Kini kujdes! Ja si i mashtrojnë emigrantët kompanitë ajrore

Kini kujdes! Ja si i mashtrojnë emigrantët kompanitë ajrore

22:18, 18/08/2017
A+ Aa A-

Bileta me çmime të volitshme këtë verë për mërgimtarët kanë ofruar kompanitë “Prishtina Airlines” si dhe “Kosova Airways” por dolën të jenë mashtruese.

Policia e Kosovës ka arrestuar dy kosovarë nën dyshimin për mashtrim të mërgimtarëve me bileta false. Në fakt policia është duke hetuar një rrjet më të gjerë të përfshirjes së mashtruesve të mërgimtarëve meqë të njëjtët me kompani fiktive po i mashtrojnë shumë bashkatdhetarë me oferta joshëse online përmes internetit.

Këtë vit rruga për në Kosovë nga shteti ku ai jeton, Tomor Shalës nga Klina, i kushtoi mbi dy mijë euro. Ai së bashku me të tre anëtarët e tjerë të familjes kishin rezervuar online përmes internetit biletë fluturimi nga Dyseldorfi i Gjermanisë për në Prishtinë tek agjencia “Prishtina Airlines”,  dhe prisnin të udhëtonin në mesin e muajit korrik. Tomorit  oferta e “Prishtina Airlines” i kishte arritur përmes një mesazhi muaj më parë ku thuhej se nga Dyseldorfi për në Prishtinë dhe anasjelltas ai mund të udhëtonte për  vetëm 329 euro.

Duke e parë si mundësi të volitshme ai rezervoi biletat për gjithë familjen, por nuk mendoi se mund të jetë njeri nga të mashtruarit prej agjencisë fiktive “Prishtina Airlines”.

Tomori thotë se dyshimet nisen kur një ditë para udhëtimit agjencia e njoftoi atë se fluturimet për në Prishtinë janë anuluar.

Përveç Tomorit, u mashtrua edhe Vedat Nura, i cili kishte menduar që të vinte në pushime nga Gjermania duke blerë biletën përmes një agjencie po ashtu fiktive,  me një emër tjetër por me oferta të njëjta. Vedati kishte paguar shumën prej 355 euro në llogarinë që i kishin dhënë përmes telefonit “Kosova Airways, por që udhëtimi as për të nuk ishte i mundur.

RTK ka kontaktuar “ Prishtina Airlines” dhe “Kosova Airways”, përmes të dhënave që ata kanë në faqet e tyre, por përgjigje nuk mori. Ndërkaq adresat në Prishtinë, këto dy agjenci i kanë të njëjta. Njëherë shkruante se janë në rrugën UçK numër 54, e që më vonë ndërruan adresë duke e bërë se gjenden në sheshin Miss Edi Durham numër 11. Në asnjërën nga këto adresa nuk gjenden “Kosova Airways” e as “ Prishtina Airlines”, transmeton RTK.

Të shqetësuar, shqiptarët në Gjermani në një adresë në “Facebook”,  kanë prezantuar rastin duke i ftuar të tjerët që të jenë të kujdesshëm e të mos bien pre e këtij mashtrimi. Aty janë publikuar edhe emrat e kompanive të dyshuara për mashtrim dhe shumë dëshmi të tjera.

Gjatë hulumtimit, RTK merr vesh se pre e këtij mashtrimi dyshohet se kanë rënë dhjetëra persona.  Madje organet e rendit janë duke kryer hetime intensive duke, intervistuar shumë të dyshuar dhe qytetarë të cilët kanë deponuar ankesat e tyre në polici. Në një përgjigje elektronike  Policia e Kosovës ka konfirmuar këtë rast, duke thënë se javën që shkoi janë arrestuar dy persona të dyshuar  dhe është bërë identifikimi i kompanive.

RTK merr vesh se të arrestuarit janë N. P dhe A. B shtetas kosovarë, të cilët dyshohet se e kanë blerë një kompani për shitjen e biletave e cila shquhej për mashtrim, duke vazhduar po këtë punë me klientë të rinj. Burime të RTK-së thonë se në krye të këtij mashtrimi qëndrojnë personat me inicialet F.R., B. Rr., A. B shtetas kosovarë dhe dy shtetas turq, identiteti i të cilëve ende nuk është konfirmuar.

E Policia e Kosovës nuk ka dhënë detaje rreth personave të përfshirë në këtë rast apo edhe mjeteve të keqpërdorura,  me arsyetimin se mund të prishen hetimet. Ata kanë thënë se qytetarët vazhdojnë t`i denoncojnë rastet e ngjashme.

Përveç Policisë së Kosovës,  hetime kanë nisur edhe nga policia e shtetit Gjerman dhe ajo në Zvicër. Madje për një mashtrim të tillë të kosovarëve,  kanë raportuar edhe mediat zvicerane të cilat thonë se qindra kosovarë kanë pësuar nga biletat e rreme.

RTK ka kontaktuar edhe  divizionin e aviacionit civil i cili është në kuadër të ministrisë së Infrastrukturës, të cilët përmes një përgjigje me shkrim kanë thënë se janë të njohur me rastin, por që ministria nuk mban përgjegjësi për këtë ngase sipas tyre udhëtarët duhet të jenë të vëmendshëm gjatë rezervimit të biletave.

Kompanitë e dyshimta thuhet se operojnë me emra që ngjasojnë shumë me agjencitë serioze të udhëtimit, në mënyrë që klientët të bien lehtë në kurth. Ky problem i mashtrimit po ndodh që disa vjet në kohën kur mërgimtarët planifikojnë pushimet e tyre në Kosovë. Për shkak që shumica e agjencive operojnë kryesisht online dhe pagesat bëhen në po në të njëjtën formë, prandaj ndjekja e tyre penale po bëhet e vështirë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco