Me veteranët shqiptaro-amerikanë të Bostonit

Me veteranët shqiptaro-amerikanë të Bostonit

08:41, 14/11/2017
A+ Aa A-

Ishte hera e parë që merja pjesë në një veprimtari të tillë. Nismëtar për të shkuar në këtë takim, i cili organizohej më 11 Nëntor me rastin e Ditës së Veteranëve, u bë Petrit Alibej, i kudondodhur në veprimtaritë e shqiptarëve në Boston e qytete te tjere te Amerikes. Tok me ne është edhe Kosta Papajani, gjyshi i të cilit ka qënë veteran në Amerikë. Si vend për organizimin e veprimtarisë ishte zgjedhur restorant “Alba” në qytetin Quincy, me pronar shqiptarin Leonard Keka, me origjinë nga Shkodra.

Nga Fuat Memelli. Illyria

Në hyrje të lokalit na pret kryetari i Shoqatës së Veteranëve të Bostonit, zoti Ronald Nasson. Një veteran tjetër, na vendos në gjoks stemën e këtyre veteranëve, ku është stampuar bukur flamuri shqiptar dhe ai amerikan. Në lokal takojmë edhe shqiptarë të tjerë, si konsullin e Nderit të Shqipërisë në Boston, zotin Van Kristo, njëkohësisht veteran i Luftës së Dytë Botërore, kryetarin e Shoqatës “Mass.Besa” Mark Kosmo, veprimtaren e kësaj shoqate, Liljana Orgocka, ndërsa nga Usteri ka ardhur Franklin Zdruli (veprimtar i palodhur në këtë qytet) me një grup shokësh, etj.

    Në fillim përshëndet kryetari i shoqatës së veteranëve, Ronald Nasson, i cili uron kolegët e tij si dhe pjesëmarrsit e tjerë për këtë ditë të shënuar. Më pas, një moment solemn: dy flamurmbajtës, njëri me flamurin amerikan dhe tjetri me atë të veteranëve të Bostonit, kalojnë para pjesëmarrësve. Ky moment, pasohet nga një këngë patriotike që e këndojnë veteranët dhe pjesëmarrës të tjerë, me titull: “ Shtëpi, e dashur shtëpi”.(Është fjala për Amerikën.) Me flamurin amerikan përpara dhe me tingujt e kësaj kënge, ata kanë marë pjesë në sa e sa beteja, të gatshëm për të sakrifikuar edhe jetën, siç e dhanë shumë bashkëluftëtarë të tyre.. Disa nga veteranët, sollën kujtimet e tyre nga lufta. Ata janë rreth të 90-ave por i ruajnë në kujtesë ato vite kur luftohej për lirinë e popujve. Një përshëndetje të veçantë dha nëpërmjet telefonit, një veteran që punon në Shtëpinë e bardhë. Ai quhet Kristofer Kosta, ka origjinë shqiptare dhe një karierë mjaft të pasur ..Aktualisht mban detyrën e asistentit special të presidentit dhe drejtor kundër terrorizmit në Shtëpinë e Bardhë.

    RONALD NASSON – NJË MUZE I GJALLË

    Figura kryesore në këtë veprimtari, ishte Ronald Nasho, kryetar i shoqatës. I ka kaluar të 80-at, por është plot energji. Ai është edhe moderator i takimit. Ka qënë dy vjet me forcat e armatosura amerikane në Korenë e Jugut, në vitet 1953-1955. E pyesim për të na treguar diçka për veteranët shqiptaro-amerikanë të Bostonit si dhe vlerësimin që i bëhet veteranëve në Amerikë. Dhe ai na tregon:- Grupimi i parë i veteranëve shqiptaro-amerikanë, u bë në vitin 1946. Kanë kaluar 71 vjet që është krijuar ky grupim. Si shtet i Massachutsses, në fillim kishte 300 veteranë ndërsa vetëm Bostoni, kishte 100. Këta veteranë kishin luftuar në Paqësor dhe Europë e konkretisht në Japoni, Francë , Gjermani, etj. Sot numuri i veteranëve të Luftës së Dytë Botërore në Boston, është pakësuar shumë. Kanë mbetur vetëm 12 vetë. (E thotë me keqardhje këtë shifër, pasi shumica e bashkëluftëtarëve, nuk jetojnë më.)Edhe këta janë rreth të 90-ave. Ka veteranë të tjerë të mëvonshëm, por ata janë të shpërndarë dhe nuk kemi mundur t’i verifikojmë. Lidhur me vlerësimin e figurës së veteranëve në Amerikë, ata këtu janë shumë të nderuar. Krahas respektit që gëzojnë në shoqëri, gëzojnë edhe disa privilegje nga shteti si për shëmbull: kujdes të veçantë shëndetësor, vendosen në punë të mira, kanë favore në edukimin e tyre (shkollim kur janë të rinj), etj. Në rast se ka marë plagë në luftë, krahas pensionit të zakonshëm, veterani gëzon edhe një pension plus. Pas vdekjes së tij, shteti kujdeset për bashkëshorten, etj.

    Nga veterani mësuam edhe diçka tjetër. Në maj të vitit 2014, ai ka qënë në Korçë ku në bashkëpunim me pushtetin lokal, në një nga rrugët e qytetit, kanë vendosur një pllakë përkujtimore me emrat e 25 amerikanëve ( shumica me origjinë shqiptare), pjesë e regjimentit të OSS-it në Bari të Italisë (Zyra e Shërbimeve Strategjike), të cilët kanë luftuar në Shqipëri në vitet e Luftës së Dytë Botërore. Për këtë kontribut ,është folur pak ose aspak në regjimin e kaluar. Atë ditë në ceremoni ka përshëndetur ish ambasadori amerikan në Shqipëri Aleksandër Arvizu, ish presidenti Alfred Moisiou, peshkopi i Korçës, Hirësia e tij, Johani, i cili bëri lutjen për këta luftëtarë, etj. Duke folur ne ate dite veterani shqiptaro- amerikan, ka theksuar:”Sot nderohen sakrificat e bijve te shqiponjave”. Edhe këta 25 luftëtarë si dhe shumë veteranë të tjerë shqiptaro-amerikanë, janë një gur tjetër i çmuar në themelet e miqësisë midis dy popujve tanë.

    NJË PASARDHËS VETERANI

    Një nga pjesëmarrësit në takimin e bukur të veteranëve të Bostonit, ishte edhe Kosta Papajani, me origjinë nga Dropulli i Gjirokastrës, por që prej 17 vjetësh jeton në Boston. Gjyshi i tij nga nëna, Vasil Androutsos me origjinë nga fshati Bodrishtë, ka ardhur në Amerikë në vitin 1917. Një vit më vonë, ai rreshtohet në rradhën e luftëtarëve amerikanë, duke qënë pjesë e trupave të artilerisë në Francë. Ka ndrruar jetë në Amerikë në vitin 1978. Në nderim të figurës së tij si veteran , i është vënë emri një rruge në Neë York, dhe konkretisht rrugës: Driver 43 në Manhaten. Është ky një nder jo vetëm për familjen e të afërmit, por edhe për ne shqiptarët.

    Duke folur për gjyshin, Kosta na tregon një dosje me plot të dhëna për figurën e tij . Aty ka fotografinë e gjyshit me familjen dalë në Shqipëri, dëshminë e pjesëmarrjes në luftë, atë që mban emrin rruga ,etj. Gjyshi veteran, është edhe arsyeja që Kosta Papajani prej disa vjetësh, mer pjesë në veprimtaritë e veteranëve shqiptaro-amerikanë të Bostonit.

    * * *

    Në mbyllje të këtyre shënimeve, desha të theksoj se Amerika ka gjithësej 20 milionë veteranë. Këtu përfshihen jo vetëm ata që kanë marë pjesë në luftra, por edhe të tjerë, burra e gra, që kanë shërbyer ose shërbejnë ende në repartet e forcave të ndryshme të armatosura. Amerika, ky vend i lirisë dhe demokracisë, i do dhe vlerëson veteranët këta bij e bija të vet, që kanë sakrifikuar e sakrifikojnë për lirinë e popullit amerikan dhe të popujve të tjerë nëpër botë.

    © SYRI.net

    Lexo edhe:

    Komentet

    Shto koment

    Denonco