Epilepsia, si të menaxhojmë krizat e memories Matilda Meta, mjeke neurologe në Poliklinikën e Specialiteteve Nr.1 në kryeqytet,

Epilepsia, si të menaxhojmë krizat e memories

09:48, 10/09/2017
A+ Aa A-

Epilepsia është një sëmundje e shpeshtë neurologjike e cila si bazë të saj ka humbjen e vetëdijes shoqëruar kjo me konvulsione dhe bllokim të rrugëve të frymëmarrjes. Në shumicën e rasteve shkaqet për shfaqjen e saj janë idiopatike, ndërkohë që krizat mund të nxiten edhe nga faktorë si: temperaturat e larta, stresi, zhurmat, skenat e dhunshme dhe ngjyrat e forta.

Matilda Meta, mjeke neurologe në Poliklinikën e Specialiteteve Nr.1 në kryeqytet, tregon më tepër lidhur me këtë sëmundje, llojet e krizave, faktorët ndikues, menaxhimi dhe ndihma e parë dhe se çfarë këta persona duhet të kenë kujdes.

Çfarë është epilepsia dhe çfarë vendi zë ajo në sëmundjet neurologjike?

Epilepsia nga greqishtja e vjetër do të thotë, sulm, shkarkesë në tru. Në vetvete ajo flet për një axhitim të neuroneve (shkarkesë elektrike që ngacmon një zonë të caktuar të kores së trurit) duke dhënë impulse nervore. Vetë sistemi i turit është i ndërtuar (ka) sistem nxitës dhe frenues. Kur ky sistem frenues nuk funksionon, mbetet i axhituar dhe jep ato që ne i quajmë kriza epileptike. Në bazë të zonës ku ajo ndodh, ne shpjegojmë edhe defiçitet neurologjike.

Në lashtësi, quhej ndryshe edhe si sëmundja e djallit, për shkak se njerëzit nuk dinin ta shpjegonin pse ndodhte. Ndryshe është quajtur edhe si sëmundja e tokës dhe shpeshherë njerëzit e lidhin edhe me fetë. Çuditërisht figurat më të njohura të botës duke filluar nga Napoleoni, Leonardo da Vinçi, Dostojevski, Molieri, Van Gogu, Jul Cezari, Leka i Madh etj. kanë qenë epileptik. Kjo ndoshta shpjegohet me faktin se nëna natyrë ka edhe ligje të kompensimit.

Ndahet në epilepsi me shkak dhe pa shkak. Zakonisht pa shkak është kur fillon në mosha të mëdha, ndërsa me shkak, kur personi ka kaluar një traumë, ishemi, abces, ose tek gratë pas lindjes ku kemi epilepsinë vaskulare.

Sa lloje krizash epileptike njihen?

Ka disa lloje krizash epileptike, por ne në shërbim i ndajmë në kriza të vogla dhe kriza të mëdha. Krizat e mëdha që janë të gjeneralizuara kanë bazë humbjen e vetëdijes dhe shoqërohen me dridhje të trupit, bllokim të rrugëve të frymëmarrjes (personi gëlltit gjuhën), defekim të pavullnetshëm. Ndodhin papritur dhe më e keqja është se nga rrëzimi pacienti mund të godasë kokën, të bëjë hematoma, të digjet etj.

Sa zgjat një krizë epileptike?

Varet nga lloji i krizës. Ka kriza që zgjasin 5 minuta, 10 minuta, por edhe një orë. Sikurse ka dhe kriza që zgjasin vetëm për pak sekonda (krizat parciale) thjesht me një fiksim të syve. Por mund të ketë dhe kriza të njëpasnjëshme që ndjekin njëra-tjetrën dhe këto janë raste që duhen çuar patjetër në urgjencë, pasi nuk oksigjenohen.

Zakonisht pas krizës këta pacientë janë shumë të çorjentuar, të lodhur, të përgjumur dhe nuk mbajnë mend asgjë. Ndonjëherë kanë edhe anoreksi dhe e marin vetën vetëm pas dy-tre ditësh nga kriza.

Si bëhet trajtimi i epilepsisë?

Epilepsia nuk shërohet, thjesht menaxhohet, aq më tepër kur nuk ka shkak. Por edhe kur ka, si për shembull në format organike, nga dëmtimet e trurit, nga ishemitë, nga hemorragjitë, infeksionet e ndryshme etj ne i menaxhojmë nëpërmjet mjekimit. Mjekimi nuk jepet në krizën  e parë, por e mbajmë për 3 muaj në observim. Nëse ka kriza të përsëritura dhe element në EZHE, atëherë fillohet mjekimi i cili është specific në bazë të shkakut. Ky mjekim zakonisht jepet për një periudhë 3-5 vjeçare. Nëse mbas tre vjetësh pacienti nuk ka patur më kriza dhe klinikisht në EZHE nuk ka të dhënë, atëherë mund të mendojmë dhe ta heqim mjekimin.

Sa të shpeshta janë krizat dhe a kanë ndonjë shenjë paralajmëruese?

Nuk ka një rregull të përcaktuar. Ka persona tek të cilët krizat mund të ndodhin edhe 2-3 herë brenda ditës dhe zakonisht kjo ndodh kur nuk ndiqen në dinamikë ose harrojnë të marrin mjekimin. Zakonisht ndodhin papritur, por ka edhe persona që kanë aura paralajmëruese, dikush me atë ndjesinë sikur do të belbëzojë, flasë ose fiksohen. Në të shumtën e rasteve krizat epilektike ndodhin në gjumë gjatë natës, ose në zgjim në mëngjes.

Cila është ndihma e parë që duhet t’i japim një personi në rast krizash?

Gjëja e parë që duhet bërë është lirimi i rrugëve të ajrit. Personi gëlltet gjuhën, mund të ketë protezë dhe mbytet, bën apne dhe vdes. Prandaj është parësore dhe urgjente lirimi i rrugëve të frymëmarrjes. Në mënyrë mekanike bëhet zhvendosja e mjekrës nga pas në mënyrë që të lirohet rrugët e frymëmarrjes. Populli ka dhe një gjë të trashëguar. Në mënyrë instiktive i vendosin çelësa në dorë. Kjo bëhet për të çliruar muskulaturën nga kontraksionet. Por në raste të tilla, personi i sëmurë gjithnjë duhet të lajmërojë ata që ka rrotull, si familjarët apo kolegët e punës se si duhet të veprojnë në rastet që ai mund të pësojë një krizë.

Çfarë kujdesi duhet të tregojnë këta persona?

Krizat epileptike nxiten edhe nga faktorë si temperaturat e larta, stresi, zhurmat etj. Epileptikët janë edhe tipa fotonsensibël, nuk i durojnë dot dritat e forta, skenat me shumë ndriçim, filmat me dhunë etj.

Këta persona nuk duhet të rrinë gjatë në kompjuter, në zhurma dhe të lodhen. Është shumë e rëndësishme që të ushqehen mirë për të marrë elektrolitet e duhura.

Këtu desha të theksoja edhe diçka. Shteti duhet t’i përkrahë më shumë këta persona. Ka pacientë që e kanë të nevojshëm dhe të domosdoshëm kujdestarinë, sepse paraktikisht janë të paaftë. Në botë gjërat funksionojnë shumë më ndryshe. Kanë përkrahje nga shteti, kanë qendra sociale, kanë shërbim dhe doktorin në çdo qendër, që mund të konsultohen.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco