Kuvendi i Kosovës, Haradinaj: Nuk është e sigurt pjesëmarrja e PAN. Limaj: Nisma do të hyjë

Kuvendi i Kosovës, Haradinaj: Nuk është e sigurt pjesëmarrja e PAN. Limaj: Nisma do të hyjë

07:14, 24/08/2017
A+ Aa A-

Ramush Haradinaj, kandidat për kryeministër nga koalicioni i Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën, ka thënë se ende janë në konsultime me partitë politike dhe se nuk ka një marrëveshje konkrete me Aleancën Kosova e Re rreth zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë së re.

Sipas tij, edhe të enjten, kur është caktuar vazhdimi i seancës konstituive, mund të ndodh që deputetët nga koalicioni PAN (PDK, AAK dhe Nisma) të mos jenë të pranishëm.

"Jemi ende në përpjekje që nesër të jemi në seancë. Ekziston mundësia reale që edhe nesër të mos mund të fillojmë. Me këto shtyrje e fitojmë në një aspekt tjetër kohën për shkak se e bëjmë gati një nisje që do të jetë më gjithëpërfshirës e qëndrueshme", tha Haradinaj në një konferencë për media në AAK deri sa ka prezantuar kandidat për kryetar të komunave.

Ai tha po ashtu se kjo vonesë nuk po ndodh vetëm për shkak të një mosmarrëveshje me AKR-në, por, siç tha ai, po synohet në një qeveri më gjithëpërfshirës e cila mund t’i çonte përpara çështjet dhe temat e rëndësishme për vendin.

NISMA

Kryetari i partisë Nisma për Kosovën, Fatmir Limaj ka konfirmuar se deputetët e këtij subjekti politik do të jenë të pranishëm në seancën e 24 gushtit, ku pritet të vazhdohet me procedurën ende të papërfunduar të zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.

Nisma për Kosovën, bën pjesë në kuadër të koalicionit PAN, bashkë me Partinë Demokratike të Kosovës dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.

Dilemat rreth pjesëmarrjes së PAN-it në vazhdimin e seancës konstituive, e cila ka filluar që nga 3 gushti i kishte shtuar kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili nuk e kishte përjashtuar mundësinë që deputetët nga partitë e këtij koalicioni të mos marrin pejsë në seancë, siç kishin vepruar edhe në disa seanca paraprake.

Po ashtu, edhe nga Partia Demokratike e Kosovës, zyrtarët e saj kanë deklaruar se do të jenë në seancën e 24 gushtit, kur është paralajmëruar procedimi me zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

Kandidati i propozuar për kryetar të Kuvendit nga subjekti fitues i zgjedhjeve, koalicioni PAN, është Kadri Veseli, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës.

Vazhdimi i seancës është thirrur për të enjten, më 24 gusht, ndonëse nuk dihet nëse aty do të zgjidhet më në fund nyja politike rreth zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit si hapi i parë drejt nisjes së procedurave për formimin e Qeveris së re./REL

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco