Presidenti Meta, në aktivitetin sensibilizues në mbështetje të fëmijëve me sindromën Down

Presidenti Meta, në aktivitetin sensibilizues në mbështetje të fëmijëve me sindromën Down

20:59, 21/03/2018
A+ Aa A-

Mbrëmjen e sotme, në bashkëpunim me Qendrën model “Xhonatan”, Presidenti Ilir Meta mori pjesë në një aktivitet sensibilizues në mbështetje të fëmijëve me sindromën Doën.

“Ekspozita me krijimet e bukura të këtyre fëmijëve kaq të dashur dhe sfilata e artistëve të njohura të këtij komuniteti, ku spikaste modelja me famë ndërkombëtare Madeline Stuart, më emocionuan e më lanë mbresa të jashtëzakonshme”, shkruan Kreu i Shtetit.

Presidenti Meta mbajti një fjalë përshëndetëse, ku duke iu drejtuar të pranishmëve, shprehu solidaritetin dhe mbështetjen personale dhe institucionale:

 “Jam shumë i privilegjuar sot që të jem me ju në këtë ditë të rëndësishme botërore për të treguar më shumë kujdes dashuri për fëmijët me Sindromën Down. E prita me shumë dëshirë bashkëpunimin me Qendrën Xhonatan për të organizuar këtë aktivitet sensibilizues me artisten e njohur Madelin Stuart si edhe ekspozitën me krijime të bukura të këtyre fëmijëve të dashur.

Me këtë rast dua të bëjë një thirrje të fortë për mbështetje të të gjithë institucioneve të gjithë shoqërisë dhe të gjithë qytetarëve kudo ku janë për të dhuruar sa më shumë solidaritet dhe dashuri dhe ndihmë në përkrahje të këtyre fëmijëve në mënyrë që ata të jenë tërësisht të mirëintegruar në shoqëri dhe në komunitetin ku jetojnë.

Prej vitesh ju përpiqeni të përmirësoni edukimin dhe shërbimet ndaj këtyre fëmijëve dhe e dimë që kjo është një punë mjaft e vështirë dhe e jashtëzakonshme. Dua t’ju siguroj për mbështetjen tonë edhe më të madhe në mënyrë që ta lehtësojmë edhe punën tuaj, por edhe që të ndërgjegjësojmë të gjitha institucionet dhe shoqërinë që kjo është edhe puna e të gjithëve ne.

Po kështu do të shtojmë përpjekjet për të ndërtuar një institut qendror ku fëmijët të mësojnë e të shfaqin talentet e tyre.

Si Madelina mund të ketë shumë vajza dhe djem shqiptarë që mund të arrijnë suksese kombëtare dhe ndërkombëtare dhe ne jemi përkrah të gjithë ju që punoni për këto qëllime.

Do të doja të përshëndesja në mënyrë të veçantë punën e palodhur të të gjithë aktivistëve të shoqërisë civile, e në mënyrë të veçantë e të jashtëzakonshme Qendrën Xhonatan!

U kënaqa shumë kur i thashë vajzës sime të vogël Erës, nëse do të vinte në këtë veprimtari, dhe pa i thënë fare që bëhej në bashkëpunim me Qendrën ‘Xhonatan’, më tha se: ‘Po. Unë kam qenë te Qendra ‘Xhonatan’. Dhe gëzohem për këtë fakt se kjo do të thotë se është bërë një qendër e dashur për këtë dashuri të veçantë e të jashtëzakonshme që u dhuron këtyre fëmijëve, për të gjithë fëmijët. Mendoj se ky solidaritet është tepër i rëndësishëm, sepse këta fëmijë jetojnë dhe bashkëjetojnë në komunitet me të gjithë fëmijët e tjerë.

Dhe duhet ta ndiejnë këtë solidaritet në mënyrë të veçantë nga të gjithë bashkëmoshatarët e tyre.

Jam i bindur se dyzet e tre familjet, për të cilat kujdeset në mënyrë të veçantë kjo Qendër do të jenë edhe më të shumta në të ardhmen. E dimë se njerëzit dhe ekspertët tuaj janë të palodhur, shkojnë në Kukës e në Bathore, mbështesin fëmijë nga Struga e nga Peqini e kudo.

Dhe ne do të përpiqemi që t’ju përkrahim akoma edhe më shumë për t’jua lehtësuar këtë mision të jashtëzakonshëm, që nuk ju fisnikëron vetëm ju, por të gjithë shoqërinë dhe gjithë institucionet tona.

Ne kemi një legjislacionin të përshtatshëm dhe nxitës për të përkrahur aktivitetet tuaja. Dhe do t’i ftoja të gjithë që të dhurojmë, sepse është një gjest madhështie të lumturosh fëmijët me dhurata sado modeste që ato të jenë. Sepse në radhë është çështje vëmendjeje, ndjeshmërie dhe solidariteti.

Të dashur fëmijë, ne e ndiejmë se kemi shumë detyrime dhe shumë punë për të bërë për ju, për të përmbushur më mirë nevojat tuaja të veçanta në mësim, edukim dhe në të gjithë vazhdimësinë e jetës për një mirëintegrim të plotë.

Në këtë angazhim ju, me punimet dhe arritjet tuaja jeni një inspirim i madh për të gjithë ne.

Punimet tuaja artistike janë më të bukurat që kam parë deri më sot. Ato bashkë me artin tuaj kanë brenda dhe dashurinë e pamasë për jetën, prandaj vazhdoni të krijoni e të ndërtoni, sepse ne të gjithë do të shumëfishojmë përpjekjet për t’u dhënë krahë ëndrrave tuaja!

Unë kartolinat e Festave të Fundvitit i zgjodha nga punimet e këtyre fëmijëve dhe ishte një kënaqësi e veçantë për mua, por edhe për institucionin e Presidentit. Këtë vend e zgjodhët ju sonte për të bërë këtë aktivitet dhe unë jam shumë i kënaqur, sepse kam qenë shpesh këtu, por asnjëherë ky pallat nuk ka pasur më shumë kuptim se sa sonte.

Sepse ka një dashuri të veçantë dhe është vërtet një pallat, që kontribuon për shumë aktivitete të tjera, por kam një sugjerim: nëse jeni lodhur pak për të ardhur deri këtu, në të ardhmen ambientet e Presidencës janë të hapura për të gjithë ju dhe atje është edhe më e lehtë për prindërit, për fëmijët, për të ardhur, për të zhvilluar aktivitete nga më të ndryshmet, për të hapur edhe ekspozita atje. Sepse i kemi të gjitha mundësitë, por edhe për t’ju bërë të qartë se unë si President nuk do të jem i angazhuar vetëm më 21 Mars në përkrahjen tuaj, por në mënyrë të vazhdueshme, që ne të bëjmë vërtet hapa përpara në këtë sfidë për të zbukuruar e për t’i dhënë një kuptim të plotë e të merituar jetës së këtyre fëmijëve dhe njëkohësisht për t’iu dhënë mundësi prindërve të tyre të ndihen krenarë në përpjekjet dhe sakrificat e panumërta që bëjnë për këtë qëllim.

Ju faleminderit, Ada! Një falënderim të veçantë e kam për mamanë e Madelinës, e cila gjithashtu ka një kontribut të jashtëzakonshëm që e ka mbështetur vajzën e saj për ta bërë një shembull, një model kudo dhe padyshim edhe sonte, këtu në vendin tonë!”

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco