'55 Shades of Gay': revolucioni seksual në Kosovë sillet me qesëndi

'55 Shades of Gay': revolucioni seksual në Kosovë sillet me qesëndi

14:55, 09/09/2017
A+ Aa A-

Shfaqja “55 Shades of Gay” nuk është tërësisht e parakohshme, siç mund të mendohet. Kjo sepse ajo depërton pa shkaktuar trazira tek shikuesi – por duke imponuar reflektim të natyrshëm - ndonëse trajton një temë të cilën refuzojmë ta shqyrtojmë.

Nga Donjeta Demolli*

Mbrëmë në Teatrin Kombëtar, trajektorja e ndjenjave, mendimeve e përjetimeve të publikut shqiptar mori një përpjetzë të lëmueshme nëpër kuptime të reja mbi mentalitetin lokal, pavarësisht paragjykimeve që krijohen kur dihet tema e shfaqjes. Dinamikën e hirtë të konstrukteve shoqërore rreth seksualitetit, Blerta e Jetoni e ngjyrosën me ironinë e hollë dhe lojën e talentuar të aktorëve Tristan Halilaj, Bujar Ahmeti, Shengyl Ismaili, Semira Latifi, Alketa Sylaj dhe Luan Durmishi (vokal).

Në të hyrë të teatrit policët mbajnë një sy nga hyrja për të kujdestaruar sulmuesit konservatorë të mundshëm. E Jetoni rri i ulur tek shkallët për të pritur vizitorët kuriozë për veprën e tij më të re. Kontraverse si rëndom. Ai e di barrën që bartin idetë e tij moskokëçarëse ndaj mbylljes së përgjithshme që ua bën shoqëria. Këtë ai si duket e mposhtë duke mos u imponuar. I thjeshtë në dukje, ai e qasë çdo shikues pa asnjë paralajmërim për shfaqjen.

E kuruar me një ironi të hollë e konsistente, shfaqja nuk të merr me vete. Ajo ta jep lirinë të qëndrosh në ulëse, dhe në vazhdimësi të servon perspektiva. Asnjëra nga to e tepruar. Secila prej tyre e lënë si në gjysmë. Hikmetja, roli i luajtur nga Shengjyl Ismaili është të gjithë ne nga pak. Zyrtare në Komunën e Tashanikut, asaj i vjen kërkesa t’i martojë dy gejë. Dhe si e paditur, e paprovuar që është, ajo kalon nëpër një turbulencë përjetimesh. Nga njëra anë asaj i duhet të ballafaqohet me mitin e krijuar rreth zyrtarëve të Bashkimit Europian, luajtur nga Alketa Sylaj, prania e së cilës përfshinë edhe skajet më të largëta të sallës. Në anën tjetër, Hikmetja është peng i besimeve të saj të krijuara nga kodi zakonor, feja e nacionalizmi. E me gjithë këto, tek ajo fle një brishtësi deri në përmasa gati vulgare. Ajo është të gjithë ne. Thellësisht e pasigurt mbi ato që i di, njeh e përjeton. Qesharake në veprimet që ndërmerr.

Çifti i dashuruar portretizon një italian dhe një shqiptar të cilët shtjellojnë botën e të pamundurës në Kosovë. Ata mbartin ngarkesën e pjesës më të ndërlikuar të veprës. Dhe këtu dallohet mjeshtëria artistike e Jetonit dhe Blertës. Sepse ata nuk vijnë njëtrajtësisht. Ashtu që do të ngjallte frikë, pasiguri, apo edhe neveri tek shikuesi i pamësuar shqiptar. Ironia që u është veshur këtyre personazheve dhe përtokëzimi i realizuar me profesionalizëm nga aktorët Tristan Halilaj dhe Bujar Ahmeti e arsyeton fuqinë shokuese të lajmit që u jepet shikuesve: Kushtetuta e vendit po lejuaka martesat e homoseksualëve. Mirëpo burokracia e organizuar nga zyrtarët, e hutuar nga realiteti i plamave spektakolare, dhe e shtypur nga e kaluara zakonore, nuk jep hapësirë për shqyrtim thelbësor të kësaj pune. Tema e orientimit seksual e trajtuar në skenarin e shfaqjes rikujton ndërlidhshmërinë e dinamikave sociale të shkaktuara nga prania e entiteteve të jashtme si autoritete të mbivendosura si dhe kushtëzimin që ato bëjnë tek popullata tërësisht e ngjitur për të kaluarën, e paguximshme të bëjë hapa përparimi.

Gërshetimi i kësaj teme, me preokupimet e tjera të shoqërisë së prapambetur të cilat sipërfaqësisht na duken të paprekura nga politikat seksuale për të përfshirët në skenar na kujton që kjo temë nuk është e huaj.

E gjithë loja gërsheton kritikën dhe analitikën në vete. Por, vjen çiltër dhe pa stërhollime banale. Sikurse Jetoni e Blerta ta kenë kuptuar që ky nivel i mbylljes e mosgatishmërisë mposhtet më së miri me qesëndi. Përfundimisht, puthja e shkëmbyer në skenë nga dy aktorë burra nuk është pika më kulminante e shfaqjes. Të rrëqethurat, autorët ua kanë lënë shikuesve për më vonë, nëse ka hapësirë për reflektim e bisedë miqsh me birrën e pirë pas shfaqjes. Reagimet mund të jenë të ndryshme, varësisht se sa Hikmetë jemi.

(Donjeta Demolli e ka shkruar këtë vështrim rreth shfaqjes “50 Shades of Gay” e ka shkruar enkas për portalin Koha.net. Autorja është studiuese e feminizmit dhe lëvizjeve politike).

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco