Mund të jesh edhe ti ‘Babagjyshi Sekret’, ja nisma që dhuron buzëqeshje fëmijësh

Mund të jesh edhe ti ‘Babagjyshi Sekret’, ja nisma që dhuron buzëqeshje fëmijësh

19:46, 11/12/2017

Simboli i Polit të Veriut vjen në Shqipëri edhe këtë prag festash. Si në kohët kur zë fill legjenda e tij si mbrojtës fëmijësh, Babagjyshi edhe këtë vit, mbërrin për të risjellë buzëqeshjet fëminore.

Janë disa babagjyshë që netëve të ftohta kur tymi del mbi çati, udhëtojnë me slita për të shpërndarë surprizat që bëhen shpirti i festës. Një pako pranë oxhakut, një dhuratë pranë pemës, një zarf në derë, një lodër, një udhëtim... Vjet ishin më shumë se 800, e këtë vit presim ende më tepër. Ata do të ikin pa e kuptuar ju se kush janë, pas një ding-dongu në portën tuaj.

A jeni kuriozë të lexoni letrat që dërgojnë fëmijët nga e gjithë Shqipëria? Si i shkruajnë dhe çfarë kërkojnë? A keni ëndërruar ndonjëherë të jeni ju Babagjyshi? Të lexoni edhe falenderime? Është dikush që do t’ju flasë për “Babagjyshin Sekret” përgjatë një muaji dhe letrat që i mbërrijnë atij.

“Babagjyshi Sekret” është një projekt i konceptuar dhe i iniciuar prej “Connext” dhe “Shoqatës Ura”. Janë ata dhe elfët e babagjyshit që marrin letrat dhe paketojnë dhuratat duke ndihmuar babagjyshët të gëzojnë fëmijët.

Deri më 25 dhjetor, të gjithë fëmijët që nuk e kanë kaluar moshën 13-vjeçare mund të shkruajnë një letër plotë kreativitet dhe ta postojnë në çdo filial të Postës Shqiptare në adresën drejtuar: Babagjyshit, Poli i Veriut, Kutia Postare 47.

Letrat mund të lexohen në www.babagjyshisekret.al dhe kushdo prej jush mund të bëhet “Babagjyshi Sekret” për fëmijën ose fëmijët, letrat e të cilëve ju kanë prekur ose frymëzuar. Ju mund të zgjidhni të ndizni dritat e festave në një familje duke çuar atmosferë gëzimi.

Mos e humbni shpirtin e festave, si në kohët kur pemën e zbukuronim me vargje letrash. Tani, letrat janë ndryshe, ne duhet t’u përgjigjemi atyre. Le të shkruajmë përrallën tonë, le të bëjmë një “film” festash me gjeste të vogla. Mjafton shumë pak që edhe ju të jeni “Babagjyshi Sekret”.

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment