Lajmi i fundit

TASK FORCE/ Pse Edi Rama është tërbuar me RAI 3?

‘Mashtrimi i opinionit’ nga ministri Arben Taravari. Ja faktet

‘Mashtrimi i opinionit’ nga ministri Arben Taravari. Ja faktet

00:14, 05/09/2017
A+ Aa A-

Të dhëna ekskluzive të sigurara nga Almakos nga të gjitha repartet e Ministritës së Shëndetësisë…

Ministri i shëndetësisë dhe Sekretari i përgjithshëm i LR PDSH-së, Arben Taravari është mjaft aktiv në rrjetin social facebook. Në deklarimet e tij publike dhe në postimet e gjata para dhe pas zgjedhjeve Ministri Taravari ka pretenduar se në punën e tij do të bazohet vetëm në virtytet e sinqeritetit, ndershmërisë, drejtësisë, mbrojtjes të të vërtetës dhe mbështetjes të të aftëve dhe profesionistëve. Gjithë aktivitetin e tij ministri Taravari e ka shoqëruar me një propagandë të vazhdueshme për punë të ndershme, profesionale dhe të pavarur, kundër partizimit dhe politizimit të shëndetësisë, duke u mbështetur mbi këto parime.

Megjithëse po afrohet fundi i 100 ditëshit të parë të qeverisë dhe punës së ministrave, në ministrinë e shëndetësisë përveç disa veprimeve spektakolare pa ndonjë rëndësi të veçantë, jehonë më të madhe ka patur shkarkimi i shumë drejtorëve të klinikave dhe spitaleve dhe emërimi i drejtorëve të rinj. Për emërimin e tyre ministri ka deklaruar disa herë se është bazuar në profesionalizmin, përvojën dhe ndershmërinë e kuadrove të përzgjedhura nga ekipi i tij, në konsultimet e bëra me stafin e klinikave dhe spitaleve, duke synuar departizimin dhe depolitizimin e shëndëtësisë.

Për ta parë nëse është ashtu si thotë ministri ne bëmë një vizitë nëpër institucione të ndryshme shëndetësore duke grumbulluar të dhëna të mjaftueshme për këtë çështje. Fatkeqësisht informacioni i mbledhur është shumë zhgënjyes. Pretendimet e ministrit përballen me një realitet të zymtë, krejt ndryshe nga ajo që i servohet publikut.

Përkatësia partiake si kusht kryesor për emërim, mjekë të arrestuar dhe akuzuar në gjykatë për korrupsion, menaxherë të paaftë, persona të dështuar, drejtorë aktivistë politik të afërt me koalicionin qeveritar, ish-funksionarë partiak të paaftë profesionalisht, persona pa asnjë përvojë menaxheriale, miq të pushtetarëve si edhe ish-drejtorë të shkarkuar të partive të këtij koalicioni që tani kanë kaluar tek partitë tjera të këtij koalicioni që të mund të bëhen përsëri drejtor. Duket se kriteri kryesor vendimtar i përzgjedhjes së drejtorëve ka qenë përkatësia e tyre partiake. Përveç kësaj bie në sy se nuk ka qenë ministri Taravari ai që i ka selektuar drejtorët e as që ka vendosur për ata. Taravari vetëm ka nënshkruar emrat që i janë servuar nga tre partitë e koalicionit qeveritar pa e konsultuar atë. Është interesante se pjesa më e madhe e këtyre emrave u bënë publik nga Zëvendës ministri i shëndetësisë Çakarovski në kohën kur ministri Taravari ishte jashtë vendit. Kjo nxiti reagime se si mund të emërohen drejtorët pa nënshkrimin e ministrit. Më pas u bë e qartë se nënshkrimi i ministrit ishte vetëm një formalitet ligjor, ndërsa emërimet e drejtorëve ishin bërë nga tre partitë LSDM-BDI-LR PDSH, në përputhje me marrëveshjen për ndarjen e drejtorive. Edhe ndarja e drejtorive të spitaleve nuk ka ndryshuar shumë. Janë bërë vetëm disa rokada mes LSDM-së dhe BDI-së, duke i liruar disa vende drejtorësh edhe për LR PDSH-në e Ministrit Taravari.

Kështu LR PDSH mori drejtorin e klinikës së oftalmologjisë dhe atë të kardiologjisë. Në të parën drejtor u emërua B.T. anëtar i Kryesisë qendrore të LR PDSH-së, njëherit drejtues i departamentit të mjekësisë në LR PDSH, ndërsa në të dytën B.P. gjithashtu përfaqësues i organeve të LR PDSH-së. Drejtori i klinikës së oftalmologjisë është funksioner i njohur i LR PDSH-së. Ai është mjaft aktiv në rrjetin social duke propaganduar partinë e tij. Pos kësaj së fundmi ai u bë i njohur nga kritikat e portaleve për përdorimin e rasteve të pacientëve të tij për reklamimin e vetvetes. Drejtori i ri i oftalmologjisë disa herë me radhë publikonte rastet e pacientëve të tij në fb duke u mburrur për shërimin e tyre. Paramendoni një pediatër apo një kirurg që vazhdimisht rri duke u mburrur në FB me postime të stilit “sot ia shpëtova jetën kësaj fëmije” apo “sot e operova me sukses këtë pacient” duke dashur të rris rejtingun e tij në sytë e opinionit. Në fund të fundit kjo është puna e çdo mjeku. Drejtori i ri i kardiologjisë është një aktivist i vjetër i PDSH-së, i cili bashkë me gruan e tij B.P. me formimin e LR PDSH-së kaluan në këtë të fundit. Tani ata të dy janë shpërblyer nga partia e ministrit Taravari të cilës i shërbejnë, i pari si Drejtor i klinikës së kardiologjisë, ndërsa e dyta në grupin e këshilltarëve të ministrit, theksojnë burime brenda institucioneve të Ministrisë së Shëndetësisë për Almakos.

Emërimi në poste drejtorësh i funksionerëve partiak bie në sy shumë nëpër klinikat e Shkupit. Kështu BDI ka vendosur që ta heq nga detyra e drejtorit të Klinikës së Traumatologjisë Ortopedisë, Anestezisë dhe Reanimimit Intenziv ish-ministrin e saj R.S. dhe ta vendos kuadrin e saj I.H. Drejtori i ri I.H. është anëtar i Kryesisë qendrore të BDI-së dhe udhëheqës i departamentit të shëndetësisë të BDI-së prandaj kur ka ardhur momenti i dërgimit të listës së emrave nga BDI për drejtor ai në stilin “më mirë unë se ti” ka vendosur shkarkimin e ish-ministrit të BDI-së nga posti i drejtorit dhe emrimin e vetvetes në këtë detyrë. Një meritë tjetër e drejtorit të ri I.H. është besnikëria partiake e treguar ndaj liderit të BDI-së Ali Ahmeti në komunën e Kumanovës prej nga ai vjen. Në këtë komunë dhe rrethinën e saj BDI ka patur problem të rënda dhe pësoi rënie drastike në zgjedhjet e fundit, por drejtori i ri ka marrë pjesë aktive në aktivitetet e BDI-së.

Në xhirimet nga bllokimi i hyrjes së kryetarit të BDI-së në Kumanovë shihet edhe drejtori i ri duke u munduar të ju shpëtojë gurëve të hedhur nga qytetarët kundër kryetarit të parties së tij. Klinika nga ai vjen ka problem me mospagesat e protezave dhe materialeve të vendosura tek pacientët e operuar, mes të cilëve edhe pacientë të drejtorit të sapoemëruar. Shumë pacientë të jashtëm që operohen nuk pagojnë për protezat paraprakisht dhe pas largimit nga spitali është e pamundur që ata të gjenden dhe të detyrohen ta bëjnë pagesën. Ka dyshime se kjo mënyrë e veprimit bëhet qëllimisht për përfitime. Ish-drejtori R.S. kontrollon edhe ordinanca private në Likovë dhe Shkup të cilat pos burimeve tjera i kanë sjellur përfitime të majme. Ligji e ndalon që mjekët e punësuar në institucione publike të kenë ordinanca të tyre private por kjo shumë lehtë shmanget duke e bërë këtë në emër të personave të afërt. Kuptohet se kur je pjesë e pushtetit inspeksionet nuk të trokasin në derë. Sado që aftësia profesionale e drejtorit të ri I.H. nuk mund të mohohet aftësia menaxheriale e tij nuk është shumë premtuese nëse kemi parasysh faktin se ai deri tani ka qenë për pesë vite me rradhë përgjegjës i Urgjencës kirurgjike ku mungojnë edhe gjërat më elementare për kryerjen e një operacioni sado të vogël dhe ku punojnë kirurgë të cilët me vite nuk kanë bërë asnjë operacion pos qepjes së plagëve.

Po nga klinika e traumatologjisë vjen edhe drejtori i ardhshëm i Spitalit të qytetit “8 shtatori” në Shkup H.K. Ai ka vendosur se është më mirë të jetë drejtor në Spitalin e qytetit se sa traumatolog në klinikën e tij. Ndryshe nga drejtori i shkarkuar S.S. që përshkruhej si menaxher i mirë, drejtorin e ri e përshkruajnë si njeri flegmatik dhe moskokëçarës. Merita kryesore e H.K. është se është mik i vjetër i kryeministrit Zeav. Thonë se miqësia e tyre buron që nga ditët shkollore. Është e kuptueshme se ministri Taravari nuk ka patur se si t’ia prish kryeministrit për emërimin e mikut të tij drejtor. Përkundrazi, plotësimi i dëshirës së kryeministrit mund t’i sjellë atij favore personale nga kryeministri në të ardhmen.

Pazari partiak ka ndikuar edhe në caktimin e drejtorëve në spitalet e qyteteve tjera. Deri tani për disa mandate BDI ka mbajtur drejtorin e spitalit të qytetit në Kumanovë në të cilin gjendja ka ardhur duke u degraduar. Drejtor i këtij spitali për të paktën dy mandate ishte A.L., gjithashtu kandidat i BDI-së për kryetar komune në dy palë zgjedhjet e fundit lokale. Drejtori në fjalë ka diplomë mjekësie nga një nga ish-vendet komuniste të Evropës por dosja e tij gjatë qëndrimit atje nuk është për tu lakmuar. Është “interesant” se rokada e ministrit Taravari në këtë qytet përputhet me marrëveshjen LDSM-BDI që spitalin e qytetit në Kumanovë ta marrë LDSM-ja ndërsa BDI-ja qendrën për shëndet publik në Kumanovë. Kështu në këtë qytet drejtor spitali tani e tutje do të jetë ish-kryetarja e LDSM-së për Kumanovën, ndërsa për të mos e lënë pa post, BDI-ja ka marrë masa që funksionari i saj A.L. ish-drejtor i spitalit tani të jetë drejtor i Qendrës për shëndet publik në këtë qytet.

Drejtori i ri i klinikës së pulmologjisë D.D. ka qenë arrestuar dhe akuzuar për korrupsion gjatë kohës së ministrit Imer Selmani për një rast të paditur nga familiarët e një paciente shqiptare nga Struga. Edhe J.N. i emëruar fillmisht nga Ministria si drejtor i klinikës së ORL-së para pak vitesh ishte arrestuar nga policia për mitmarrje, i akuzuar nga një paciente. Vetëm disa orë pas njoftimit se J.N. do të jetë drejtor i ORL-së, siç duket LSDM kishte vendosur në favor të kandidates tjetër G.K. të afërt me këtë parti dhe Ministria e shëndetësisë njoftoi se drejtoreshë e ORL-së do të jetë G.K. dhe jo J.N. Në vitet e fundit ka pasur disa raste të arrestimit të mjekëve për mitmarrje por këto raste shpesh kanë marrë fund koridoreve të gjykatave për shkak të lodhjes së pacientëve me procedurat e gjata gjyqësore dhe vështirësia e provimit të fajësisë.

Drejtori i ri i Klinikës së neurokirurgjisë do të jetë V. R. me vetëm rreth tre vjet si neurokirurg në këtë klinikë. Edhe më keq do të jetë në Klinikën e kirurgjisë torakovaskulare. Aty drejtor është emëruar ish-ministri dhe ish deputeti i BDI-së N.J. Kur ishte ministër ai u akuzua për korrupsion dhe keqpërdorim posti ndërsa shefi i kabinetit të tij u arrestua për mitmarrje. Por Komisioni antikorrupsion e nxorri të pafajshëm ish-ministrin. Më pas Kryetari i këtij Komisioni, një institucion i pavarur jopartiak, u emërua zëvendës ministër i mbrojtjes nga BDI-ja. Drejtori i ri ish-ministër i BDI-së u punësua në këtë klinikë më pak se tre vjet më parë, pasi nuk u zgjodh deputet në zgjedhjet e vitit 2014. Duke e kaluar të shumtën e kohës së specializimit në aktivitete partiake përgatitja e tij profesionale është e mangët. Ai nuk ka të drejtën e ditës në ambulantë për të vizituar pacientë në mënyrë të pavarur. Emrin e tij mund ta gjesh me vështirësi si operator në regjistrin e operacioneve në këtë klinikë. Megjithatë drejtori i ri pa ndonjë autoritet profesional në këtë klinikë duhet të ketë lindur në natën e madhe. Partia e tij e ka bërë atë ministër, deputet dhe tani pse jo edhe drejtor klinike.

Një shembull i turpshëm i keqpërdorimit të shëndetësisë nga politika është edhe Spitali i dializës në Strugë. Aty drejtor është caktuar S.M. i cili më parë ka qenë drejtor për 10 vjet në këtë spital si aktivist dhe kuadër i BDI-së. Pas çdo cikli zgjedhor dhe përfundim mandati mjeku në fjalë merrte rrugën për në Zajaz dhe Reçicë të vogël për të lutur krerët e BDI-së për ta lënë drejtor. Për shkak të keqmenaxhimit të spitalit dhe prishjes së marrëdhënjeve mes të punësuarve ai u shkarkua para rreth në viti e gjysmë. Por kësaj rradhe me koalicionin e ri ish-drejtori i vjetër e pa një mundësi të re për tu bërë drejtor i ri duke kaluar në rradhët e LR PDSH-së.

Me marrjen e drejtorit të dializës nga LR PDSH nga ndarja e posteve mes partnerëve të qeverisë S.M. rikthehet sërish drejtor në këtë spital, tani jo si kuadër i BDI-së por i LR PDSH-së. Kundër kthimit të tij ka patur edhe reagime publike nga mjekët e spitalit të cilët e akuzojnë drejtorin e rikthyer nga ministri Taravari për degradimin e spitalit, korrupsion, humbje financiare dhe harxhim për shoping me të shoqen të parave të dedikuara për edukimin e mjekëve. Drejtori i shkarkuar tani në Spitalin e dializës A. M., një njeri i afërt me ministrin e BDI-së nga Struga Ramiz Merko në fushatën e të cilit për deputet ai ka marrë pjesë aktivisht, pas shkarkimit nga posti i drejtorit në Spitalin e dializës, në përputhje me marrëveshjen e partive të koalicionit qeveritar për ndarjen e drejtorive të spitaleve, u emërua drejtor në Spitalin e përgjithshëm në Strugë. Është jo shumë e logjikshme që ky ish-drejtor i Spitalit të dializës, i cili me profesion është urolog, të dërgohet nga Spitali i dializës në Spitalin e përgjithshëm në Strugë ku nuk ka shërbim të urologjisë e as kushte për operacione urologjike, ndërkohë që drejtori ri i dializës është internist dhe mund të ishte emëruar drejtor në spitalin e përgjithshëm të Strugës ku ka shërbim të mjekësisë interne. Pazaret politike siç duket nuk kanë pyetur shumë për çështjet profesionale.

Por kërcime nga partia në parti nuk kanë bërë vetëm drejtorët e rinj dhe të vjetër shqiptarë. Ka edhe nga pala maqedone mjekë që kanë marrë pjesë dikur të mitingjet e VMRO-së dhe pastaj në “Revolucionin laraman” dhe tani janë zgjedhur drejtorë klinikash. Aktivistë e funksionerë partiak përfshi kryetarë degësh janë emëruar drejtorë edhe në institucionet tjera shëndetësore në Tetovë, Gostivar dhe qytetet tjera. Sa për drejtorët nëpër qytete e Maqedonisë lindore është e kuptueshme se ata kanë ardhur me listë nga LSDM-ja në tavolinën e ministrit Taravari vetëm për tu nënshkruar.

Ministri Taravari ka premtuar heqjen e drejtorëve ekonomik të Klinikave sepse ata janë të panevojshëm. Për këtë pritet të ndryshohet ligji. Drejtorët ekomonik janë komisarë partiak nëpër klinika të dy partive VMRO dhe BDI. Me urdhër të LSDM-së ministri Taravari ka shkarkuar drejtorët ekonomik kuadro të VMRO-së por nuk ka guxuar të prekë drejtorët ekonomik të BDI-së. Mes tyre është edhe Drejtori ekonomik i Klinikës së reumatologjisë I.A. i njohur për pjesëmarrjen në rrahjen me grushta në xhaminë e Isa Beut në Shkup.

Marrëveshja mes partive politike i ka lënë të paprekura disa institucione shëndetësore me rëndësi të udhëhequra nga funksionarë të BDI-së të njohura për keqmenaxhim. Kështu ministri Taravari nuk mund ta shkarkojë Drejtorin e Spitalit Klinik të Tetovës F.B. i cili mbetet në këtë detyrë që nga viti 2010. Ai është vëllai i ish ministrit të BDI-së Fatmir Besimi, mikut të Kryetarit të BDI-së Ali Ahmeti. Megjithëse spitali i Tetovës ka qenë shpesh në shenjestër të kritikave për degradimin fizik të ambienteve, skandale me pacientët, akuza për korrupsion dhe keqmenaxhim, ministri Taravari mbetet i pafuqishëm për të ndryshuar kreun e tij. Ministri Taravari nuk ka mundur të ndryshojë as drejtoreshën e Drejtorisë të nevojave të përbashkëta të klinikave SH.D. përfaqësuese e BDI-së në këtë post që nga viti 2008. Ky është një prej posteve më profitabil mes drejtorive në klinika përmes të cilit kalojnë tendera dhe biznese të majme për furnizimin apo mirëmbajtjen e klinikave.

Drejtoresha e kësaj drejtorie në vitin 2014 kandidoi si bartëse e listës së BDI-së por menjëherë pas zgjedhjes dha dorëheqje nga posti i deputetes në kuvend për tu kthyer në postin e drejtoreshës. Naivët e quajtën këtë akt patriotik, ata që e dinin ‘minierën’ që administron kjo drejtori e “mirëkuptuan” veprimin e ish-deputetes që zgjodhi të mbetet drejtoreshë në këtë drejtori. Vdekja dhe infektimi i një grupi personash pak kohë më parë në Simnicë të Gostivarit e gjeti Institutin e shëndetit publik në Shkup pa reagens për bërjen e analizave të cilat u dërguan jashtë vendit, në Kosovë dhe Shqipëri. Megjithatë Drejtori i saj SH.M. mbetet në detyrë dhe ministri Taravari është i pafuqishëm për ta shkarkuar. Ai është Kryetar i Degës së BDI-së në Tearcë dhe anëtar i Kryesisë qendrore të BDI-së.

Çka të thuhet për fund. Kështu ministri Taravari synon të bëjë departizimin, depolitizimin dhe reformimin e shëndetësisë. Duket se ai ka zgjedhur rahatinë në kolltukun e ministrit, krijimin e miqësive me pushtetarët shefa dhe mashtrimin në vend të përballjes me problemet reale të sistemit shëndetësor. Ndoshta do të kishte qenë më e ndershme nga ministri Taravari të tregonte pak sinqeritet dhe pak nga ato virtyte për të cilat ka folur publikisht dhe të pranojë se këto gjëra vendosen nga partitë dhe se ai është i paaftë ta ndryshojë këtë realitet të hidhur dhe jo të tentojë t’i hedh hi syve opinionit duke e mashtruar në mënyrë kaq të ulët, vlerësojnë të punësuarit brenda Ministrisë së Shëndetësisë për Almakos.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco