Shqiptari i djathit në malet e Zvicrës

Shqiptari i djathit në malet e Zvicrës

12:45, 15/09/2017
A+ Aa A-

Avdulla Hakaj u largua nga Kosova për të shpëtuar kokën nga terrori serb. Sot ai është njëri prej specialistëve më të mirë për prodhimin e djathit në rajonin La Gruyère të Zvicrës. Një rrëfim për një karrierë që i përngjan një përralle moderne, e cila fillon në një fshat të Istogut dhe vazhdon në një katund afër alpeve zvicerane. 

Nga Enver Robelli

Kur Avdulla Hakaj flet për djathin, atëherë tingëllon si një prind që me dashuri të jashtëzakonshme përshkruan një foshnjë të sapolindur. «E lajmë për çdo ditë apo sipas nevojës, e këqyrim si po merr frymë, e rrotullojmë, e vendosim në raft».

Është ditë e shtunë dhe Avdulla Hakaj sot punon deri në drekë. Djathi do kujdes. Sidomos në La Gruyère, njërin prej rajoneve më të njohura të Zvicrës për prodhimin e djathit. «Ke ardhur për Avdulla Hakajn?», pyet Nicolas Esseiva, mjeshtri i djathit në Punishten e Djathit Tzintre në fshatin Charmey të kantonit të Freiburgut në Zvicrën perëndimore.

Esseiva nuk e fsheh krenarinë për kolegun e tij të punës, për shqiptarin e zellshëm, për Avdulla Hakajn. Të dy, Hakaj dhe Esseiva, punojnë prej kohe bashkë në Fromagerie de Charmey, siç i thonë në frëngjisht, ose Alpkäserei, siç quhet në gjermanisht Punishtja e Djathit.

Charmey gjendet në një lartësi mbidetare prej 887 metra në zonën paraalpine të kantonit të Freiburgut. Kushtet për prodhimin e djathit në këtë rajon janë ideale. Çfarë prodhohet këtu, shitet në Francë, në Norvegji, madje edhe në Australi. Natyrisht edhe në Zvicër.

Vende të tjera kanë pasuri nëntokësore, metale të çmueshme, metali i Zvicrës është djathi. Dhe njëri ndër specialistët më të njohur dhe më meritorë që djathi i kësaj zone ka shije aq të mirë është Avdulla Hakaj.

Për të përshkruar rrugën e tij duhet të kthehemi në vitin 1996, atëherë kur Kosova ishte nën pushtimin serb, kur policia çdo vit vriste mesatarisht nga 15 veta për t’i trembur të tjerët që të iknin jashtë vendit. Kush nuk largohej, kërcënohej me dërgim në ushtrinë jugosllave, e cila po përgatitej për luftën e ardhshme në Kosovë, pas krimeve të llahtarshme në Kroaci dhe Bosnjë. Avdulla Hakaj vendosi të marrë jo botën në sy, por Zvicrën. Kishte një kushëri në këto vise, i cili punonte në bujqësi. Mori pasaportën e një vëllai dhe ia ktheu shpinën Orrobërdës, fshatit të lindjes. Nuk do të kthehej në këtë katund të komunës së Istogut deri në nëntor të vitit 2007.

«Nga Durrësi u nisëm drejt Italisë. Por, kur arritëm në Brindizi na ndaloi policia italiane, nuk ishte diçka në rregull me letrat tona. Mbetëm të ngujuar në anije me ditë të tëra. I jam shumë mirënjohës një greku, ai na shpëtoi, shkonte për çdo ditë na blinte bukë». Avdulla Hakaj, atëherë 24-vjeçar, u kthye në Durrës me disa shokë, pastaj provoi fatin edhe njëherë drejt Italisë. Me sukses. Kështu i kujtohet Hakajt rruga e tij drejt Zvicrës.

Hakaj donte të punonte, nuk donte të ishte barrë e shtetit, donte të jetonte nga djersa e tij. Erdhi në La Gruyère, takoi kushëririn dhe lloi të punojë në blegtori, pastaj u angazhua në Punishten e Djathit Tzintre – pa asnjë ditë përvojë në përgatitjen e djathit. Tani që Avdulla Hakaj ka «marrë letrat» në Zvicër, pra jeton dhe punon legalisht, mund të tregohet edhe sekreti: Hakaj gjatë gjithë kohës, nga viti 1996 deri në vitin 2007, në Zvicër ka punuar pa letra, «në të zezë», ilegalisht. Ndoshta ka pasur njerëz që e kanë ditur këtë, fundja Charmey është fshat i vogël, por askush nuk donte ta denonconte në polici një punëtor, një njeri nga Kosova që u hyri në zemër bujqve zviceranë me zellin e tij të madh në punë, me shkathtësinë për përpunimin e djathit, me përzemërsinë e tij. «Shtatë vite kam jetuar në familjen e Nicolas Esseiva. Nëna e tij është kujdesur për mua si për djalin e saj», tregon Avdulla Hakaj.

Nicolas Esseiva kujton pothuaj me nostalgji: «Ai nuk dinte asnjë fjalë frëngjisht kur i tregoja si duhet trajtuar rrotullën e djathit gjatë bërjes së djathit. Por, Avdullau e ka syrin e mprehtë». Ai kujdeset që në raftet e Punishtes së Djathit gjithçka të jetë në rregull – temperatura, larja e djathit («me ujë të përzier me kripë», siç tregon mjeshtri nga Kosova), kontrolli i rregullt për përcjelljen e procesit të bërjes së djathit, pra pjekjes së tij. Një rrotull djathi peshon mes 20 deri 35 kilogramë. Për të prodhuar atë duhen mes 360 deri 380 litra qumësht. Punishtja e Djathit Tzintre në fshatin Charmey ka kontratë me 30 bujq të zonës, të cilët e zënë (e «nxanë») djathin në stanet e tyre në mal dhe pastaj e sjellin edhe me mushka deri te raftet që i mbikëqyrë Avdulla Hakaj. Në vitin 2007 djathi «Gruyère AOC», i cili ishte pjekur nën kujdesin e Hakajt, fitoi vendin e dytë në Panairin e Bujqësisë Olma në St. Gallen të Zvicrës lindore. Për djathëbërësit e Zvicrës ky sukses është i krahasueshëm me medaljen e artë që e merr Usain Bolt në atletikë. Djathëbërësit në La Gruyère edhe sot habiten me shkathtësitë e mjeshtrit të djathit nga Kosova. Kur në vitin 2006 Avdulla Hakaj mori lajmin se nëna e tij kishte vdekur në Kosovë, ai vendosi t’i japë fund jetës së tij si «Sanspapier», si njeri pa letra. Shkoi drejt në polici, tregoi se nuk kishte asnjë dokument, por dëshmoi se gjatë gjithë kohës kishte punuar dhe ndërmarrja e tij i kishte paguar me rregull të gjitha sigurimet për Avdullaun.

«Deshën të më arrestojnë menjëherë, deshën të më kthenin në Kosovë», thotë Hakaj. Por, autoritetet zvicerane e kishin bërë hesapin pa djathëbërësin. Kur në fshatin Charmey dhe në rrethinë njerëzit morën vesh se policia po kërkon kthimin e Hakajt në Kosovë, atëherë nisi një revolucion i vogël malor. Rreth 600 zviceranë e zvicerane nënshkruan një peticion me kërkesën e qartë: Avdulla Hakaj e ka vendin në Zvicër! Shtypi lokal shkroi për rastin dhe kështu «çështja Hakaj» u bë temë edhe në mediat nacionale të Zvicrës. Pastaj ndodhi e papritura tjetër.

Njëri prej përkrahësve më të mëdhenj të Hakajt u bë Jean-Claude Rossier, shef i grupit parlamentar të Partisë Popullore të Zvicrës (SVP) në kantonin e Freiburgut. Për ata që nuk e njohin aq mirë skenën politike të Zvicrës: SVP në fakt është parti shumë kritike ndaj të huajve, madje ka zhvilluar edhe fushata të ulëta kundër shqiptarëve. Por, së pari SVP e pjesës franceze është pak më tolerante se ajo e pjesës gjermane, pastaj fati i Hakajt ishte se Jean-Claude Rossier e njihte atë mirë dhe e çmonte. Rossier thoshte: «Avdulla Hakaj është zemërgjerë, i ndershëm, i hapur dhe ka vullnet të madh». Rossier është tregtar djathi dhe i këshillon punishtet e djathit në çështje të eksportit. Ai i ndihmoi shqiptarit nga Kosova t’i bëjë gati të gjitha dokumentet e nevojshme për të legalizuar statusin e tij, shkoi me Hakajn në Entin e Migrimit, ku i thanë: Hakaj duhet të kthehet në Kosovë dhe të bëjë një kërkesë në Ambasadën e Zvicrës në Prishtinë për leje të punës. As Rossier nuk ishte i sigurt nëse do të kishte sukses, por nuk u dorëzua. Bashkë me personalitete të tjera të jetës publike Rossier i trokiti në derë ministrit të atëhershëm kantonal të drejtësisë, i cili pastaj u angazhua personalisht në Entin Federal të Migrimit në Bernë që Avdulla Hakaj të «bëhej me letra» në Zvicër. Dhe kështu ndodhi: në fund të vitit 2007 Hakaj u kthye në Kosovë, më 17 shkurt 2008 e përjetoi shpalljen e pavarësisë dhe më 15 maj u kthye në Zvicër – tani legalisht. Kjo është historia e Avdulla Hakajt. E dhimbshme, por me një fund të lumtur. Tani ai dhe gruaja e tij janë prindër krenarë të dy fëmijëve.

Vizitojnë Kosovën sa herë që të jetë e mundshme, sa herë që kanë pak ditë të lira. Janë udhëtime të shoqëruara me gëzime, por edhe me pikëllim. Dy varre janë hapur ndërsa Hakaj punonte në Zvicër dhe e kishte të pamundur të kthehej, sepse s’kishte dokumente. Më 13 prill 1999 ra në luftë vëllai i tij Nexhmedin Hakaj, ai ishte një ushtar trim i Brigadës «Adrian Krasniqi». Në vitin 2006 vdiq nëna e nëntë vëllezërve Hakaj. E, nëntë vëllezër nuk bën pa një motër. Avdulla Hakaj ka një ëndërr. Sepse çdo njeri ka së paku një ëndërr. Do të donte që nga dija e tij për përgatitjen e djathit të përtonte edhe Kosova. Por, ka diçka që e mundon. Përtacia e njerëzve, mungesa e sinqeritetit. Natyrisht Hakaj nuk përgjithëson, por janë vëzhgime të tij, të cilat nuk është i vetmi që i ka bërë – në Kosovë dhe në diasporë. Ndërsa ledhaton okët e djalit të tij, ai thotë: «Ndoshta një ditë ëndrra për prodhimin e djathit në Kosovë do të bëhet realitet. Kosova është vend i bukur. Kosova ka shumë pasuri. Kosova mund të prodhojë shumë djathë». Ah, edhe një informatë: më 23 shtator fshati Charmey ka festë. Atë ditë blegtorët kthehen nga stanet me lopë të stolisura me lule. Kështu shënohet fundi i verës. Mijëra njerëz nga mbarë Zvicra do të jenë të pranishëm aty për të parë këtë ceremoni tradicionale. Edhe Avdulla Hakaj do të jetë aty, ku tjetër në këtë ditë, kur ai do të shpërndajë e do të shesë djathë./dialogplus

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco