'Ja si Shën Nikolla u tjetërsua në  Santa Klaus ose Babbo Natale'

'Ja si Shën Nikolla u tjetërsua në Santa Klaus ose Babbo Natale'

14:18, 06/12/2017
A+ Aa A-

Nga Miron Çako, Përgjegjës i Zyrës së Katekizmit e KOASH-it.

Shën Nikolla lindi në shekullin e 3-të nga prindër të krishterë, Theofani dhe Nona, në Patara të Azisë së vogël (sot Demre, Antalja,Turqi). Emri i tij në greqisht Nikolaos do të thotë: “fitore e popullit” si bashkim i fjalëve; nika-fitore; laos-popull. Që foshnjë u dallua për devocionin e tij ndaj Zotit. Tradita thotë që të mërkurën dhe të premten pinte gji nga e ëma e tij vetëm në darkë. Mbeti jetim kur ishte në moshë të re, jetonte si murg dhe me pasurinë që trashëgoi nga prindërit, bënte bamirësi. U dorëzua prift dhe me nxitjen e një engjëlli u dorëzua episkop i qytetit të Mirës së Likisë. U dallua si episkop i mirë që jep jetën për besimtarët. U arrestua dhe u burgos në kohën e përndjekjeve pagane të perandorit  Diokletian (284-305) dhe lirua nga burgu kur sundimtar i Perandorisë Romake u bë Kostandini i Madh (274-337), i cili, me Indiktin e Milanos (313 pas Kr.), u dha lirinë e besimit të krishterëve dhe i liroi nga burgjet. Shën Nikolla u kthye përsëri te populli i tij në Mira dhe shkëlqeu akoma më shumë si kryeprift, duke u treguar si kanun drejtësie, si ikonë butësie.

Në Sinodin e Parë Ekumenik, që u mblodh në Nikea në vitin 325 (pas Kr.), shën Nikolla bashkë me 318 episkopë mbrojti doktrinën e hyjnisë së Jisu Krishtit si Bir i vetëlindur i Atit, kundër kryeheretikut Arios, i cili ishte prift nga Aleksandria dhe mohonte Hyjninë e Birit.

Në sinaksarin e tij thuhet se shenjtori liroi nga ekzekutimi me vdekje tre ushtarakë të lartë, të cilët ishin dënuar padrejtësisht nga shpifja. Ai iu shfaq në ëndërr perandorit Kostandin dhe qeveritarit Avlav, dhe ua bëri të qartë pafajësinë e ushtarakëve. Kur këta u liruan, u bënë murgj në episkopatën e shën Nikollës.

Me lutjet dhe me shfaqjet e tij, shën Nikolla ka shpëtuar jetën e shumë marinarëve dhe udhëtarëve në det. Një njeri që rrëshqiti në det në kohë stuhie, thirri “Shën Nikolla, më ndihmo!” dhe menjëherë u gjend i shpëtuar në shtëpinë e vet dhe ndërkaq rrobat e tij kullonin ujë deti. Për këtë arsye, shën Nikolla quhet mbrojtësi i marinarëve dhe i udhëtarëve në det dhe shumë anije dhe marinarë mbajnë si mbrojtje ikonën dhe emrin e shën Nikollës. Gjithashtu me lutjen e tij, ai ngjalli tre fëmijë, trupat e të cilëve ishin masakruar dhe hedhur në një vozë në breg të detit.

Por ajo që e dallon shën Nikollën është përdëllimi për njerëzit në vështirësi. Njëherë, një i pasur në qutetin e tij humbi pasurinë dhe ra në dëshpërim dhe mendoi që të tri bijat e tij t’i nxirrte në rrugë që të fitonin para me prostitucion. Shën Nikolla e mori vesh këtë gjë dhe fshehurazi hodhi në shtëpinë e këtij njeriu fatkeq para të futura në çorape, ku i shkruante që këto ai t’i përdorte për të martuar vajzën e parë. E njëjta gjë u përsërit edhe për vajzën e dytë dhe të tretë. Prindi, të cilit i ishte bërë kjo bamirësi, përgjonte për të parë se kush ishte bamirësi i tij dhe, kur e mori vesh që ishte shën Nikolla, i ra në gjunjë dhe e falënderoi. Shën Nikolla e qortoi për dëshpërimin dhe vendimin e tij të gabuar dhe i tha të shpresonte te Zoti, i Cili nuk i braktis kurrë njerëzit që i luten Atij dhe e urdhëroi të mos i tregonte njeriu për bamirësinë e tij. Kjo është arsyeja që shën Nikolla nderohet vençarisht si shenjtor që u ndan dhurata njerëzve në nevojë dhe sidomos fëmijëve.

Vdekja e shën Nikollës më 6 dhjetor i trishtoi besimtarët që vajtonin për humbjen e bamirësit të tyre. Trupi i tij u varros në Mira dhe prej tij gjithmonë buronte miro e shenjtë (vaj aromatik), që besimtarët e merrnin për bekim e shërim. Lipsanet (eshtrat) e shën Nikollës gjenden prej shekujsh në Itali. Në vitin 1087 qyteti i Miras ra në duart të saraçenëve dhe lipsanet e shejntorit rezikonin të shkatroheshin,për këtë arsye qyteti italian i Barit ngriti një ekspeditë për të gjetur varrin e shenjtit. Marinarët italianë morën lipsanet e shën Nikollës dhe i dërguan në Bari më 9 maj, dhe ruhen atje deri më sot. Një bazilikë u ndërtua në të njëjtin vit për të ruajtur lipsanet dhe zona u bë një vend pelegrinazhi për besimtarët. Edhe në Bari, lipsanet vazhdojnë të burojnë miro të shenjtë deri më sot, të cilën besimtarët e marrin për bekim edhe shërim.

Marinarët nga Bari sollën vetëm gjysmën e skeletit të Nikollës, dhe gjysmën tjetër, pra pjesët e tjera, i lanë në varr. Këto i morën marinarët venecianë gjatë Kryqëzatës së Parë dhe i dërguan në Venecia, ku u ndërtua një kishë tjetër dedikuar shën Nikollës, mbrojtësit të marinarëve (San Nicolò al Lido). Kjo traditë u konfirmua në dy hulumtime të rëndësishme shkencore të lipsaneve në Bar dhe Venecia, të cilat zbuluan se lipsanet në të dyja qytetet italiane i përkasin të njëjtit skelet. Shën Nikolla u shpall më vonë si një shenjt mbrojtës i shumë grupeve të ndryshme, për harkëtarët, marinarët dhe fëmijët e grabitur. Nderimi i tij si shenjt mrekullibërës është përhapur në gjithë botën. Për nder të tij ka shumë kisha dhe emërtime vendesh pothuajse në çdo vënd edhe në Shqipëri. Ai është gjithashtu shenjt mbrojtës i Amsterdamit dhe Moskës.

Në kishën katedrale që mban emrin e tij në Lezhë  u varros më 17 janar 1468 trupi i heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Në Kishën Orthodhokse, shën Nikolla është shenjtori që na nxit të bëjmë hapin e parë të përgatitjes drejt festës së Krishtlindjes, më 25 dhjetor. Në të kremten e shenjtorit psalen himne të ndryshme që na nxisin të fillojmë përgatitjet për të pritur Krishtlindjen: Ja një tropar:

“Betlehem, përgatitu, le të stoliset grazhdi;

shpella le të presë, erdhi e vërteta”.

Kjo është arsyeja që në shtëpitë e të krishterëve në datën 6 dhjetor vendosen shenjat, simbolet e Krishtlindjes, si grazhdi ose pema e krishtlindjes.

Por sot në shoqërinë e konsumit, sidomos në perëndim, ku njerëzit janë larguar nga Perëndia i vërtetë dhe për perëndi kanë bërë barkun, kënaqësitë  dhe pasionet e tyre , figura e shën Nikollës është transformuar në një plak pa identitet, që ndan dhurata që nuk dihet se nga vijnë. Në perëndim, shën Nikolla njihet me emra të ndryshëm: Në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada si Santa Clous; në Gjermani si Ëeihnachtsmann ose Christind; në Gjermaninë Jugore dhe në Itali si Babbo Natale; Në vendet frankofone,”Pere Noël”, që me një emër të përbashkët ka kuptimin në shqip “Babai i Krishtlindjes” ose “Plaku  i dimrit”, “Plaku i Vitit të Ri”.

   Por, a është i njëjti person Shën Nikolla dhe Santa Klausi?

Historiku i Santa Klausit fillon në shek 15- të. Gjatë Mesjetës, në mbrëmje të vigjiljes së ditës së emrit të shën Nikollës, më 5 dhjetor, fëmijëve u ndanin dhurata në nderim të tij. Kjo datë, që ishte dita e dhuratave për fëmijët, u zhvendos në datën 24 dhe 25, gjatë Reformës Protestante, në shumë vende ku reforma gjeti terren, që të kundërshtonte nderimin e shenjtorëve. Dhe zakoni i shpërndarjeve të dhuratave te fëmijët në Krishtlindje, më 25 dhjetor, është përhapur nga Martin Luteri, si një alternative tjetër kundër zakonit të mëparshëm shumë të popullarizuar të shën Nikollës. Luteri e bënte këtë gjë që ta drejtonte interesin e fëmijëve vetëm te Krishti, dhe të arrinte kështu t’i largonte nga nderimi i shenjtorëve të Tij. Martin Luteri sugjeronte vetëm Krishtin si dhurues të dhuratave dhe jo shenjtorët. Por  ky është një mësim i gabuar, sepse edhe shenjtorët shpërndajnë Hirin e Krishtit, ashtu si Zoti ju tha nxënësve të tij: “Kush pranon atë që dërgoj unë, më pranon mua” ( Joani 13:20)

Kështu, nderimi i  shën Nikollën, dalëngadalë u tjetërsua në  Santa Klausi ose Babbo Natale.

Në Evropën kontinentale (më saktësisht në Holandë, Belgjikë, Austri dhe Gjermani) ai zakonisht portretizohet si peshkop me rroba kanonike, sepse ndërgjegjja popullore është shumë e fortë dhe e nderon atë si episkop. Por, ajo që vihet re në këto vende, është se figura e Santa Klausit është përzier me mitologjinë pagane të popujve gjermanikë para Krishtit. Disa mendojnë se Santa Klausi gjithashtu thith elementet e perëndisë gjermane Ëodan dhe për Hollavdezët Odin.Mjekra e madhe e bardhë e Santa Klausit ishte karakteristik e  Ëodan.

Edhe tradita e Santa Klausit, që hyn në banesa e njerëzve nga oxhaku, është me origjinë pagane parakristiane, e “zotit” Odin që shpesh hynte nëpër oxhaqe në stinën e dimrit. Po ashtu në traditën italiane, Befana, magjistarja, mbulohet vazhdimisht me blozë nga udhëtimet e saj poshtë oxhaqeve të shtëpive të fëmijëve. Hyrja e Santa Klausit në shtëpi në prag të Krishtlindjes nëpërmjet oxhakut u bë pjesë e traditës amerikane përmes poemës “Një Vizitë nga Shën Nikolla”. Në shtëpitë që nuk ka dritare hapur në çati, lihet hapur një derë e jashtme që Santa Klausi të mund të hyjë lehtësisht. Përpara se dhuratat të vendosen poshtë pemës, etiketat për dhuratat e fëmijëve nganjëherë janë të nënshkruara nga prindërit e tyre “Nga Santa Klausi” E gjitha kjo traditë është  gërshetuar  me historinë e shën Nikollës që hodhi monedha nga një dritare dhe në një version tjetër, nga oxhaku.

Anglia nuk e mbajti më ditën e festës së shën Nikollës më 6 dhjetor. Në Angli “Father of Christmas”(Babai i Krishtlindjes) daton qysh në shekullin 16-të gjatë sundimit të Henrit VIII, ku ai u paraqit si një njeri i madh, me rroba të gjelbra ose të kuqe të ndezur. Ai simbolizoi frymën e gëzimit të mirë në Krishtlindje, duke sjellë paqe, gëzim, ushqim të mirë dhe verë. Ringjallja Viktoriane e Krishtlindjes, gjysma e shekullit 16-të, e përfshiu atin e krishtlindjes si emblemën e “gëzimit të mirë”.

Shën Nikolla, i njohur në gjuhën holandeze si Sinterklaas, u bashkua me karakterin anglez të atit të Krishtlindjes. Në kolonitë angleze dhe më vonë britanike të Amerikës së Veriut, dhe në Shtetet e Bashkuara, versionet britanike dhe holandeze të dhuruesit u bashkuan më tej. Për shembull, Sinterklaas u amerikanizua në “Santa Klaus” (një emër i përdorur për herë të parë në shtypin amerikan më 1773, por humbi veshjen e tij të peshkopit dhe fillimisht u paraqit si një marinar holandez me një pallto të gjelbër dimri.

Santa Klausi përshkruhet përgjithësisht si një njeri i hijshëm, i gëzuar dhe me mjekër të bardhë – nganjëherë me syze – të veshur me një pallto të kuqe me jakë të bardhë leshi dhe pantallona të kuqe e të bardha leshi, rrip të zi lëkure dhe çizme dhe që mban një qese plot me dhurata për fëmijët. Ky imazh u bë popullor në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada që në shekullin19-të, për shkak të ndikimit të rëndësishëm të poemës “Një Vizitë nga Shën Nikolla” dhe karikaturave politike të Thomas Nast (1840-1902),. Ky imazh është ruajtur dhe përforcuar deri më sot, përmes këngëve, radios, televizionit, librave për fëmijë, filmave dhe reklamave.

Popullariteti i imazhit të Santa Klausit me rroba të kuqe ishte shpikur edhe nga kompania “Coca-Cola”, ku në reklamat e kompanisë Santa Klausi u vesh me ngjyrë të kuqe dhe të bardhë, sepse ato janë ngjyrat e përdorura për të reklamuar markën Coca-Cola. Santaja e kuqe e përshtatshme u krijua si një mjet marketingu nga Coca-Cola, dhe është simbol i komercializmit. Shumë reklama televizive, skeçe komike dhe media të tjera e përshkruajnë këtë si një lloj biznesi me humor. Ideja e një gruaje për Santa Klausin mund të ketë qenë krijimi i autorëve amerikanë, duke filluar nga mesi i shekullit 19- të.

Thuhet se Santa Klausi bën listë të fëmijëve në të gjithë botën, duke i kategorizuar ata sipas sjelljes së tyre “të mirë” dhe “të këqij” dhe “për të mirët”, pra ata që kanë sjellë të mirë, ofron dhurata, si lodra dhe karamele; për “të këqijtë” pra për fëmijët me sjellje të keqe, ofron vetëm thëngjill në natën e vetme, në prag të Krishtlindjes. Ai realizon këtë me ndihmësit  e tij (elfat) krijesa të mbinatyrshme me origjinë pagane, të cilët bëjnë lodrat në punishten e tij në Polin e Veriut dhe drerët e  tij të fluturimit, të cilët e tërheqin slitën e tij  të ngarkuar me dhurata në qiell.

“Ho ho ho!”, është mënyra se si Santa Klausi qesh. “Ho, ho, ho! Gëzuar Krishtlindjen!” Qeshja e Santa Klausit ka qenë prej kohësh një atribut i rëndësishëm me të cilin identifikohet karakteri i tij, por gjithashtu poema tradicionale e Krishtlindjes Neë York më 23 dhjetor 1823. “Një vizitë nga Shën Nikolla” e Clement Clarke Moore (1779-1863), profesor i Letërsisë Orientale dhe Greke në Kolegjin Kolumbia, që  tregon se Santa Klausi ka “një bark të vogël të rrumbullakët; ky tronditet kur qesh, si një tas plot pelte”.

Në traditën e Amerikës së Veriut (në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada), Santa Klausi jeton në Polin e Veriut, kurse,  sipas një tradite kanadeze, ai qëndron brenda juridiksionit kanadez në kodin postar “H0 H0 H0”. Ekziston edhe një qytet i quajtur Poli i Veriut në Alaskë, ku është vendosur një atraksion turistik i njohur si “Shtëpia e Santa Klausit”. Shërbimi Postar i Shteteve të Bashkuara përdor kodin ZIP të qytetit ,99705 si kod postar që reklamohet për Santa Klausin.

Pra, nga gjithë sa përmendëm, kuptojmë që shenjtori i madh shën Nikolla, i cili pasqyron disa nga virtytet më të larta të krishtera, si: të pastërtisë morale, përdëllimit, vetëmohimit, dashurisë, drejtësisë, gjatë proçesit historik, të influencuar nga  mësimet e gabuara heretike për rolin e shenjtorëve dhe nga mitet pagane që rishfaqen në një shoqëri sekulare materialiste të lakmisë për fitim dhe sot të reklamave mediatike, është shpërfytyruar padrejtësisht në një plak si “Santa Klausi” ose “Babo Natale”, por ky nuk është shën Nikolla i vërtetë. Santa Klausin e tillë mos e besoni si shën Nikollën dhe mos i gënjeni fëmijët se u sjell dhurata.Kjo është e dëmshme, pavarsisht se duket argëtuese tek fëmijë dhe romantike tek të rriturit, ne krijojmë pa dashur një imazh të sajuar marketingu i ngatërruar me bestytni që kërkon të eklipsoj  dhe mohoj shejntorin dhe veprën e tij në shërbim të njerëzve dhe ta trasformojë Krishlindjen në një festë komerciale, pagane, profane d.m.th, Krishtlindje pa Krishtin “Foshnjen Hyjnor”.Kjo vepër në kufijt e blasfemisë nuk është vepër vetëm e njerëzve dhe kulturave të tyre, por pas të gjithë kësaj qëndron e  fshehur  fryma gënjeshtare e djallit i cili kërkon të na largojë nga Zoti dhe shejntorët me dhe të shkojmë pas tij në humbje e përjetëshme,ashtu si Zoti ju tha atyre që se besonin:“Ju jeni nga djalli, që është ati juaj, dhe doni të bëni dëshirat e atit tuaj; ai ishte vrasës që nga fillimi dhe nuk qëndroi në të vërtetën, sepse në të nuk ka të vërtetë. Kur thotë të rrema, flet nga vetvetja, sepse është gënjeshtar dhe ati i gënjeshtrës”.(Joani 8:44)

Shën Nikolla ekziston si shenjtor i krishterë edhe është gjithmonë në veprim dhe ndihmon me hirin e Zotit ata që e thërrasin me besim për ndihmë, si: marinarët, të padrejtësuarit, fatkeqët, të varfrit, të braktisurit, fëmijët,  prindërit dhe çdo njeri në nevojë që e thëret.

Lutja që ne mund t’i drejtojmë kudo, është:Shën Nikolla, lutju Zotit Krisht Perëndi për ne! Amin!

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco