Zbulohet i kujt është 'Furgoni i Verdhë', makina e famshme përgjuese që regjistroi 'Bombat' e Zaevit

Zbulohet i kujt është 'Furgoni i Verdhë', makina e famshme përgjuese që regjistroi 'Bombat' e Zaevit

14:50, 22/09/2017
A+ Aa A-

“Furgoni i Verdhë” (Zholtoto Kombe) që u bë sinonim i mbrojtjes pa argumenta të qeverisë së Nikolla Gruevskit për përgjimin e mbi 20 mijë qytetarëve dhe gjoja i komanduar nga “shërbimet e huaja”, sipas hetimeve të fundit është blerë dhe është pajisur për nevojat e Policisë Sekrete Maqedonase, DSK. Kështu shkruan Deutsche Welle në gjuhën maqedonase.

Për herë të parë, “Furgoni i Verdhë” u përmend në deklaratën e kryeministrit Nikolla Gruevski në konferencën e shtypit të mbajtur më 31 janar të vitit 2015.

“Pasi ai filloi të më kërcënojë mua, Ministria e Brendshme ftoi ekspertët më të mirë për këtë problematikë nga një kompani e njohur ndërkombëtare, e cila me pajisjet e veta vërtetoi se kohë pas kohe në lokalitete të ndryshme, kryesisht në qendër të Shkupit, një autor i panjohur kryente përgjim dhe incizime të bisedave telefonike, duke përdorur pajisje telefonike, vendndodhja e të cilave ndryshonte vazhdimisht dhe funksiononte në bazë të parimit të klonimit të stacioneve bazë. Vendi i incizimeve ka ndryshuar në rreze prej dy kilometrash, por kryesisht është realizuar në qendër të Shkupit, rreth institucioneve shtetërore”, akuzoi Gruevski para dy viteve, duke aluduar se “bombat” që i publikoi Zaevi janë incizuar nga ky furgon.

Mirëpo sipas të dhënave të siguruara në kuadër të çështjes “Thesari”,  një makinë e tillë është blerë nga Ministria e Brendshme, respektivisht nga DSK. Ajo ka funksionuar si stacion bazik i lëvizshëml dhe është blerë përmes ndërmarrjes “Finzi” DOOEL Shkup, me aneks marrëveshje nga qershori i vitit 2012, si “pajisje plotësuese” për pajisjet e blera në vitin 2010, transmeton Gazeta Lajm.

Përveç ndenjëse standarde, Furgoni i verdhë është pajisur edhe me dy ndenjëse shtesë, me dritare speciale mbrojtëse, me video server, video modem, disa monitorë, stabilizues të fotografisë, pranues kontrolli, tetra-radio, antenë lëvizëse, bateri speciale, forcues të sinjalit dhe zërit dhe një sërë mjeteve tjera teknike që duhej të mundësonin mbikëqyrje të gjerë dhe të piketuar në formë audio, video dhe foto.

Përveç kësaj, furgoni ka qenë i pajisur edhe me tualet, që do të thotë se ka qenë i planifikuar të funksionojë 24 orë pa pushim.

Në një periudhë të caktuar, makina ndoshta me të vërtetë ka qenë e verdhë, por ka pasur mundësi që sipas nevojës, ngjyra të ndryshojë me foli të ndryshme, me qëllim që të mos binte në sy kur ndalonte shpesh në një vend të caktuar. Furgoni ka pasur mundësi teknike për incizim, përgjim dhe fotografim nga distanca të vogla dhe të drejtpërdrejta – duke u parkuar afër kafeterive, restoranteve, objekteve të banimit, institucioneve shtetërore, shtabeve partiake, përfaqësive diplomatike, gjykatave…

Sipas konstatimeve të hetuesisë, ky furgon është shfrytëzuar një kohë ta caktuar, por me vështirësi të shumta për shkak të mungesës së kuadrit të specializuar edhe pse disa inspektorë të DSK-së janë dërguar për trajnim në Mynih.

Në periudhën që është shfrytëzuar ky sistem, objekt i përgjimeve kanë qenë telefonat celularë, kompjuterët dhe mjete tjera komunikimi, të cilat pasi janë “infektuar” me metoda të ndryshme, janë shndërruar në “sy e veshë”, respektivisht mikrofonë dhe kamera, për ata që kanë përgjuar.

Sipas mundësive që i ofron sistemi, pa dijen e shfrytëzuesit, softueri mund të përgjojë se çfarë shkruan në tastierë personi i përgjuar,  ka qasje te të gjithë pasuordët e kompjuterit dhe telefonit si dhe ka mundur të kyçet edhe në mikrofonin dhe kamerën e tij.

Nuk përjashtohet mundësia që me këtë qëllim, disa personave të përgjuar u është dhuruar televizor, me kamerë të fshehur që ka funksionuar 24 orë(pa ndërprerje. Mirëpo më vonë pajisja është bë jofunksionale për shkak të disa risive në sistemin telekomunikues.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco