Habit zv/kryetari i Komisionit të Shëndetësisë në Senatin Italian: Vajza ime po studion në Shqipëri për mjekësi

Habit zv/kryetari i Komisionit të Shëndetësisë në Senatin Italian: Vajza ime po studion në Shqipëri për mjekësi

21:00, 21/10/2017
A+ Aa A-

Zëvendëskryetari i Komisionit të Shëndetësisë në Senatin Italian, Luigi Manca ka deklaruar se vajza e tij ka ardhur në Shqipëri për të studiuar për mjekësi. Sipas tij, mjekësia ka qenë ëndërra e vajzës së tij dhe këtë ajo po e realizon në Shqipëri.

Luigi Manca e ka bërë publike këtë fakt me një shkrim të tij të botuar në median italiane, ku tregon se si sistemi italian është në degradim, ndërsa Shqipëria është një mundësi e mirë për të gjithë të rinjtë për të studiuar.

Shkrimi i Luigi Manca në median italiane:

Kanë ndryshuar rolet, ime bijë shkon në Shqipëri për të studiuar për mjekësi

Të bëhej mjeke ka qenë ëndrra e fëmijërisë për vajzën time Martina, një pasion që ia kam transmetuar në mënyrë të pavetëdijshme, por që më bën një baba krenar. Dy herë me radhë, vjet dhe sivjet, tentoi të kalonte malin e numrit të kufizuar të pranimeve në Itali, duke marrë pjesë në një test me pyetje fantasmagorike, shumica e të cilave – jua them si mjek – nuk ka të bëjë aspak me Fakultetin e Mjekësisë, por ama janë në gjendje të shkatërrojnë mijëra të rinj që përfundojnë duke humbur vite të çmuar me shpresën se do ta kalojnë herët a vonë, ose vendosin ta provojnë jashtë, siç bëri Martina në Shqipëri! Para disa ditësh erdhi lajmi i mirë: ia doli më në fund të fitonte e kështu do të jetë pjesë e atyre të rinjve që lënë Italinë për të studiuar jashtë.

Tri gjëra për t’u konsideruar:

Si baba jam krenar që kam një vajzë që, pavarësisht vështirësive, nuk u dorëzua kurrë, nuk hoqi dorë  nga ëndrra e saj, por mbi të gjitha që nuk më kërkoi t’i jepja ndonjë “ndihmë të vogël”. Si baba, një mendim edhe për të gjithë ata baballarë që, ndonëse krenarë, nuk janë në të njëjtat kushte ekonomike për të përballuar studimet jashtë për fëmijët e tyre. Viti i parë në Shqipëri do të kushtojë 8 mijë euro, pará që mund t’i kisha derdhur në arkat e ndonjë universiteti italian…

Si mjek mendoj për mungesën e kolegëve që do ta bëjë më të varfër shëndetësinë tonë, mendoj për trurin që mund të kishte vazhduar të kontribuonte për rritjen e sistemit tonë shëndetësor dhe që pasi ka ikur jashtë kushedi nëse do të dojë të kthehet më. Mendoj se klsasa mjekësore e para duhet të mobilizohet kundër numrit të kufizuar, pikërisht se është më e vetëdijshmja për numrat dhe perspektivat e kategorisë.

Si politikan, si këshilltar rajonal, një hidhërim i madh për logjikën absurde që mbështet numrin e mbyllur. Të gjithë dakord që testi i pranimit nuk është instrumenti i duhur për të seleksionuar mjekët e së ardhmes, të gjithë dakord që duhet zhvendosur më lart seleksionimi, duke bërë të avancojnë vetëm ata që janë në rregull me provimet... por pastaj të gjitha këto synime të mira përplasen në murin e planifikimeve, të strukturave e të mungesës së docentëve. Praktikisht, nuk ka mjaftueshëm klasa dhe profesorë për të pritur numrin e rritur të studentëve të rinj dhe nuk ka as pará për ta zgjidhur këtë problem.

Por, si baba, mjek e politikan, nuk heq dorë nga beteja kundër numrit të kufizuar, për Martinat e shumta që nuk munden të studiojnë jashtë, ndaj e vazhdoj më tepër se më parë.

Por kjo histori ka edhe një aspekt social-ekonomik që duhet të na bëjë të gjithëve të reflektojmë: 20 vjet më pari përfaqësonim ne për shumë të rinj shqiptarë shpresën për një të ardhme më të mirë, vendin e realizimit të ëndrrave. Sot është Shqipëria që përfaqëson të gjithë këtë për të rinjtë tanë.

Përgatiti: SYRI.net

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Daj Jaku21/10/2017 21:34

Na çudite!!! Edhe politikanë të tjerë italianë kanë dërguar fëmijë për tu dipllomuar në Shqipëri. Një shembull kuptimplotë është djali i Umberto Bosit i pagëzuar nga vetë i ati me nofkën "Trofta". Sepse në Shqipëri mjafton të paguash dhe e merr dipllomën edhe pa frekuencë.

Shto koment

Denonco