Akuzat/ Ministria emëroi në krye të spitalit ish-kandidatin e PS për deputet, mjekët reagojnë ashpër...

Akuzat/ Ministria emëroi në krye të spitalit ish-kandidatin e PS për deputet, mjekët reagojnë ashpër...

21:42, 24/11/2017
A+ Aa A-

Ministria e Shëndetësisë vendosi pak ditë më parë emërimin e Vilson Masmalajt në krye të spitalit të Shkodrës. Por duket se ky vendim ka shkaktuar një reagim të fortë të ekipit mjekësor në këtë qendër spitalore rajonale, pasi i shpalluri si fitues nuk ka asnjë lidhje me shëndetësinë, pasi është diplomuar për ekonomik.  Akuza që vjen prej mjekëve është ajo se konkursi ka qenë fiktiv për faktin se provimi me shkrim dhe me gojë ka pasur pyetje shkencore rreth mjekë sisë dhe menaxhimit të shëndetësisë,  para një komisioni prej 12 vetash.

Në garë dy kandidaturat e mundshme për t’u shpallur fitues kanë qenë drejtori që ishte deri më tani, Përparim Çela, dhe gjinekologu Senad Halluni. Por Ministria e Shëndetësisë nuk shpalli asnjërin prej tyre fitues, duke renditur në vend të parë kandidatin për deputet të PS-së në zgjedhjet e 2017- s, Vilson Masmalaj.

Sikundër raportohet, Urdhri i Mjekut ka zhvilluar një takim me mjekët e spitalit rajonal për të shprehur indinjatën e tyre në lidhje me emërimin në krye të këtij spitali të Vilson Masmalajt.  Sipas burimeve, mjekët e Shkodrës nuk e kanë mirëpritur këtë përzgjedhje që ka bërë Ministria e Shëndetësisë, pasi Vilson Masmalaj nuk ka lidhje me shëndetësinë dhe nuk mund të jetë në krye të shëndetësisë në Shkodër.

Urdhri i Mjekut gjatë diskutimeve të zhvilluara ka kërkuar që ministria të mos emërojë zyrtarisht Masmalajn si drejtor të spitalit, duke pasur dyshime për mënyrën se si ka fituar. Gjithashtu do të kërkohet që në drejtim ose të vijojë mjeku që ishte deri më tani drejtor, Përparim Çela, ose gjinekologu Senad Halluni, i cili u rendit i dyti në këtë proces të gjatë konkurrimi. Në fund të mbledhjes, Urdhri i Mjekut në Shkodër përgatiti një shkresë zyrtare që pritet t’i dërgohet ministrisë në lidhje me këtë rast. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco