Unë jam Mirelator… - Nga Suada Daci

Unë jam Mirelator… - Nga Suada Daci

12:40, 18/11/2016
A+ Aa A-

Është kthyer në fenomenin e rrjeteve sociale kjo fjala me “tor” në fund. Çdokush që është fans i ndonjë VIP-i shkruan se është Dafinator, Elvanator, Kidator etj.

Me thënë të drejtën, studentja që lagu me salcë (jo shampanjë se ky është vetëm ekskluzivitet i Getit) nuk është VIP (dhe me siguri as që do ta cilësojnë të tillë), por është një njeri që i kanë prerë ëndrrën në mes… Dhe fatkeqësisht kjo ndodh vetëm në Shqipëri.

Mund të them me bindje të plotë se jemi vendi tipik për t’u prerë hovin talenteve, për të mos u dhënë mundësinë atyre që vërtet e meritojnë.

Në 11 vitet e fundit nuk mbaj mend asnjë shtator mos të sjellë probleme dhe pakënaqësi nga ana e studentëve për Ministrinë e Arsimit.

Më kujtohet kur konkurroja vetë për në universitet, kur ëndërroja të bëhesha një gjykatëse (jo alla Silvia Konti (prokurore më saktë, meqenëse ne në Shqipëri vdesim për të) se nuk bënë namin edhe ato që politika i quajti Silvia e që në të vërtetë ishin “kukulla Barbie”.)

Nejse, se u zgjata. E mendoja veten një gjykatëse të veshur me të zeza, edhe pse jo me atlete, teksa minimalisht merr mundimin të lexojë dosjen dhe mbi të gjitha të japë drejtësi.

Nuk u bëra dot sepse atë vit ishte sistemi i konkurseve të “famshme” dhe testi i Fakultetit të Drejtësisë rezultoi i vjedhur. Asokohe ishte ministër Luan Memushi dhe pas tij erdhën edhe shumë “Memushra” të tjerë, të cilët nuk i dhanë kurrë një zgjidhje këtij sistemi, që nesër pasnesër do t’u hapë rrugën intelektualëve të rinj…

Dëgjoj shpesh në biseda mes miqsh që fëmijët (e vetëm ose jo) duan t’i shkollojnë jashtë shtetit. Kjo për t’i bërë njerëz më të mirë dhe për t’i kursyer vetes disa probleme si ai i Mirelës.

Sepse po rritet një brez i lirë pa hijen e druajtjes dhe komunizmit, që mund të të qëllojnë jo më me salcë, por me ç’të kenë në duar… Dhe mirë e bëjnë.

Mjaft më!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco