Lajmi i fundit

10 fakte dhe ‘rastësitë domethënëse’ që provojnë përfshirjen e Olsi Ramës në dosjen ‘Xibraka’

TAP/ Si do shpërndahet gazi, ja qytetet që do furnizohen të parat

TAP/ Si do shpërndahet gazi, ja qytetet që do furnizohen të parat

17:01, 22/02/2018
A+ Aa A-

Teksa projekti i gazsjellësit Adriatiko-Jonian ka hyrë në fazën finale të ndërtimit dhe pritet të transportojë gazin e parë në vitin 2020, qeveria shqiptare ka miratuar edhe planin e zhvillimit të sektorit të gazit natyror në vend.

Në masterplanin e botuar në Fletoren Zyrtare, paraqitet edhe harta e detajuar e rrjetit të gazit që pritet të përfundojë tërësisht në vitin 2040.
Si shtyllë e të gjithë rrjetit do të shërbejë pikërisht tubacioni i TAP, i cili kalon përmes Korçës, Beratit dhe Fierit. Stacionet në këto qytete do të shërbejnë si “sythe” nga ku do të shtrihet më pas i gjithë rrjeti.

Brenda një periudhë afatshkurtër (2017-2020) pritet që rrjeti i transmetimit të arrijë fillimisht Fierin, Ballshin dhe Vlorën. Këto do të jenë edhe qytetet e para në Shqipëri, që do të kenë akses direkt në gazin e transportuar nga fusha Shah Deniz II në Azerbajxhan.

Prioritare në planin afatmesëm konsiderohet Shqipëria e Mesme dhe furnizimi i qyteteve kryesore të vendit. Nga viti 2021 deri në vitin 2025, pritet të përfundojë rrjeti në drejtim të Lushnjes, ku rrjeti do të degëzohet me një drejtim përgjatë Adriatikut dhe në drejtimin tjetër drejt Elbasanit. Gjatë kësaj faze, stacionet kryesore do të vendosen në Lushnje, Dumre, Elbasan 1 dhe Elbasan 2, Kavajë, Durrës, Pezë dhe Tiranë 1 e Tiranë 2. Zhvillimi i sistemit të transmetimit në këtë rajon do të mundësojë furnizimin e konsumatorëve industrialë dhe komercialë në Durrës dhe Tiranë.

Plani paraprak i zhvillimit dhe afatet kohore

Vetëm pas vitit 2026 do të nisë edhe shtrirja e rrjetit në drejtim të Shqipërisë Veriore, Jugore dhe Lindore. Stacioni i Ballshit do të shtrihet në drejtim të Tepelenës dhe Gjirokastrës. Stacioni i Korçës, i lidhur direkt me TAP, do të degëzohet drejt Pogradecit dhe kufirit me Maqedoninë pranë Qafë-Thanës.
Ndërkohë, burimi i gazit për veriun do të jetë Stacioni Tirana 1, i cili do të vijojë me stacione në Fushë-Krujë dhe Mamurras. Në afërsi të Milotit, rrjeti do të degëzohet duke ndjekur në njërën anë drejtimin nga Rrësheni, Kukësi dhe kufiri me Kosovën, ndërsa nga ana tjetër, Bushatin, Kufirin me Malin e Zi dhe Shkodrën.

Aksesi në këtë burim gazi do të krijojë mundësinë e reduktimit të ndjeshëm të faturës së energjisë elektrike, për familjet dhe bizneset që do të zgjedhin të ngrohen apo gatuajnë me gaz. Gjithashtu, qeveria ka identifikuar si projekte prioritare zhvillimin e TEC-it të Vlorës, zhvillimin e hapësirave të depozitimit të gazit në Dumre dhe në një periudhë më afatgjatë ndërtimin e TEC-eve në Korçë dhe Kuçovë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco