Kosovë, shtyhet për pasdite votimi për kryetarin e Kuvendit

Kosovë, shtyhet për pasdite votimi për kryetarin e Kuvendit

12:22, 07/09/2017
A+ Aa A-

Deputetët e koalicionit të Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Nismës, Aleancës Kosova e Re dhe ata nga radhët e pakicave nuk janë paraqitur në vazhdimin e seancës konstituive të thirrur në ora 11:00.

Pavarësisht që seanca ishte thirrur nga vet ky koalicion, deputetët e partive përbërëse nuk janë paraqitur fare ne sallën e Kuvendit.

Pas pritjes rreth 25 minuta, kryesuesi i seancës konstituive, Adem Mikullovci ka shtyrë seancën për orën, 14:00.

Në sallë u paraqitën vetëm deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

Bazuar në kandidaturën paraprake të Partisë Demokratike të Kosovës, pritet që për postin e kryekuvendarit të nominohet lideri i këtij subjekti politik, Kadri Veseli.

Nëse Kuvendi arrinë të zgjedh kryetarin dhe nënkryetarët, Kuvendi konsiderohet i konstituuar.

Më pas, në bazë të Kushtetutës së Kosovës, i takon koalicionit PDK, AAK, Nisma, AKR dhe pakicat që të nominojnë edhe zyrtarisht mandatarin për formimin e Qeverisë së re. Pritet që ai të jetë lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Sipas procedurave, Haradinaj duhet të marrë bekimin e presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, i cili i drejtohet Kryesisë së re të Kuvendit me kërkesën për thirrjen e seancës për zgjedhjen e Qeverisë.

Pas konstituimit të Kuvendit, votimi për Qeverinë mund të ndodhë që nga sot pasdite apo edhe brenda periudhës kohore prej 15 ditëve.

Institucionet e reja të Kosovës janë rezultat i zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 11 qershor./REL

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco