Lajmi i fundit

ÇIM PEKA LIVE/ Droga e Xibrakës

Nuk ka rritje pensioni në 2018, vetëm indeksim

Nuk ka rritje pensioni në 2018, vetëm indeksim

08:01, 23/11/2017
A+ Aa A-

Fondi 1.8 miliardë lekë i akorduar për politikat e pensioneve nuk mundëson rritje, por vetëm indeksim për të gjitha pagesat që trajtohen si pensione. Nuk ka pará shtesë as pagat e administratës

Fondi i indeksimit të pensioneve për vitin 2018 do të jetë në vlerën e 1 miliard e 820 milionë lekëve. Sipas raportimeve të Ministrisë së Financave pranë Komisionit të Shëndetësisë dhe të Çështjeve Sociale, edhe fondi i nxitjes së punësimit nuk do të ketë ndryshim nga ai i një viti më parë. Ky fond do të jetë në vlerën e 490 milionë lekëve. “Fondi për indeksimin e pensioneve është parashikuar në vlerën 1 miliardë e 820 milionë lekë. Këtu doja t’i referohesha ligjit 7703 dhe konkretisht nenit për indeksimin e përfitimeve, ku shprehimisht thuhet se pensioni social, pensionet e pleqërisë, ato të invaliditetit, pensionet familjare si dhe të ardhurat nga aksidentet në punë dhe sëmundjet profesionale indeksohen çdo vit për të kompensuar pasojat e ndryshimeve të çmimeve të mallrave dhe të shërbimeve të zgjedhura, për nivelin minimal të jetesës së pensionistëve”, deklaroi juristja e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë në Komision. Deputetët e djathtë nuk e kanë mbështetur këtë fond, duke thënë se kjo është një shumë nga e cila 640 mijë pensionistët nuk  kanë asnjë përfitim.

Mashtrimi i qeverisë

Pothuajse në të gjitha diskutimet në komisionet parlamentare, ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj e ka “shitur” fondin që akordohet në zërin e pensioneve si një shtesë që do të përmirësoje jetesën e pensionistëve në vend. Të njëjtën  retorikë ka përdorur edhe për fondin e pagave, i cili në llogaritjet bazë që janë bërë nga ekspertët, rezulton që të mos favorizojë administratën, por mund të prekë vetëm disa sektorë.

Në projektbuxhetin e vitit 2018 fondi në total për rritjen e pagave dhe pensioneve llogaritet 2.8 miliardë lekë, ndër të cilat 1 miliard për politikat e reja të pagave dhe 1.8 miliardë për pensionet. Në rast se krahasojmë shifrat e dala nga buxheti i këtij viti dhe buxhetit të planifikuar për vitin e ardhshëm, duket qartë se ka një mungesë  indeksimi sidomos në paga. Këto të fundit nuk kanë asnjë shans të pësojnë rritje, pasi fondi shkon 1 miliard lekë nga 5.5 miliardë që u planifikua këtë vit. Po kështu edhe për pensionet, nuk mund të merret në konsideratë asnjë lloj rritje që do të ndikonte vërtet në xhepat e pensionistëve, pasi fondi ulet me 700 milionë lekë krahasuar me këtë vit.

Pra, nga 2.5 miliardë lekë, fondi tani është 1.8 miliardë lekë dhe këtu Financat bëjnë edhe një gabim të dytë, pasi nuk llogarisin rritjen që pëson numri i personave në pension.  Kjo vlen, edhe për pagat, ku numri i punonjësve në administratë do të pësojë rritje nga 81 617 punonjës, bëhet 81660, dhe paratë që ndahen për politika të reja pagash janë shumëfish më të pakta. Ajo për çka duhet të gëzohen pensionistët është vetëm shpërblimi i fundvitit, i cili edhe ky krahasuar me vitin  e kaluar që i paraprinte zgjedhjeve është përgjysmuar nga 6000 lekë në 3000 lekë.

Shpërblimet

Në datën 9 nëntor, ministri Ahmetaj tha se pensionistë në të gjithë vendin do të përfitojnë edhe këtë vit shpërblimin për festat e fundvitit, në vijim të paketës së solidaritetit për pensionistët. Ai foli edhe për rritjen. “Nga muaji maj 2018, pensionistët do të përfitojnë edhe rritjen e pensionit. Fondi do të jetë 1.8 miliardë dhe indeksimi i pensioneve do të jetë më i lartë se norma e inflacionit. Më tej ai përmendi edhe kategoritë që përfitojnë sipas rastit shpërblim. Pensionistët që do marrin shpërblim: Pensionistët që marrin pension sipas ligjit për pensionet e anëtarëve të ish-kooperativave bujqësore.

Pensionistët që marrin pension pleqërie, invaliditeti, familjar dhe pension social. Personat qe marrin trajtim të veçantë të punonjësve që kanë punuar në miniera, në nëntokë. Pensionistët që marrin pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi në Forcat e Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ, të Policisë së Burgjeve, të policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të shpëtimit të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm. Pensionistët që marrin pension për punën e kryer në miniera dhe nën tokë./shekulli

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco