Menuja e varfër e kopshteve të Tiranës, bashkia bie ndesh me standartet e OBSH-së

Menuja e varfër e kopshteve të Tiranës, bashkia bie ndesh me standartet e OBSH-së

08:37, 23/02/2018
A+ Aa A-

Një menu ushqimore e re ka filluar të zbatohet në çerdhe e shkollat e Tiranës, qysh prej datës 13 shkurt, e cila ka ngjalluar reagime dhe debate të ashpëra, vecanërisht nga prindërit.

Afishimi i menysë së re i ka kapur në befasi prindërit, të cilët në rradhë të parë po ankohen për shpërfilljen që u është bërë atyre për një çështje kaq të rëndësishme për mirëqenien e fëmijëve të tyre. Në të vërtetë, veprimi i Bashkisë Tiranë bie ndesh edhe me standardet e Organizatës Botërore të Shëndetit, e cila përcakton se për vendosjen e dietës ushqimore të fëmijëve parashkollorë duhet të kryhen dëgjesa me prindërit, ekspertët e shëndetit, edukatorët dhe fëmijët. Të vetmit që kanë patur njohuri mbi menunë ishin prindërit anëtar të bordeve të çerdheve, por edhe ata vetëm sa janë njoftuar dhe nuk janë pyetur.

Por reagimet ankesat e tyre kanë qenë më të ashpra për përmbajtjen e menusë—sasinë, shijet dhe gatimin e ushqimit—veçanërisht për ushqimin e grupmoshës 1-3 vjeç. Disa prindër, të kontaktuar nga Exit.al, pohuan se fëmijët nuk kanë ngrënë ose kanë ngrënë shumë pak në kopësht që nga futja e menusë së re. Të tjerë u ankuan se se fëmijët kanë pasur probleme me ushqimin ose kanë ardhur të uritur në shtëpi.

Hulumtimet tona sugjerojnë se menuja re është e varfër në përbërës, sidomos për vaktin e drekës, i cili është vakti kryesor që u jepet fëmijëve dhe duhet të jetë edhe më i pasuri dhe në sasi të kufizuara.

Menyja përbëhet më së shumti nga fruta e perime, në vetvete një gjë jo e keqe, por ato janë të pa mjaftueshme nëse nuk shoqërohen me sasitë e duhura të përbërësve po aq të rëndësishëm të brumit, si bukë, oriz, makarona etj.

Qumështi, që duhet jo vetëm të jetë i përditshëm, por deri 3 herë nëditë i përfshirë në dietë, në menunë e re përfshihet vetëm disa herë në javë. Mishi jepet vetëm 2 herë në javë (duke mos përfshirë këtu mishin e grirë që shoqëron kimën e makaronave në një vakt në javë, por që është e pamjaftueshme për t’u konsideruar si porcion më vete mishi). Supa, të cilën shumë prindër e konsiderojnë pjesë të shëndetshme të zakoneve të të ushqyerit, jepet vetëm ndonjëherë në javë.

Pjesa më e madhe e prindërve me të cilët bisedoi Exit.al u shprehen të pakënaqur për pamjaftueshmërinë e sasisë së ushqimit të ofruar. Ata raportojnë se në ditët kur serviret qumështi, sasia që jepet është vetëm ¾ e një gote standarde uji. Frutat jepen, gjithashtu, në sasi të vogla dhe prindërit raportojnë se në vaktet e ndërmjetme një frut ndahen mes tre fëmijëve. E njejta ndarje bëhet edhe për një kokërr vezë.

Një nga ankesat më të zëshme të prindërve është fakti se menuja e re përfshin ushqime pa shije të papërshtatshme për fëmiëjt, si tërshëra, buka e thekrës apo gjiza pa kripë, të cilat fëmijët po i refuzojnë t’i hanë.

Në mënyrë ironike, dy nga këshillat kryesore të OBSH-së janë që fëmijëve të mos u serviret ushqim që nuk u shijon, sado i shëndetshëm të konsiderohet ai, dhe që menuja e fëmijëve duhet të përshtatet më kulturën vendase të ushqimit.

Ajo çfarë e bën më shqetësuese gjendjen është fakti se bëhet fjalë për një grupmoshë, e cila është në proces të shpejtë rritjeje dhe që kryen aktivitet relativisht të lartë fizik e që, nuk duhet të kufizohet në përbërësit e ushqimeve. Për këtë arsye si institucionet e kujdesjes, ashtu edhe prindërit duhet të bëjnë kujdes të veçantë për t’i garantuar sasinë e përgjithshme të ushqimit të nevojshme për zhvillimin fiziologjik dhe mendor të fëmijës.

Përballë kësaj gjendjeje, Ministria e Shëndetësisë dhe Qendra për Zhvillimin Ekonomik dhe Edukimin e Fëmijëve (QEZHEF) ka zgjdhur të shpërfillë shqetësimin dhe të mos komunikojë me prindërit. Ndërkohë, Bashkia Tiranë dhe institucionet qeveritare e kanë lënë çdo gjë në dorë të një fushatë marrëdhëniesh me publiku, të drejtuar nga Zonja Blerina Bombaj, e cila ka përpiluar menunë ushqimore. Zonja Bombaj lëshon përditë deklarata mbi vlerat ushqyese të menusë së re, duke aluduar se përcaktimi i ushqimit të fëmijëve i takon ekspertit (pra, asaj vetë, si eksperte e vetëshpallur) dhe se prindërit janë të painformuar mbi ushqimin që duhet të konsumojnë fëmijët e tyre. Disa nga prindërit që kanë kontaktuar me zonjën Bombaj janë përballur me komunikim arrogant, egoist dhe fyes, tregues të qartë se as Ministria e as Bashkia nuk e kanë pritur një reagim të tillë.

Paradoksi më i madh në këtë situatë është se asnjë nga prindërit e intervistuar nga Exit.al nuk është shprehur kundër perimeve, as kundër zvogëlimit të përdorimit të reçelit, çokokremit apo margarinës, të cilat po përdoren në fushatën propagandistike qeveritare për t’i diskredituar shqetësimet e prindërve.

Për ta bërë sa më të besueshëm zgjedhjen e saj, Zonja Bombaj është shprehur se menuja e re respekton rekomandimet e OBSH-së dhe Departamentit amerikan të Bujqësisë, dhe ndonëse do të ketë reagime në fillim, me kohë, prindërit do të kuptojnë vlerën e mënyrës së re të të ushqyerit. Në një intervistë në media ajo pohoi se krijimi i menusë ka qënë “një kontribut vullnetar për fëmijët, që ata t’i largohen obezitetit të marrë që në moshë të vogël, e të marrin ushqimet e duhura me proteina, vitamina e gjithë elementët e tjerë që i duhen fëmijëve”.

Nisur nga këto pretendime të zonjës Bombaj, Exit.al bëri disa hulumtime të standardeve të OBSH-së dhe Departamentit amerikan të Bujqësisë.

Duhet sqaruar që në fillim se Organizata Botërore e Shëndetit jep vetëm rekomandime mbi normat e shëndetëshme të përbërësve ushqimor, pra, gramaturat e këshilluara për çdo produkt në bazë të moshës. Këto rekomandime, të botuara në rrjet dhe të verifikueshme nga çdo kush, mund të zbërthehen në plotë kombinime ushqimesh të shëndetëshme, ndaj pohimet e Zonjës Bombaj mbi padijen dhe mungesën e njohurive të prindërve nuk janë as të vërteta dhe as të “mirëushqyeshme”.

Ky qëndrim përforcohet edhe më tej nëse u referohemi menyve të përdorura për institucionet e nivelit parashkollor në SHBA dhe vende europiane, që tregojnë llojshmëri e sasi më të pasur ushqimesh, pa thënë që shumë vende perëndimore përdorin parimin e një menyje të ndryshme për çdo javë të muajit.

Në menytë e vakteve për fëmijet nga 1-3 vjeç, Departamenti amerikan i Bujqësisë këshillon si më poshtë.

Për mëngjes, të paktën 3 përbërës nga 5 grupet e ushqimit:

 1. Qumësht

 2. Fruta ose perime, ose të dyja

 3. Bukë integrale ose e bardhë, produkte brumi si biskota, petulla të ndryshme apo kifle, drithra të përforcuara apo përzjerje të disa llojeve të drithërave me fruta të thata apo mjaltë sipas moshës, etj.

Për drekë duhet nga një përbërës për të pestë grupët e ushqimit:

 1. Qumësht

 2. Mish pa dhjamë, peshk ose derivate të mishit, përfshi djath dhe vezë

 3. Perime

 4. Fruta

 5. Drithëra, në formën e bukës apo derivate të brumit si biskota, petulla, etj.

Për vaktet e ndërmjetme të paktën 2 përbërës nga 5 grupet e mësipërme të ushqimit.

Për të shfrytëzuar një tjetër referencë, atë të shtetit fqinj, Italisë, e cila njihet si një nga vendet më të shëndetshme në botë, kërkimet tona treguan se italianët nuk i kufizojnë aspak orizin, makaronat, mishërat, të skuqurat, bukën, qumështin, djathrat, përfshi atë parmixhano, apo kombinimet fasule me makarona. Ajo që kufizohet është gjithmonë sasia për secilën.

Në krahasim me çfarë ofrojnë këto meny, ajo e sapoparaqitur në çerdhet e Tiranës, shfaqet si një meny ndaluese, që respekton prirjet e fundit të dietave që reklamohen në rrjetet sociale, ku mbizotërojnë përbërës që përdoren rëndom për të humbur peshë nga të rriturit. Shembulli tipik është tërshëra, e cila në amerikë dhe vendet europiane nuk këshillohet kurrë të konsumohet nga fëmijët e pashoqëruar me ushqime të tjera.

Organizata Botërore e Shëndetit jep udhëzime edhe për cilësisë së produkteve, ruajtjen e ushqimit, trajnimin e personalit të kuzhinës, por në Shqipëri nuk është dëgjuar asnjë gjysmë fjale për këto kritere.

Duhet kujtuar se, jo shumë larg, më 15 dhjetor 2017, Albanian Food Industry zhvilloi jë sërë analizash të produkteve që tregtohen në vend, përfshi produkte të mishit qumështit dhe disa nënprodukte të tyre. Mishi dhe nënproduktet e tij kishin ngarkesë të lartë mikrobiale (në 2 raste), salmonelë (në një rast) dhe prani ngjyruesish (në 4 raste), Ndërsa qumështi dhe nënproduktet e tij kishin ngarkesë të lartë mikrobiale (në 1 produkt) dhe aflatoksinë (në 2 produkte). Megjithëse, Ministri i Bujqësisë Niko Peleshi u shpreh se i ka kërkuar AKU një verifikim mbi këto analiza, ende sot nuk dihet se cilat janë markat e testuara.

Reagimi më i papritur në të gjithë debatin mbi menytë e cerdheve dhe kopshteve të Tiranës ka ardhur nga Drejtoresha e QEZHEF, Zonja Zhaneta Beqiri, e cila deklaroi në emisionin Wake Up në Top Channel, më 23.02.2016, se dieta e re garantonte një balancë të shëndetshme të përbërësve ushqimor. Më saktë zonja Beqiri u shpreh:

“Përsa i përket menysë, në momentin që miratohet një meny nga Ministria e Shëndetësisë dhe ne kemi zbatimin dhe na takon detyra e nje zbatimi rigoroz dhe një gatimi cilësor të kësaj menyje. Në momentin që miratohet, përcaktohet, për çdo ditë, gramatura sipas menysë për secilin fëmijë. Me një fjalë është e saktë se sa karbohidrate duhet të konsumojë fëmija në një ditë, sa proteina duhet të konsumojë fëmija në një ditë, të ndara…”

Sikur të mos mjaftonte kaq, ajo konfirmoi atë që ne kemi argumentuar më sipër:

“Tek rekomandimet e OBSH, thotë që çdo vend, në hartimin e menysë, duhet të ketë parasysh modelin kombëtar ose dietik të vendit të vetë. Kështu që, edhe ne kemi mynyrën tonë të të ngrënit.

Ndërsa nuticionistja e këshilluar për menynë e vjetër, midis të tjerash tha:

“Nuk duhet të jetë asgjë e ndaluar totalisht, sepse do e bëj edhe më të lakmuar.”

Ndërkohë, po zonja Zhaneta Beqiri deklaroi për Ora News më 14.02.2018:

“Ka pasur ingridient në atë meny që nuk kanë qenë të shëndetshme, siç është çokokremi, grosha që përdorej edhe në muajt e verës apo sasia jo e duhur e karbohidrateve në krahasim me raportet e tjera proteina dhe yndyrna. Në këtë meny është kufizuar sasia e sheqerit dhe sasisa e kripës. Janë kufizuar yndyrnat e ngurta që merreshin nëpërmjet gjalpit dhe margarinës dhe janë zëvendësuar me yndyrna cilësore të vajit të ullirit. Menyja e re jo vetëm që plotëson nevojat sipas grupmoshave të fëmijëve për sasinë e duhur të kalorive dhe duke i ruajtur raportet proteina, karbohidrate dhe yndyrna, por është një menu e shëndetshme, cilësore dhe e shumëllojshme”.

Duke patur parasysh se si OBSH dhe Komiteti i Përhershëm i Kombeve të Bashkuara mbi Ushqyerjen i kanë identifikuar institucionet edukuese si agjentë kyç në edukimin mbi ushqyerjen e shëndetshme, marrja e masave për rishikimin e menyve në çerdhe e kopshte është gjithmonë e mirëpritur, nëse ajo merret seriozisht e respekton standardet apo procedurat institcionale.

Por mbi të gjitha, as Bashkia Tiranë, përmes QEZHEF, as ekspertët e ushqimit nuk munden kurrsesi të shpërfillin dhe trajtojnë si injorantë prindërit e angazhuar, të cilët duan të informohen e të pyeten mbi ushqimin që konsumojnë fëmijët e tyre dhe për të cilin ata paguajnë. Përkundrazi, institucionet duhet të inkurajojnë prindërit që të përfshihen e informohen sa më shumë në këto procese dhe në përgjithësi për ushqyerjen e fëmijëve të tyre.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco