Haradinaj zotohet se Kosova do të ketë Qeveri të qëndrueshme Ramush Haradinaj dhe Kadri Veseli në konferecë të përbashkët për media

Haradinaj zotohet se Kosova do të ketë Qeveri të qëndrueshme

07:26, 08/09/2017
A+ Aa A-

I mandatuari për formimin e Qeverisë së re të Kosovës, Ramush Haradinaj është zotuar se do të prezantojë së shpejti kabinetin e ri qeverisës, i cili sipas tij do të merret me çështjet më të rëndësishme për vendin.

Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Kadri Veseli, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës janë paraqitur në një konferencë të përbashkët, pasi Kuvendi zgjodhi Kadri Veselin në postin e kryetarit dhe më pas, presidenti Hashim Thaçi e mandatoi për kryeministër Haradinajn.

Me këtë rast, Haradinaj tha se pret që Kuvendi ta votojë Qeverinë e re, e cila sipas tij, do të jetë e qëndrueshme, njofton REL.

Ndërkaq, kryetari i sapozgjedhur i Kuvendit, Kadri Veseli tha se faza e formimit të institucioneve të reja po përmbyllet dhe se konstituimi i Kuvendit ishte hapi i parë i rëndësishëm.

Ai ka përsëritur se Kosova nuk ka kohë për të humbur dhe ftoi partitë politike për unitet e bashkëpunim për tu përballë me shumë sfida në rrugën e integrimit të Kosovës në BE dhe në NATO.

Veseli dhe Haradinaj kanë folur dhe në lidhje me qëndrimet e Listës Serbe, e cila për pjesëmarrje në Qeverinë e re kanë paralajmëruar se do të konsultohen fillimisht me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Por, siç tha Veseli, nuk bëhet fjalë për kushte e kushtëzime, sepse edhe Lista Serbe është pjesë e Kuvendit dhe institucioneve të Kosovës.

Haradinaj, pritet që të prezantojë para Kuvendit të Kosovës Qeverinë e re, e cila duhet t’i marrë të paktën 61 vota të deputetëve për t'u zgjedhur.

Koalicioni i ri përbëhet nga Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma për Kosovën dhe Aleanca Kosova e re si dhe pakicat serbe dhe ato joserbe.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco