuar nuk ka qenë i bërë enkas për mua. E gjithë ajo që më kanë pyetur, ka qenë se çfarë programesh e aplikacionesh kompjuterike më nevojiteshin për punën që do ta bëja dhe unë u kam treguar. Në këtë pikë përfundon `trajtimi special` i imi”.

Por si rrjedh dita e  punës e Drilonit në një zyrë ku ai është i vetmi person me shikim të dëmtuar? A i kanë gjetur ndonjë punë që përkon me handikapin e tij apo ka ndonjë trajtim special nga banka ku punon? Asnjëra nga këto, përgjigjet ai. Ne i ndajmë punët dhe unë i marr ato punë që mund t`i kryej në mënyrë më efikase. Sigurisht, unë i evitoj punët që kanë të bëjnë me grafika ose me aspektin vizual. As vendi i punës ku jam pranuar nuk ka qenë i bërë enkas për mua. E gjithë ajo që më kanë pyetur, ka qenë se çfarë programesh e aplikacionesh kompjuterike më nevojiteshin për punën që do ta bëja dhe unë u kam treguar. Në këtë pikë përfundon `trajtimi special` i imi”.

Ndihmon studentët shqiptarë që duan të studiojnë në Zvicër

Një preokupim tjetër i Drilonit përveç punës që bën, është prej vitesh edhe ndihma që ai u ofron studentëve shqiptarë që duan të vijnë për të studiuar në Zvicër. “Thjesht, ata nuk dinë se çfarë hapash duhet të ndërmarrin, ku të drejtohen etj., për të regjistruar studimet. Për ata që interesohen dhe më gjejnë, unë kryej njëfarë roli të mbështetësit në këto përpjekje. I orientoj, ua jap koordinatat, adresat ku të drejtohen, pyes e interesohem për ta etj”. Aktualisht janë katër studentë shqiptarë që studiojnë në Zvicër falë ndihmës së Drilonit.

Duhet theksuar se jo të gjithë që kanë filluar studimet edhe kanë pasur sukses. Njihen kriteret e ashpra që kanë universitetet zvicerane… Por është për t`u vlerësuar ambicia dhe etja e tyre për të studiuar, thotë bashkëbiseduesi ynë. Po ashtu ata të shumtën e rasteve nuk e përballojnë dot koston financiare të studimeve këtu. E unë, nga ana financiare mjerisht nuk jam në gjendje t`i ndihmoj. Zakonisht ata që vinë kanë dikë nga familja që i mbështet”, shton ai.

Të verbrit në Kosovë i këshilloj të arsimohen, edhe kur duket se nuk ia vlen!

Si mund t`i inkurajojë Driloni duke marrë si shembull rastin e tij të verbrit nga trojet shqiptare për të realizuar planet e tyre profesionale dhe jetësore? “Sigurisht nevojitet shumë vullnet, forcë e pozitivitet. Edhe pse, më duhet të them se rrethanat në Kosovë nuk janë aspak favorizuese për këtë kategori. Qasje në dokumente dhe në libra digjitale nuk ekziston pothuajse fare. Pra gjendja është e mjerueshme. Mandej, unë kam provuar ta hap një bibliotekë për të verbër në Kosovë por kam hasur në pengesa. Ka gjithfarë konflikti interesash kështu që nuk preferohet shumë të provosh të ndryshosh ndonjë gjë. Shoqëria atje nuk i pranon ende të verbrit si pjesë normale e saj.

Por, përkundër këtyre vështirësive evidente, unë do t`u thosha atyre që ia vlen të përpiqen me çdo kusht që të arsimohen. Edhe nëse tash kjo nuk u kryen shumë punë, në afat të shkurtër. Shkollimi do t`u nevojitet në një të ardhme. Thënë ndryshe, ia vlen angazhimi sepse nëse rri duarkryq në shtëpi, nuk ndryshon asgjë për të mirë, përfundon me optimizëm rrëfimin e tij interesant Drilon Kastrati./Albinfo

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco